Berisha: PS ta çojë paktin në OSBE, ose ta votojë me ne

Oct 10, 2011 | 10:52
Berisha dje në Korçë

Maxhoranca i kërkon opozitës që të mos përdorë votën e saj në Parlament për të bllokuar integrimin e vendit. Kryeministri Sali Berisha ishte dje në Korçë, ku inauguroi përfundimin e rrugës Lapidar-Koritë-Liqenas me gjatësi 20 km dhe vlerë 516 milionë lekë, ku foli edhe për paketën prej 10 pikash të propozuar nga opozita. Sipas kreut të shumicës, alternativat për këto propozime janë dy, të dërgohen në OSBE dhe të merret mendimi i Prezencës, ose të votohen së bashku me maxhorancën në komisionin parlamentar. “Zotëria i tij ka paraqitur paktin e quajtur të 10 pikave. Po, ne jemi plotësisht dakord për reformën zgjedhore, sepse ne e respektojmë opozitën. I themi të shkruajë të gjitha amendamentet, për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHIR-it dhe ne i votojmë në Parlament, pasi të marrë mendimin e tyre, ose ejani të ulemi e t’i bëjmë bashkë, me konsensus, siç kemi punuar më përpara, me ekspertë ndërkombëtarë e t’i votojmë ato”, u shpreh kreu i qeverisë. Duke u ndalur te një prej propozimeve të PS-së, ndryshimi i rregullores së Kuvendit, Berisha tha se ajo nuk do të bëhet rregullore për të bllokuar Parlamentin. “Por nëse mendon se janë prekur të drejtat e liritë tuaja, merr rregulloren e Parlamentit Europian ta ballafaqojmë dhe unë ju them se jam i vendosur në çdo nen ta ndryshojmë atë, në rast se ka mungesa. Por ai nuk e ka hallin tek këto, sepse këto nuk i duhen, se do të humbasë dhe zgjedhjet e vitit 2013, nuk ka çfarë t’u thotë e do të thotë se nuk kishim bërë reformën. Ai nuk do reformën”, tha më tej Kryeministri. Sipas tij, Partia Socialiste megjithëse premtoi pas zgjedhjeve të 8 majit se do të votojë të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, pas kthimit në Parlament nuk ka dhënë votat për asnjërin prej tyre. “Pas disfatës së 8 majit, kreu i opozitës u deklaroi zgjedhësve të tij se tani do të votojmë ligjet në Parlament, se do të bëjmë gjithçka për integrimin, se nuk do ta pengojmë më integrimin e do të ndjekim politikë konstruktive. Por, të dashur qytetarë të Korçës e Shqipërisë, nuk kanë votuar asnjë ligj, kanë të njëjtin qëndrim me atë që kanë mbajtur më parë, sepse nisen nga një parim, sipas të cilit, e keqja juaj, e keqja e gjithsecilit, e mira e tyre. Kjo përbën një problem, por ju garantoj se kjo mund ta ngadalësojë, por nuk mund ta pengojë kurrë procesin e integrimit”. Nga zona e Korçës ku inauguroi një rrugë që lidh disa fshatra, kreu i ekzekutivit iu përgjigj disa zërave që e cilësojnë Partinë Demokratike si parti fshatare. “Për kohë e kohë të tëra, ju e deklaruat Partinë Demokratike si parti fshatare. Dua t’ju garantoj se unë krenohem me secilin prej jush e me çdo fshatar e fshatare të këtij vendi, kudo që ndodhet dhe askush nuk më komplekson dot mua. Origjina ime është fshatare. Unë njoh shumë mirë lumenjtë e djersës e të mundit që ju derdhni çdo ditë, për të mbajtur familjet tuaja. Më duhet t’u them këtyre shokëve se këtë radhë, në qytetet e këtij vendi keni marrë 43 mijë vota më pak. Mos i ndani qytetarët!”, u shpreh Berisha.

Investimet malore, 7 vjet pa taksa
“Qeveria shumë shpejt do të kalojë një ligj, sipas të cilit, çdo investim për qëllime turistike në zona malore do të jetë për 7 deri në 8 vjet i përjashtuar nga të gjitha taksat. Kjo është një mënyrë për të nxitur e stimuluar zhvillimin e tyre. Të mos harrojmë se pas përfundimit të rrugës Tiranë-Elbasan dhe rrugës Qafë-Plloçë/Qukës, Dardha, në lartësinë 1600 metra, do mund të arrihet nga Tirana në një kohë përafërsisht 2 orë-2 orë e 15 minuta. Po kështu edhe zona të tjera”, u shpreh Berisha gjatë qëndrimit në një hotel në Dardhë.

Dhorjela Demkolli

© Panorama.al

Te lidhura