
Kryeministri Sali Berisha fajësoi opozitën si përgjegjësen kryesore për humbjen e statusit të vendit kandidat. Kreu i qeverisë u shpreh se pjesa më e madhe e 12 kritereve të vendosura nga Bashkimi Europian lidheshin me konsensusin që duhet të jepte opozita në Parlament. Tendenca bllokuese, sipas tij, e opozitës dhe e liderit të saj Edi Rama, sollën mosrealizimin e detyrave dhe humbjen e statusit të vendit kandidat. “Për Shqipërinë, vendimi vjen negativ përsa i përket statusit. Një vit më parë, Komisioni Europian ka renditur 12 kërkesa, që të gjitha absolutisht të drejta, që të gjitha kërkesa dhe reforma që realizojnë një afrim të mëtejshëm të Shqipërisë me BE-në. Disa nga këto kërkesa janë avancuar dhe gjërat kanë ndryshuar, pra reformat kanë sjellë ndryshimet përkatëse. Një pjesë e tyre kanë mbetur në vendnumëro, sepse kanë kërkuar një votim me tre të pestat”, tha Berisha dje pas marrjes së progres-raportit nga ambasadori Sekui në ambientet e Këshillit të Ministrave. Sipas tij, ligjet që kanë mbetur pa u votuar përmirësojnë më tej sistemin e këtij vendi. “Njeriu i thjeshtë në këtë vend është shumë më i mençur e i kthjellët, sesa e mendon zoti Rama dhe entourage i tij. Çdo ditë kanë krijuar një bursë shpifjesh, mashtrimesh e sharjesh dhe kuotojnë njëri-tjetrin, në varësi se kush shan më shumë, kush shpif më shumë. Në rregull vazhdojeni, por 8 maji dëshmoi sa keni qenë të aftë të bindni shqiptarët me shpifjet e gënjeshtrat tuaja”, deklaroi Berisha. “Ndaj mbetet që qeveria të bëjë gjithçka me reforma të tjera, por opozitën nuk e udhëheq dot. Në instancë të fundit, është në detyrim e saj kushtetues të respektojë sovranitetin e opozitës dhe unë ju garantoj se do ta respektojmë”, theksoi kryeministri.
Reforma zgjedhore
Duke shprehur gatishmërinë e forcës që drejton lidhur me reformën zgjedhore, Kryeministri tha se maxhoranca do të votojë vetëm ato amendime që do të shtrohen në tryezën e përbashkët të dy palëve, apo nëse propozimet e saj do të shqyrtohen nga institucionet ndërkombëtare. Kreu i qeverisë tha se maxhoranca ka ofruar bashkëpunimin e saj duke caktuar edhe negociatorët, si në rastin e reformës zgjedhore, ndërsa socialistët, sipas tij, vendosën dhjetë kushte me qëllim mbulimin e humbjes së zgjedhjeve vendore. “Unë i them: Zotëri, në qoftë se ti dëshiron pa konsensus, unë nuk të them jo, unë të votoj. Adreso amendamentet, dërgoji në institucionet ndërkombëtare dhe silli t’i votoj. Nëse do me konsensus, urdhëro të ulemi me ekspertët ndërkombëtarë, të hartojmë amendamentet dhe t’i votojmë”, theksoi Kryeministri. Kreu demokrat theksoi se qeveria që ai drejton do të punojë për zgjidhjen e problemeve të ngritura në raport në bashkëpunim me opozitën, por gjithmonë sipas tij, brenda disa parimeve kushtetuese. “Nëse zoti Rama do që t’i hartojë të gjitha amendamentet, ka ekspertë të PS, t’i dërgojë të pesëdhjetedyta në Komisionin e Venecias dhe ODIHR dhe ne i votojmë në Parlament ‘no coment’. Kjo nuk është një reformë konsensuale, por, e sigurt që është brenda standardeve ndërkombëtare, çka midis konsensualitit dhe standardit ndërkombëtar unë do të zgjidhja standardin ndërkombëtar. Në rast se dëshiron ndryshe, të ulemi me ekspertë të OSBE/ODIHR-it dhe ka një traditë 20-vjeçare për këtë, të biem dakord për 52 kërkesat e të ecim para. Por këtë ai nuk e pranon”, u shpreh Berisha.
Akuzat për Topin
Në fjalën e tij Kryeministri sulmoi indirekt edhe kreun e shtetit, Bamir Topi, për bashkëpunim midis tij dhe opozitës. “Shumica është shumicë e pakica pakicë. Të gjitha të tjerat nuk kishin asnjë domethënie. Po nuk i zgjidha me ty, i zgjidh me zotin Topi. Zoti Topi është Presidenti i Republikës, por ky vend ka një shumicë që përfaqëson vullnetin e shumicës së shqiptarëve. Sikundër Presidenti i Republikës është i pavarur dhe shumica është mbartësja e sovranitetit, i dhënë me votë”, tha Berisha.
