TIRANË- Kryeministri Sali Berisha duke garantuar mbështetje ndaj shoqërisë civile ka ftuar donatorët të kontribuojnë në fuqizimin e saj, ndërkohë që ka apeluar për më shumë kontribut në forcimin e ndjenjës së edukimit, vullnetarizmit, solidaritetit ndaj njerëzve në nevojë dhe në luftën kundër korrupsionit. Deklarata e Berishës është bërë sot gjatë një konference, organizuar nga Agjencia e Shoqërisë Civile.
“Roli i shoqërisë civile është i pazëvendësueshëm. Ajo ndjek me një përkushtim të madh pulsin e pjesës më në nevojë të shoqërisë dhe problemeve më të mprehta aty ku lindin. Dua të ndalem në një çështje themelore që shoqëria shqiptare ka nevojë jetike dhe vuan për fuqizimin e saj dhe ky është vullnetarizmi. I degraduar në të shkuarën në forma absurde, ky term fisnik humbi eufoninë e tij, ndërkohë që është i pazëvendësueshëm për një shoqëri, e bën atë shumë më të njerëzishme”- tha ai.
Duke vlerësuar bazën e shkëlqyer të shqiptarëve demonstruar në solidaritetin familjar, Berisha ka kërkuar ta projektojmë bashkërisht në mbarë shoqërinë tonë.











