Berluskoni: Maqedonia meriton të bëhet anëtare e BE-së

Oct 5, 2011 | 18:59

Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni ka deklaruar se qeveria të cilën e drejton ai, fuqimisht e mbështet Republikën e Maqedonisë në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s.

Ai tha se, Maqedonia meriton raport pozitiv për fillim të negociatave me BE-në dhe meriton të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

Këto komente ai i bëri pas një takimi me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Greuvski, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Shtimi i vëllimit të bashkëpunimit tregtar dhe rritja e nivelit të investimeve të huaja nga Italia në Maqedoni janë qëllime kyçe rreth të cilave është arritur pajtueshmëri e ndërsjellë dhe për realizimin e të cilave dy kryeministrat, krahas angazhimit qeveritar, do të investojnë edhe autoritetin e tyre personal.

Të dy bashkëbiseduesit janë dakorduar se ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme politike ndërmjet dy vendeve dhe se edhe më tej mbeten të përkushtuar në avancimin e tyre të mëtejmë.

Kryeministri Gruevski gjatë vizitës në Itali shoqërohet nga zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Vlladimir Peshevski, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki dhe Martin Protogjer, shef i kabinetit të kryetarit të Qeverisë.

Ky është takimi i tretë i kryeministrit Gruevski me kolegun e tij italian Berluskoni. Takimi i parë ishte në vitin 2007, kur Gruevski qëndroi në Romë, gjatë turneut ekonomik për tërheqjen e investimeve të huaja, organizuar nga Qeveria e Maqedonisë, e më pas nga fundi i nëntorit të vitit 2010 në Samitin BE-Afrikë në Libi. (INA)

© Panorama.al

Te lidhura