Lidhur me përgjegjësitë e maxhorancës, shefi i qeverisë njoftoi se në ditët në vijim kabineti që ai drejton dhe çdo agjenci do të shqyrtojë me kujdes progres-raportin dhe do ta shndërrojë në plan pune. Reformat për integrimin e shpejtë të vendit mbeten, sipas Kryeministrit, axhenda e qeverisë në ditët në vazhdim. “Dua të siguroj se procesi i integrimit europian mbetet për qeverinë shqiptare një proces i një rëndësie themelore, në të cilin, në bindjen time më të madhe, nëpërmjet një universi të tërë reformash, qytetarët shqiptarë bëhen më të lirë, më të sigurt”, premtoi Berisha.
Rregullorja e Kuvendit
Në takimin me ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Kryeministri Berisha diskutoi edhe për mundësinë e ndryshimit të Rregullores. Kreu i qeverisë propozoi një grup pune për të shqyrtuar dhe krahasuar Rregulloren e Parlamentit tonë me atë të Parlamentit Europian. Kjo rregullore, që sipas shefit të maxhorancës i është ofruar opozitës, është rezultantja e mendimit dhe e doktrinës më të përparuar të funksionit të Parlamentit Europian.
Sekui: Ngërç politik ka ngadalësur proceset drejt BE
Pas publikimit të progres-raportit, përfaqësuesi i Bashkimit Europian, Etore Sekui, deklaroi se ngërçi politik kushtëzoi marrjen e statusit të vendit kandidat. Ambasadori sqaroi shkaqet e refuzimit të kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat nga vendi ynë. Duke komentuar situatën politike në vend, ku mungon dialogu midis opozitës dhe maxhorancës, Sekui theksoi se raporti duhet të jetë udhërrëfyesi drejt integrimit dhe kërkoi që përmbushja e 12 kritereve të cilësohet “objektiv kombëtar”. “Progresi apo ecuria përpara e Shqipërisë drejt BE-së është kushtëzuar nga ngërçi politik. Pse nuk u pranua Shqipëria? Ngërçi politik ka ngadalësuar proceset. Viti i kaluar ka shënuar mungesë të dialogut politik konstruktiv në Kuvend”, sqaroi Sekui. I pyetur nëse ka ndikuar bllokimi i votimit të projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament, ambasadori u shpreh se “pengesa ka paraqitur edhe mosvotimi i ligjeve me tre të pestat e votave”. Diplomati i lartë i BE-së në vendin tonë u shpreh se gjatë këtij viti është shënuar mungesë e dialogut konstruktiv politik. “Komisioni Europian mbetet i përkushtuar për perspektivën europiane të Shqipërisë, por vendi juaj duhet të plotësojë të njëjtat kushte dhe reforma sikurse edhe vendet e tjera që sot janë kandidate për në BE, ose anëtare të Unionit. Në veçanti duhen ndërmarrë ato reforma që kanë të bëjnë me BE-në dhe që kanë lidhje me përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe”, deklaroi për mediat Sekui. Përfaqësuesi i lartë i BE-së në vendin tonë u shpreh se progres-raporti është një pasqyrim i zhvillimit të vendit dhe shprehu bindjen se nëse do të ketë konsensus midis palëve, Shqipëria mund të firmosë edhe fillimin e negociatave. “Ne jemi të sigurt se Shqipëria i ka kapacitetet të firmosë standarde të larta për çeljen e negociatave për anëtarësim. Kërkohet përgatitje rigoroze për disa fusha ku duhet të arrihet konsensusi. Më lejoni të them se raport-progresi është mjet i rëndësishëm për rrugën drejt BE. Tregon rrugën që duhet ecur përpara në rrugën drejt integrimit europian dhe në fakt raporti i progresit duhet parë si element bashkues, dhe jo si element ndarës”, tha ai. Pavarësisht kritikave për mungesën e dialogut, ambasadori Sekui, në vijim edhe të fjalës së komisionerit Fyle, u shpreh se ka sinjale pozitive për rifillimin e dialogut për të pasur një nivel bashkëpunimi me qëllim ecjen përpara të procesit. Bashkimi Europian këto ditë ka intensifikuar takimet me Kryeministrin Berisha dhe me kryesocialistin Rama, ku kanë diskutuar për përfundimin e ngërçit politik dhe për nisjen e bashkëpunimit të përbashkët. Trojka e ambasadorëve ka përsëritur vazhdimisht kërkesën për nisjen e punës për reformën zgjedhore me qëllim përmirësimin e problemeve zgjedhore që u shfaqën në dy zgjedhjet e fundit parlamentare.
LUIS TANUSHI
© Panorama.al











