
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim gjykon se në thelb të procesit të koncesioneve të hidrocentraleve duhet të jetë transparenca. Ky vlerësim vjen në një kohë kur banka ka shprehur hapur mbështetjen e saj për projektet e energjisë së rinovueshme.
Drejtori i Komunikimit i BERZH, Jonathan Charles, në një intervistë për gazetën, shprehet se banka do të investojë 100 milionë euro në Shqipëri për dy arsye: e para, sepse Shqipëria ka potenciale të pashfrytëzuara dhe e dyta, sepse vendi ynë ka një avantazh të madh fiskal sa i përket ndërtimit të hidrocentraleve. Bërja atraktive e këtij sektori, por edhe e të tjerëve, sipas tij, do të ndihmojë në rritjen ekonomike të vendit. BERZH në raportin e fundit, të publikuar në tetor, ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2011 nga 2.5 në 1.9 për qind, ndërkohë që për vitin 2012 parashikimi u ul nga 3.1 në 1 për qind. Kjo ulje sipas BERZH ndikohet nga efekt i krizës në vendet fqinje Greqi dhe Itali, kryesisht rënie e remitancave nga emigrantët.
Përgjatë këtyre viteve, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka qenë e interesuar në financimin e projekteve të infrastrukturës, por edhe biznesit. Pse vjen ky interesim për sektorin e energjisë, duke e kthyer atë në prioritet?
BERZH operon në financimin e shumë sektorëve, por sot duhet të pranojmë se në një botë ku energjia po shtrenjtohet çdo ditë, ku energjia duhet të jetë e pastër, me sa më pak impakt në ambient, atëherë mendojmë se duhet realisht të fokusohemi në investimet në këtë sektor. Kur them investime, nuk e kam fjalën vetëm për Shqipërinë, por në përgjithësi për gjithë rajonin. Një numër i madh i projekteve që ne mbështesim si bankë, në 29 vendet që ne operojmë, kanë një element të përbashkët: atë të mundësisë së prodhimit të energjisë së pastër. Ne e shohim këtë mundësi sidomos në Shqipëri për prodhimin e energjisë së pastër dhe një prodhim të qëndrueshëm. Konstatojmë se vendi juaj ka një avantazh të madh fiskal dhe si rezultat i kësaj, nëse strategjia e investimit është e duhura, ne mund të financojmë në hidrocentrale dhe Shqipëria do të fitonte para nga kjo, sepse mund ta eksportojë këtë energji.
BERZH-i ka qenë ndër institucionet e para financiare ndërkombëtare që ka ngritur si problem faktin që procesi i koncesioneve të hidrocentraleve nuk ka ecur si duhet. Tani që vetë banka do të investojë në këtë sektor, mendoni se gjërat janë rregulluar apo sërish ka vend për të përmirësuar?
Është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë dialogun me qeverinë që të sigurohemi që kuadri rregullator është i duhuri në këtë sektor dhe që procesi në këtë sektor të vijojë normalisht. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira dhe diskutime me qeverinë shqiptare, kemi pasur dhe do të vazhdojmë të kemi diskutime, sikurse me të gjithë qeveritë e vendeve ku operojmë. Po investojmë rreth 100 milionë euro në Shqipëri këtë vit, që do të jetë një investim në shifra rekord për ne, prandaj është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë dialogun. Së bashku me paratë, është i nevojshëm edhe dialogu për ta futur këtë sektor në rrugën e duhur dhe mendoj se në të ardhmen do të duhet më shumë dialog. Edhe aktiviteti ynë i sotshëm për investimet në hidrocentrale vjen në kuadër të këtij dialogu, për ta bërë më publik atë, dhe jo të mbetet privat mes dy institucioneve. Kjo do të na ndihmojë që të ndajmë eksperiencat dhe mendimet dhe të dalim në përfundimin se çfarë duhet bërë për t’u siguruar që sektori do të ecë në rrugën e duhur.
Çfarë sugjeron BERZH në këtë kuadër, në mënyrë që sektori të ecë si duhet?
Në lidhje me procesin mendoj se më kryesorja është transparenca. Është shumë e rëndësishme që të shihet mënyra sesi operon sektori. Ky është një diskutim që ne e kemi bërë dhe qeveria e pranon dhe e kupton faktin që nëse investimet do të kryhen, atëherë duhet të jetë një proces shumë i hapur dhe njerëzit duhet të kuptojnë saktësisht sesi funksionojnë gjërat. Qeveria ka qenë shumë mbështetëse dhe ne jemi mbështetës gjithashtu. Gjithsesi, disa pika të rëndësishme shënohen që në kontratat që ne nënshkruajmë përfshirë këtu edhe mënyrën se si duhet të ecë procesi.
Lidhur me hidrocentralet, cilat janë kriteret që një projekt duhet të përmbushë për të përfituar financimin e bankës?
Ka një sërë kriteresh që duhet të përmbushën, por pika kyçe e gjithë kësaj është që të jetë një projekt i aplikueshëm ekonomik, që në fjalë të tjera mund të thuhet, nëse ky projekt do të sjellë përfitim për ekonominë, nëse është një projekt që do të ketë edhe kthim mbrapsht të investimit. Në momentin që në investojmë në hidrocentrale, ne mendojmë që një projekt i tillë do të sjellë para për Shqipërinë dhe nuk do të jetë një shtesë pa përftim për ekonominë. Ne shohim se si gjithë synimi apo projekti që mund të kemi përshtatet me ekonominë ku do të zbatohet.
Në një raport më të hershëm të vitit 2009, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim shprehet skeptike sa i përket financimit të projekteve të hidrocentraleve, pasi mungon eksperienca dhe konsulenca? Si e gjykoni këtë aspekt sot, kur janë dhënë shumë koncesione?
Ajo që ne shohim në Shqipëri është që 98 për qind e energjisë vjen nga hidrocentralet dhe rrjedhimisht kjo të bën të mendosh që ka dhe ekspertizë. Gjithsesi, kjo ekspertizë e brendshme e kombinuar me atë të jashtme, së bashku mund të jetë e duhura, por sektori padyshim ka nevojë që të zhvillohet. Këto investime nuk janë vetëm sa për t’u siguruar që kemi një sektor të fuqishëm të hidrocentraleve në Shqipëri, një ekspertizë të mirë që do të ndihmojë për zhvillimin, si një pjesë e rëndësishme e ekonomisë.
Nertila MAHO











