
TIRANE- Zhvillimet e fundit në Maqedoni kanë qenë në qendër të diskutimit që kryeministri Sali Berisha ka patur me Kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi. Thaçi ka zhvilluar një vizitë në Tiranë, ku është pritur nga kreu i qeverisë, i cili ndër të tjera theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka implementimi i plotë i kërkesave të marrëveshjes së Ohrit, si kusht themelor për stabilitetin, bashkëjetesën dhe bashkëpunimin midis komuniteteve në Maqedoni dhe për ta zhvilluar këtë vend si një shoqëri multietnike.
Duke iu referuar vrasjes së pesëfishtë, në takim u ripohua qëndrimi në mbështetje të plotë të të gjitha përpjekjeve për zbardhjen e këtij krimi të shëmtuar dhe vendosjen e autorit apo autorëve të tij para drejtësisë, por u theksua edhe një herë shqetësimi se çdo lloj përpjekjeje dhe spekulimi, duke i veshur këtij krimi të shëmtuar shkaqe etnike apo të tjera, nuk i shërben aspak paqes e stabilitetit dhe një shoqërie të vërtetë multietnike, e cila ka si objektiv madhor integrimet euroatlantike.
Çdo lloj fryrje e fibrës nacionaliste maqedonase nuk kontribuon në asnjë zgjidhje të situatës dhe ecjen përpara me këto objektiva madhore, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Kryeministri ka vlerësuar rolin e partive politike shqiptare në Maqedoni në shërbim të qetësimit të situatës dhe promovimit të bashkëpunimit mes komuniteteve.
© Panorama.al











