Berisha: Të respektohen flamujt e partive, janë flamujt e pluralizmit

Apr 22, 2011 | 10:16

Kryeministri Berisha u ka bërë thirrje dje qytetarëve dhe institucioneve në vend që të zhvillojnë një proces zgjedhor me standarde dhe të shmangin dhunën. “Është e hidhur dhe realisht lënduese kur sheh përplasje për çështje flamurësh. Për ata që përplasen për problemin e flamurëve, unë kam këtë mesazh dhe theksoj se flamujt e forcave politike shqiptare, flamujt e spektrit politik shqiptar janë flamujt e pluralizmit. Këto flamuj shkëlqejnë vetëm kur rrinë në tërësinë e tyre, sepse, pa ta dhe me flamuj të veçantë, Shqipëria nuk do të ishte kurrë kjo që është. Ndaj flamujt vërtet janë të forcave politike, por janë flamujt e pluralizmit. Secili të votojë për flamurin e tij, secili të promovojë flamurin e tij, por secili duhet të respektojë, të ketë tolerancën e plotë dhe vetëdijen se edhe flamuri tjetër është kusht që ai të jetë i lirë”, tha Berisha në mbledhjen e Qeverisë. Më pas, ai vijoi fushatën elektorale në Vorë, ku mbështeti kandidatin për këtë Bashki, “Fiqiri Ismaili ka dëshmuar këto vite se është një menaxher i shkëlqyer, qytetar shembullor, qytetar i parë me zemër të dhimbsur, me zemër në dorë ndaj çdo halli e çdo derti të këtij qyteti. Në ditët më të vështira të kësaj bashkie, Ismaili u dëshmua një burrë vigan, një njeri me integritet, dha një kontribut historik për kapërcimin e pasojave dramatike të ngjarjes së Gërdecit”. Duke u ndalur shkurt në alternativën e kundërshtarit politik, Berisha tha: “Me alternativën e tij “Fajin e ka Saliu”, Rama vetëm dëshmon se ka tmerr nga mëkatet e tij. Unë duhet t’i deklaroj atij, se nuk kam ndërmend të merrem 3 sekonda me mëkatet e tij, por vetëm me qytetarët, me hallet e tyre”. Fushata u zhvendos më vonë në Sukth, ku Berisha prezantoi kandidatin Sherif Fortuzi. “Në 4 vitet që vijnë nuk do të ketë asnjë kilometër rrugë të paasfaltuar në këtë Bashki”, tha Kryeministri, duke bërë një retrospektivë për rrugët në Sukth. Ndalesa e fundit ka qenë ne Bërxullë, ku Berisha prezantoi kandidatin Ymer Marku, ku theksoi se 1 miliard lekë janë investuar në këtë komune nga qeveria për rrugët, shkollat, kopshtet, kanalizimet etj.

“Prioritet investimet në ujësjellës”

“Sot unë ju premtoj se nisja e investimit për sistemin modern të ujësjellës-kanalizimeve për qytetin e Tiranës do të jetë prioriteti numër një dhe realiteti i parë i prekshëm për ju, në drejtimin e Bashkisë nga unë”, u shpreh Lulzim Basha, gjatë takimit në Njësinë Bashkiake Nr. 10 në Tiranë.

© Panorama.al

Te lidhura