Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ndërhyri te Gjykata Kushtetuese dhe bllokoi pezullimin e “bashkëhajdutes” së tij Belinda Balluku.
Ai shtoi se kjo nuk kishte ndodhur kurrë në histori dhe me këtë vendim tani ata do vazhdojnë të vjedhin sepse morën “licencën”. Gjithashtu kreu i selisë blu denoncoi se ka edhe një vend tjetër ku vidhet më shumë nga “Lubia” dhe ai është “kopshti privat” i kryeministrit, AKSHI.
“Cilido të jetë çmimi ne do ta paguajmë, por s’e pranojmë kurrë këtë hajdutë, që i ka para të vjedhura të taksapaguesve shqiptarë, ky hajdut që vetëm vjedh. Ka transportuar para me avionë. Ky hajdutë që lë të sëmurët pa ilaçe, në mëshirë të fatit dhe thotë se janë shumë, ky hajdut që ka kopshtin e Edenit me 5,4 mln euro, kurse fëmijët shqiptarë enden rrugëve të botës. Bllokon me gjykatë pezullimin e bashkëhajdutes, s’ka ndodhur kurrë në historinë e botës dhe vazhdojnë tani të vjedhin e të vjedhin çdo ditë”, tha ai para mbështetësve opozitarë në shesh.
Berisha lëshoi edhe një mesazh paralajmërues për kreun e mazhorancës dhe forcën e tij politike, duke u thënë se sikur paraardhësit e tyre më 1991 u arratisën tuneleve të Enver Hoxhës dhe përdorën autoblinda, ashtu do të arratisen edhe këta sot.
“Atë që kanë provuar në vitin 1991 kur iknin nga tunelet e Enver Hoxhës me autoblinda, do ta provojë, ua siguroj, po, po, ka provokuar gjithçka, nuk ka pasur provokator më të keq se ai”, vijoi lideri i opozitës.
Kryedemokrati më tej kaloi tek një denoncim tjetër, i ngjashëm me abuzimet që sipas tij ka kryer zv/kryeministrja Balluku, por shumë herë më i madh në vlera sesa ato të saj.
“Lubia jo të gjitha i ka vjedhur me Ramën, por ajo nuk ka vjedhur asgjë në krahasim nga ato që ka vjedhur ajo Linda tjetër te “kopshti privat” i Ramës. Ajo Mirlinda (Karçanaj) ka të gjithë kopshtin e Edi Ramës (AKSHI), atje janë dosjet, Linda tjetër, jo ajo e AKSHIT, por Linda e tij, diktonte tenderat. Baxhanaku vodhi miliona. Aty janë dosjet, ku edhe drejtori i saj u rrëmbye dhe u mbajt në bodrumet e Suel Çelës dhe mezi doli i gjallë, për të fshehur krimet e Edi Ramës dhe vjedhjet e tij”, tha Berisha.
Në fund ai apeloi për të gjithë qytetarët që më 22 dhjetor të mblidhen në shesh për të rrëzuar qeverinë në protestën kombëtare.
© Panorama.al











