Berisha: Sot u themelua “Partia e Plehut”

Nov 4, 2011 | 11:47
Gjatë protestës kundër importit të plehrave dje para Parlamentit

Dekreti i Presidentit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” u shoqërua dje me debate në Kuvendin e Shqipërisë. Presidenti i Republikës e ktheu ligjin sërish në Kuvend për shkak të përplasjes së neneve. Kryeministri Berisha dhe kreu i Grupit Parlamentar socialist, Ruçi, përballën qëndrimet e tyre në Kuvend, duke akuzuar njëri-tjetrin për interesa korruptive. Kreu i qeverisë akuzoi opozitën për interesa mafioze përmes këtij ligji. “Shqiptarët sot me këtë debat kuptuan se pas partiçkës së plehut ka interesa të mëdha mafioze. Problemi juaj i madh është pse vendoset vendimi i qeverisë për çdo mbetje që do të importohet. Vendimet e qeverisë do të shkurtojnë interesat e lobistëve të tyre. Çfarë garancie më të madhe mund t’u japim shqiptarëve sesa vendimet e qeverisë së tyre?”, u shpreh Kryeministri Berisha. Sipas tij, “sot, kjo ditë shënon de facto themelimin në këtë sallë të Partisë së Plehut. Pasi u themelua Aleanca e Plehu’, shpërtheu epidemia: ‘O burra të gjejmë vota në plehra’ dhe po rrëmohet, po kërkohet, po bëhet gjithçka që në plehra të mbijnë partiçka”.
Kreu i maxhorancës u shpreh se qëllimi i ligjit është pastrimi i vendit nga plehrat. “Ja ku e keni listën. Sipas kësaj liste, në Shqipëri duhet të hyjnë 400 mbetje, ndërsa ky Parlament dhe kjo qeveri ka vendosur që në Shqipëri mund të hyjnë gjithsej 50 mbetje, prej tyre asnjëra toksike dhe secila prej tyre do të hyjë sipas kushteve që do të përcaktohen në vendimin e Këshillit të Ministrave. Përse duhet ky ligj? Duhet sepse ky Parlament ka ratifikuar një marrëveshje me BE-në”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë u shpreh dje në Parlament se do të marrë çdo vendim për mbetjet bashkë me shoqërinë civile për të qenë sa më transparent në zbatimin e këtij ligji.
Por, kreu i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, e akuzoi Kryeministrin për interesa përfitimi me këtë ligj. “Shqiptarët që na ndjekin nga ekrani thonë: Mos u ngopsh! Edhe nga plehrat do të fitosh? Si mjek po të them, si nuk shqetësohesh se po importohen plehra në Shqipëri? Në 2003-shin ti votove kundër importit të plehrave, pse sot voton pro?”, u shpreh Ruçi në fjalën e tij. Sipas tij, ligji i parë që socialistët do të anulojnë sapo të vijnë në pushtet do të jetë ligji i plehrave dhe kërkoi referendum popullor për këtë ligj. “Neni 22 që Presidenti i Republikës ka protestuar, lejon importin e plehrave në vend. Ti sorollatesh jo 400, jo 50, asnjë. Alternativa jonë është asnjë. Hiqe këtë nen dhe pastaj hajde të ulemi të diskutojmë. Sigurisht që është një debat i gjerë. Është një debat i gjerë këtu, është një debat edhe jashtë kësaj salle, tek ata njerëz që na kanë sjellë ne këtu. T’i pyesim qytetarët, të organizojmë një referendum popullor. Pse s’pranon?! Ç’është ky ngut, ç’është kjo urgjencë?!”, u shpreh Ruçi. Duke shprehur qëndrimin e Grupit Parlamentar, Ruçi tha se është kundër qëndrimit të qeverisë.
“Zotëri i nderuar, ne ndahemi prerë me këtë ligj që ti ke kaluar në Parlament në dy momente. Momenti i parë: ligji nuk zgjidh problemin shqiptar për menaxhimin e plehrave shqiptare. Momenti dytë: ne ndahemi prerazi nga ju. Ne nuk lejojmë importin e plehrave në Shqipëri”, u shpreh Ruçi.

