
Kryeministri Berisha i dha dje përgjigje kërkesës së PS-së për heqjen e TVSH-së për disa prodhime bujqësore.
Gjatë një turi përurimesh në qarkun e Beratit, Kryeministri u shpreh se qeveria që ai drejton nuk do të heqë TVSH-në për bujqësinë. “Krerë të opozitës shqiptare, për të sulmuar qeverinë, kërkojnë heqjen e TVSH-së për prodhimet tuaja. Qëllimi i tyre është nga më të ligët që mund të ekzistojnë. Qëllimi është që juve t’ju mbeten prodhimet në fushë, dhe kjo vetëm e vetëm që ju të ktheheni kundër e të mos votoni për qeverinë, por kjo nuk do të ndodhë kurrë. Ne nuk e heqim TVSH-në për prodhimet tuaja. Ne nuk e heqim sepse në Europë, për çdo kokë lopë, fermerët marrin çdo ditë tre euro subvencion dhe sigurisht që atij ia del të shesë qumështin më lirë, sepse merr subvencionin. Në Europë, për çdo hektar grurë marrin pothuajse aq sa ç’është çmimi i grurit”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë tha se do të mbështesë prodhimin vendas të fermerëve. “Sipas këtyre zotërinjve, ne do të mbushim tregun, ndërkohë kur ata kanë TVSH, me prodhime të huaja dhe të lëmë në fushë prodhimet tona. Nuk e bëjmë këtë edhe për një arsye tjetër. Ju jeni njerëz të punës dhe i kuptoni mirë këto gjëra. Sot, në Shqipëri, 51% e popullatës jeton në fshat. Sot, në Shqipëri, njësoj si në çdo vend tjetër të Europës, të ardhurat për frymë të popullsisë në qytet janë qartësisht më të larta se sa në fshat. Atëherë, çfarë duhet të bëjmë ne? Ta thellojmë më tej këtë pabarazi? Të bëjmë që produktet tuaja të shiten për 5 lekë në treg? Jo, ne nuk e bëjmë këtë”, u shpreh Berisha. Sipas tij, heqja e TVSH-së do të ishte një shkatërrim për fermerin shqiptar. “Ne nuk e heqim TVSH-në për importet, siç kërkojnë shokët e Partisë Socialiste. Nuk e bëjmë sepse në mënyrë absolute, asnjë nga këta biznesmenë nuk e ul çmimin. Përkundrazi, çmimi mbetet aty ku është. Prodhimet tuaja dëmtohen, të ardhurat tuaja zvogëlohen, rriten të ardhurat e klaneve dhe të atyre që ka shndërruar partia vetë në parti të biznesit dhe asgjë tjetër”, u shpreh Berisha.
Akuzat
Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij para banorëve të komunave të Beratit, tha se kundërshtari i tij politik po ecën me politikën e bllokimit, dhe jo atë të bashkëpunimit. “Ju garantoj se do të vazhdojmë së bashku, kemi një pengesë me ligjet që kërkojnë tre të pestat, por ato janë jo më shumë se 3 deri në 5% e ligjeve. Nuk kemi asnjë pengesë të ndërtojmë këtu në Sinjë, këtu në Mbreshtan, të ndërtojmë Europën më të bukur, të ndërtojmë Sinjën e zhvilluar, Beratin e zhvilluar, Shqipërinë e zhvilluar. Ndaj, le ta vazhdojmë ne këtë udhëtim edhe me pengesat që na nxjerrin, të cilat ne do t’i zgjidhim në mënyrën më demokratike. Në maj ishte prova më e madhe e demokracisë. Më 8 maj shqiptarët votuan dhe i dhanë politikës më të madhe të bllokimit ndëshkimin më të madh ndonjëherë në historinë e zgjedhjeve vendore, 141 mijë vota më pak. Zotëria bërtet përse po i ikin qarqet. Por qarqet po ikin se janë 141 mijë shqiptarë që kanë votuar më shumë për aleancën e maxhorancës. Zotëria shkruan ‘Kurbanin’, por sigurisht, po bllokove Tiranën, tiranasit votojnë për të gjithë shqiptarët, të japin mësimin e merituar. Nuk ka shqiptar që e voton politikën e bllokimit, nuk ka shqiptar, i çdo bindjeje qoftë”, u shpreh Berisha. Në qarkun e Beratit, Kryeministri përuroi dje rrugën fshat Mbreshtan-Sinjë, me gjatësi 10.1 kilometra, gjerësi 4 metra dhe vlerë 131 milionë lekë, prej së cilës do të përfitojnë 5500 banorë të zonës, por dhe përfundimin e rikonstruksionit të rrugës nacionale “Lapardha 2”, me gjatësi 3.5 km, gjerësi 6 metra dhe vlerë investimi 67 milionë lekë.
Edi Rama
Kryesocialisti Rama iu përgjigj Kryeministrit Berisha lidhur me TVSH-në për prodhimet bujqësore. Në adresën e tij në Twitter, Rama shprehet se Berisha gënjen kur thotë se kërkojmë heqjen e TVSH-së së produkteve bujqësore. “Jo Sali, ti gënjen! Do heqim taksën e bukës, qumështit, vezëve, ilaçeve, jo TVSH-në e produkteve të tokës në fshat. Fshatit do t’i heqim TVSH-në e imputeve bujqësore, sepse fshati po mbytet dhe s’e shpëtojnë dot shiritat e përurimeve”, u shpreh dje Rama në përgjigje të deklaratave të Kryeministrit Berisha në Berat.
Erjon Braçe
Edhe deputeti i qarkut të Beratit, Erion Braçe, në Facebook iu përgjigj Kryeministrit. “Sali Berisha gënjen në Berat. Tha: Rama do të heqë TVSH-në e produkteve bujqësore që vijnë nga importi! E vërteta: PS ka paraqitur dy nisma: e para, heqjen e TVSH për bukën, qumështin, vezën, ilaçet; e dyta, reduktimin në 6 për qind nga 20 që është, e energjisë! Asnjë nen për heqjen e TVSH-së për domate, tranguj, patate etj., që vijnë nga importi! Ne do rimbursojmë TVSH-në 20% për çdo imput që përdoret në bujqësi!! Ndaj Berisha është çmendur!”, përgjigjet Braçe.
Berat/Dilaver Xhelili
© Panorama.al











