Një vajzë shqiptare detyrohet të lërë tokën e saj, privuar nga të drejtat njerëzore, kthyer në “një det lotësh”, siç do të thoshte dikur kantautori Ardit Gjebrea në këngën “Jon”. Kur mbërrin në Itali, duhet të bëjë hesapet me një gjuhë tjetër, me një sistem shkollor pjesërisht mikpritës dhe me shumë paragjykime. Në shumë raste, e sidomos kur u rrit e nisi të shihte pas për të mbledhur historinë e saj, në ndihmë i erdhi gjuha e matematikës, që me universalitetin e vet shpjegon e ngushëllon… E quajnë Besa, jeton në Corato prej 15 vjetësh, por ka lindur në Durrës. Është diplomuar në matematikë dhe jep këtë lëndë në Itali, duke u bërë një ndërmjetësuese kulturore. Por jo vetëm kaq. Ajo edhe shkruan, boton libra. Nuk kanë kaluar shumë që kur Besa Nuhi Mone ka botuar romanin e saj të ri, “La matematica del migrante”, në të cilin pajton origjinën e saj shqiptare me jetën në Itali, si dhe rrëfimin artistik me gjuhën matematikore. “La matematica del migrante” është një roman i shkurtër, i botuar vetëm në formatin e-book. Me një shkrim të thjeshtë dhe të këndshëm, të mbushur me formula matematikore dhe ekuacione, libri përshkruan një aspekt të vogël të realitetit italian të parë përmes syve të një të reje shqiptare, që ka emigruar në Itali që 4 vjeçe bashkë me familjen e saj. Përmes këndvështrimit të saj prej fëmije në fillim dhe prej të rrituri më pas, shfaqen shpresat dhe zhgënjimet e atyre që e shohin Italinë si “vendi i çudirave” dhe më pas marrin rrugën e shpresës për t’u përballur me vështirësi reale të egra. Mbi të gjitha vështirësi gjuhe dhe integrimi në një realitet që vajza e vogël e sheh si të ndryshëm me të sajin, por që ngadalë zbulon se ka pika të përbashkëta. Kjo ishte bota e numrave. “Historitë e sjella në librin tim janë pjesërisht të përjetuara, por edhe të pasuruara me histori personash të tjerë. Nuk jam e vetmja që ka pasur nevojën të shkruaj mbi jetën në emigracion, por rrëfimi im besoj se është disi më i veçantë. Arsyetimet, përshkrimet, interpretimet që në përgjithësi realizohen me anë të figurave letrare, në librin tim realizohen me “figurat e metaforat matematikore”, është shprehur Besa në “Coratolive.it”. Gjuha e matematikës, një gjuhë universale, e ka ndihmuar të përshtatet dhe të integrohet ndoshta më shpejt në një vend të huaj, ku paragjykimi ndaj ekstrakomunitarëve është i theksuar dhe është e vështirë të përfitosh nga të gjitha shërbimet publike. “Përvojën time, rrugëtimin tim migrues personal dhe familjar i kam përshkruar në libër duke përdorur formulat matematikore më të përshtatshme për të përfaqësuar dukurinë. Nga paragjykimet kam vuajtur edhe unë. Kur arrita në Corato, pata fatin të njihja dy-tre persona shumë të mirë, e sot gjithnjë e më tepër e kuptoj se sa mendje hapur ishin. Më tej kam njohur të tjerë dhe kërkoja të gjeja edhe tek ta cilësitë e të parëve. Nëse jam integruar pas 15 vjetëve? Nëse me integrim kuptojmë kompletimin me kultura të tjera, me rregulla që favorizojnë kalimin nga bashkekzistenca në bashkëjetesë, atëherë mund të them se po, jam integruar. Por fjala “plotësisht” nënkupton diçka absolute dhe meqë po flasim për gjuhën matematike, do të thosha që nuk e klasifikoj me këtë fjalë integrimin tim”, thotë ajo. Lidhjet me Shqipërinë vazhdojnë të jenë të forta. Në fillim vinte më shpesh. Ndiente nevojë të përshëndetej me njerëzit në gjuhën e saj, por edhe në vendin ku jeton, në Corato, nuk ndihet keq. “U ndjeva vërtet e lidhur me qytetin, vetëm kur pata mundësinë të votoj”, thotë Besa, e cila ndërsa pret përshtypjet e librit të sapobotuar, do të dëshironte të botonte sërish, jo vetëm letërsi, por edhe teorema matematikore.