Sajmir Tahiri

Saimir Tahiri ne Parlament

Deputeti socialist, Sajmir Tahiri, arriti të fusë brenda në Kuvend dhe një pankartë me logon “SOS kundër plehrave radioaktive”. Tahiri mbërriti më vonë se kolegët e tij në Kuvend, ndërsa në duar kishte disa letra. Pak para se të merrte fjalën, deputeti socialist hapi para podiumit pankartën, të cilën e mbanin jashtë Parlamentit edhe protestuesit, me të cilën kërkon moslejimin e mbetjeve të rrezikshme. Ky veprim i Tahirit krijoi reagime në sallë, ndërsa punonjësit e Gardës nuk ndërhynë për ta hequr atë nga salla.

Ligji për mbetjet, shoqëria civile proteston para Parlamentit
Aleanca Kundër Importit të Plehrave organizoi dje një protestë para Parlamentit kundër ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Analistë të medias dhe përfaqësues të shoqërisë civile deklaruan se përmes reagimit qytetar do t’i bëhet presion Kuvendit të Shqipërisë që të mos votojë nenet e ligjit që lejojnë importin e mbetjeve. Të rinjtë e lëvizjes “Rinia Aktive” kanë nënshkruar një peticion të firmosur nga 3 mijë qytetarë në mbarë vendin, të cilën e kanë dorëzuar në Kryesinë e Kuvendit. Në peticion, të rinjtë kanë kërkuar kthimin për diskutim në komisione, të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
“Kemi marrë vesh nga burime jozyrtare që në Itali është bërë gati ngarkesa e parë me plehra për t’u dërguar në Shqipëri. T’u themi jo plehrave, t’u themi jo importit të kancerit”, deklaroi përfaqësuesja e shoqërisë civile, Kozara Kati. Ardian Klosi, në fjalën e tij kujtoi se: “Kur në korrik protestuam ndaj shembjes së Piramidës, qeveria i quajti qytetarët pionierë të Enverit. Por ata pionierë arritën që në një natë të mblidhnin pesë mijë firma. Pionierët bënë që Presidenti të mos e firmoste shembjen. E pra, paska një qytetari që di të bëjë zërin e saj të dëgjohet në këtë vend. Nuk ka rrugë tjetër përveçse të bëjmë zërin tonë të dëgjohet edhe për plehrat”.
Para protestës, një grup ambientalistësh zhvilluan një takim me Presidentin Bamir Topi, i cili ka kërkuar që të dëgjohet zëri i ekspertëve dhe i shoqërisë civile për një ligj që i prek të gjithë qytetarët. “Ligji duhet të pranojë vetëm mbetjet tona, pasi ky vend nuk është ende gati të presë mbetje të huaja. Presidenti duhet të jetë shtylla bazë e komunikimit, me Kryeministrin, ministrin dhe komisionet e sigurisë kombëtare”, theksoi Sazan Guri.

Rama: Të thuash dua plehra nga jashtë, tradhti kombëtare

Nga profili i Ramës në Twitter

Kreu i opozitës, Edi Rama, nuk ka mbetur jashtë debateve të Parlamentit për importin e mbetjeve. Rama, nëpërmjet rrjetit social, “Twitter”, iu bashkua këtij debati me tri komente. “Opozita importuaka plehra sipas Saliut! Vetëm kur të mbysin plehrat mund ta fyesh popullin tënd duke e trajtuar si budalla”, shkruan Rama pak para nisjes së votimit në Parlament. Më parë, kreu socialist, ndjekës i debatit, shprehet se “të njëjtin fjalim ka mbajtur edhe Kryeministri i Somalisë kur e mori në qafë vendin e vet duke e bërë kosh plehrash”, ndërsa në fillim të debatit parlamentar Rama shprehet se “të thuash dua plehra nga jashtë, është tradhtia më e madhe kombëtare në kushtet kur vendi ka një milion tonë plehra rrugëve”, shkruan Rama.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura