
TIRANE- Kreu i qeverisë, Sali Berisha gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës që shënon 33 vjetorin e pontifikimit të Papa Gjon Palit të II-të, tha se Papa Vojtila është një nga miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve në tërë historinë.
Mesazhi i tij për popullin polak dhe jo vetëm, por për të gjithë popujt e tjerë; “Mos kini frikë” do të mbetet thirrje e përjetshme për liri, për të gjithë popujt që vuajnë nga regjimet shtypëse, tha kryeministri.
“Për shqiptarët, Papa Gjon Pali i II-të është një miqtë më të mëdhenj më të cmmuar në tërë historinë. Në takimin tonë të parë në vitin 91, në selinë e shenjtë do të më rrëfente se ai lutej çdo ditë për Shqipërinë. Askush asokohe nuk kishte ndjekur më me vemendje me përkushtim tragjedinë e madhe të shqiptarëve nën regjimin e Enver Hoxhës”- tha kryeministri.
Vizita e tij një ditore në Shqipëri, ka qenë unike, shtoi më tej Berisha duke thënë se ndjenjat e tij miqësore ndaj Shqipërisë do t’i dëshmonte duke zgjedhur Shqipërinë për vizitën e tij në Ballkan.
Ekspozita është hapur sot në qendrën kulturore Don Bosko me mbështetjen e ambasadës polake, për të shënuar pontifikimin e Papa Gjon Palit të II-të.
Ekspozita përbëhet nga 70 fotografi të cilat kanë fiksuar momente nga vdekja e Papës dhe reagimin e opinionit botëror.
© Panorama.al











