Berisha: Rama bllokon se ka hallin e Kongresit

Oct 1, 2011 | 11:04
Berisha dje në Gjinar të Elbasanit

Kryeministri Sali Berisha tha dje nga Elbasani se qëllimi kryesor i kreut të PS-së, Edi Rama, nuk është zgjidhja e ngërçit politik, por bllokimi deri në Kongresin e partisë së tij, në muajin nëntor. Kreu i Ekzekutivit përuroi dje përfundimin e punimeve në rrugën Elbasan-Gjinar, 21 km, me vlerë 500 milionë lekë. Berisha konfirmoi edhe njëherë qëndrimin e maxhorancës për të pranuar dy nga dhjetë kushtet e opozitës, reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. “Reforma elektorale. Mirë se të vish! Urdhëro, zoti Rama, të ulemi, të punojmë me konsensus. Kemi 52 rekomandime, t’i adresojmë ato një nga një, që të gjitha, pa asnjë hezitim. Ai kërkon rregullore parlamenti, të shkuarën, me të shkuarën, me të djeshmen, jo të shkuarën e largët, por edhe e djeshmja na duket e largët. Ne shohim përpara. Urdhëro të marrim Rregulloren e Parlamentit Europian dhe në qoftë se Rregullorja e këtij Parlamenti ka qoftë edhe një nen që nuk përputhet me Rregulloren e tempullit europian të demokracisë, urdhëro ta ndryshojmë. Por ai nuk i do këto”, u shpreh kreu i Ekzekutivit. Sipas Berishës, Rama synon të bllokojë vendin deri në kongresin e partisë së tij, duke lënë të kuptohet se në mbledhjen e këtij forumi, në nëntor, do të ketë një tjetër bojkot nga opozita. “Këto i ka thjesht farsë. Njëlloj si në vjeshtën e vitit 2009. Ai i kërkon këto vetëm e vetëm që të shkojë drejt kongresit dhe të marrë vendimet e tij, vendime të cilat do t’i japin në 2013-n disfatën më të thellë që ka njohur në tërë historinë e vet. Nuk do reformë zgjedhore. Përkundrazi, do me çdo kusht ta bllokojë atë. Nuk do reformë të Rregullores së Parlamentit. Përkundrazi, do me çdo kusht ta bllokojë atë. Njeriu që ka shndërruar bllokimin në parzmore të tij dhe kujton se nuk e sheh kush. Të gjithë e shohin. Me bllokimin, zoti Rama, ke shkuar nga disfata në disfatë”, tha më tej Berisha. “Je bërë i famshëm në Shqipëri dhe në Europë për disfatat e njëpasnjëshme që ke përjetuar nga e para tek e fundit, që ishte disfata personale. Në Tiranë qytetarët të ndëshkuan me 10 mijë e 907 vota më shumë për koalicionin e Aleancës për Qytetarin. Duke parë veten në këto rrethana, përpiqet me çdo kusht se si të dëmtojë interesin personal të secilit prej jush, të çdo shqiptari. Ju garantoj se interesi juaj më i madh është ligji dhe zbatimi i tij, dhe kjo qeveri do të qëndrojë fuqishëm në zbatimin e çdo ligji të vendit. Interesi juaj jetik dhe i çdo qytetari është Kushtetuta dhe zbatimi i saj”, theksoi kreu i qeverisë.
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, gjatë përurimit të aksit rrugor Elbasan–Gjinar, e njohur si zona turistike malore në këtë qark, u ka premtuar banorëve të zonës se “do të përfundojmë autostradën Tiranë-Elbasan, segmentin Berat – Elbasan, do të ndërtojmë një seri rrugësh rurale nga Gramshi deri në Stëblevë dhe skaje të tjera të këtij qarku”.

Haxhinasto: Bojkoti i PS, strategji
Zv.kryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, tha se çdo ofertë e opozitës do të refuzohej përderisa qëllimi i saj kryesor është bojkoti. “Bojkoti i institucioneve, bojkoti i Parlamentit ka qenë një strategji e opozitës. Kjo do të thotë që përderisa bojkoti, mosangazhimi, mospjesëmarrja është një strategji politike, sigurisht që edhe sikur të kishin qenë katërfish ofertat që kanë qenë në tryezën e opozitës, ato do ishin refuzuar. Megjithatë, mund t’ju garantoj se maxhoranca e ka të gjithë përgjegjësinë e duhur që procesi i integrimit të vazhdojë ta ketë si prioritar, pa bërë asnjë koncesion përsa i përket legjitimitetit”, tha Haxhinasto dje në një konferencë për shtyp.

Gjana: S’mund të ketë afate për reformën
Deputeti i PD-së, Jemin Gjana, shprehet se nuk mund të bëhet fjalë për afate për reformën zgjedhore përderisa komisioni parlamentar nuk është ngritur ende. “Nuk besoj se ende pa u ngritur një komision dhe ende pa u saktësuar axhenda e punës, termat e referencës mbi të cilat do të punojë ky komision, të bëjmë fjalë për afate, sepse varet nga madhësia e punës që do t’i vihet përpara këtij komisioni. Çështjet më themelore të një baze ligjore në Shqipëri janë të zgjidhura”, tha Gjana. Sipas tij, “ata janë duke punuar me njëri-tjetrin dhe me përfaqësues të OSBE-së dhe ODIHR-it, që janë hartues të këtyre raporteve. Nuk ka njeri deri më sot që të thotë se cilat do të jenë termat e referencës me të cilat do të operohet për reformën zgjedhore në Shqipëri”.

MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura