Berisha: Rrogat e pensionet do të rriten me 5 për qind

May 17, 2012 | 13:21
Gjatë mbledhjes së djeshme të Qeverisë

Qeveria do të miratojë së shpejti vendimin për rritjen e rrogave dhe pensioneve nga 1 korriku. Në mbledhjen e djeshme të kabinetit, Kryeministri Berisha bëri të ditur edhe shifrat për rritjen që do të nisë në gjysmën e dytë të këtij viti, nga e cila përfitojnë rreth 800 mijë familje. “Rrogat do të rriten me një mesatare 5 për qind. Natyrisht, rrogat e larta mund të mos rriten fare ose do rriten një për qind. Rrogat më të ulëta do të proporcionohen siç është drejtimi themelor që ne kemi. Por dua t’i informoj shqiptarët se ky drejtim ka qenë shumë i drejtë, shumë njerëzor dhe ne kemi vendosur një standard të qytetëruar dhe absolutisht perëndimor në diferencën midis rrogës së punonjësit dhe rrogës së zyrtarëve më të lartë”, u shpreh kreu i qeverisë. Në fjalën e tij ai u ndal konkretisht edhe në pagat e arsimtarëve të shkollave 9-vjeçare, të shkollave të mesme si dhe infermierëve, të cilat, sipas Berishës, do të rriten më shumë se dy herë në krahasim me vitin 2005, kur PD-ja u rikthye në pushtet. Gjithashtu, nga 1 korriku do të rriten edhe pensionet, ku ato në fshat do të rriten me pesë për qind dhe ato në qytet me 4 për qind. “Ne do t’i rritim pensionet. Të ardhurat pensionale minimale, që në vitin 2005 kanë qenë 8 mijë e 350 lekë (tetëmijë e treqind e pesëdhjetë), në korrik të vitit 2012 do të jenë 13 656 lekë (trembëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e gjashtë), pra në harkun kohor 2005-2012 është një rritje prej 64 për qind. Ka një rritje pak më të ulët të të ardhurave maksimale pensionale, të cilat nga 162 mijë lekë (njëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë), në korrik të vitit 2012 ato rriten me 235 mijë e 12 lekë (dyqind e tridhjetë e pesë mijë e dymbëdhjetë lekë)”, theksoi më tej Kryeministri. Nga mbledhja e kabinetit ai iu drejtua edhe liderit të opozitës Edi Rama, për kritikat mbi krahasimin e shifrave me vitin 2004. “Në qoftë se në 2004-n, me sistemin progresiv, të ardhurat në Tatime e Dogana dhe kontribute ishin gjithsej 130 miliardë lekë, në këtë sistem proporcional, ku paguhet shumë më pak, të ardhurat nga Tatimet e Doganat e kontributet e sigurimeve shoqërore, janë mbledhur 288 miliardë. Zotëria nuk dëshiron të bëjmë krahasime me vitet e qeverisjes socialiste – se Fatos Nanos kur i intereson e shpall ‘Mbretin Zog’, kur nuk i intereson, e çon te emisioni i Sokol Ballës e i thotë hapja dritaren, – pra ai thotë që mos bëni krahasime me atë periudhë se nuk ka qenë PS në pushtet, se po bëni krahasime si me vitin ‘38″, u shpreh Kryeministri. Sipas tij, lideri i opozitës ka mungesë informacioni sa u përket shifrave zyrtare kur deklaron se në Shqipëri ka një milion të papunë. Berisha tha më tej se 145 mijë shqiptarë janë regjistruar në zyrat e punës, ndërkohë që për kreun e PS-së janë edhe 855 mijë më shumë.

Shifrat e rritjes
. Rrogat do të rriten nga 1 për qind (të lartat) deri në 5 për qind (mesataret).

. Paga e arsimtarit në arsimin e mesëm bëhet 58 802 lekë nga 26 831 lekë që ka qenë në vitin 2005.

. Paga e arsimtarit në arsimin 9-vjeçar bëhet 50 019 lekë nga 22 771 lekë që ishte në vitin 2005.

. Paga e mjekut do të bëhet 57 553 lekë nga 22 683 lekë që ishte në vitin 2005.

. Paga e infermierit do të bëhet 36 725 lekë nga 15 000 lekë që ishte në vitin 2005.

. Pensionet do të rriten 4 për qind në qytet dhe 5 për qind në fshat.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura