
Seanca e djeshme parlamentare nuk kurseu batutat, replikat, diskutimet dhe akuzat e ndërsjella mes kampeve politike gjatë diskutimit të buxhetit faktik 2010. Kreu i qeverisë gjatë fjalës së tij për këtë buxhet u ndal në një sërë pikash dhe arritjesh të vitit të kaluar. Kurse opozita nga ana tjetër, përveçse ka kundërshtuar çdo fjalë të tij, ka qenë e vëmendshme sidomos për të matur kohën që mori Kryeministri për të folur. Deputeti Erion Braçe akuzoi se koha nuk po mbahej siç duhej dhe po abuzohej, duke theksuar se Kryeministri kishte marrë më shumë se 30 minuta për të folur.
Berisha
“Socialistët e vërtetë jemi ne dhe jo ju”, u shpreh kreu i qeverisë dje në fjalën e tij, një shprehje që acaroi opozitën. Kjo deklaratë e Kryeministrit erdhi gjatë mbrojtjes që po i bënte buxhetit të vitit të kaluar dhe kjo e specifikuar për faturën sociale që qeveria ka paguar një vit më parë. “Ka një tregues shumë të rëndësishëm për shpërndarjen e të ardhurave. Fatura sociale që ju paguanit ishte 6 për qind e GDP-së dhe fatura sociale që ne paguajmë, me një GDP disa herë më të madhe, është 9 për qind e Prodhimit të Brendshëm. Nuk ka diskutim se fytyra njerëzore e qeverisjes është edhe shtylla e parë e buxhetit”, u shpreh Kryeministri. Nga ana tjetër, ai nuk harroi të përmendte edhe rritjen e fondit për subvencionimin e ilaçeve që ka ndërmarrë qeveria, krahasuar me kohën kur në pushtet ishte opozita aktuale. Rritja e pagave dhe pensioneve, ishte një tjetër pikë ku Berisha u ndal për ta koleksionuar te sukseset e vitit të kaluar, duke theksuar se i njëjti ritëm dhe prioritet u mbajt dhe në vijim. “Në 8 vite që ju qeverisët keni vendosur në rrogat e pensionet vetëm 13 miliardë lekë, ndërsa sot janë vendosur vetëm në pensione 56 miliardë lekë. Ju keni pasur një fond pensionesh prej 50 miliardë lekësh dhe sot ky fond është 106 miliardë lekë”, tha Kryeministri.
Ruçi
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, në fjalën e tij pas asaj të Kryeministrit hodhi poshtë të gjitha ato që u quajtën si arritje të vitit 2010, duke sjellë në vëmendje rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe ilaçeve. Ai akuzoi qeverinë se është shkaktarja kryesore për atë që po paguajnë sot shqiptarët dhe se duhet të japë llogari për situatën. Duke iu referuar taksës së TVSH-së dhe asaj që paguajnë çdo ditë qytetarët për të blerë ushqime, Ruçi akuzoi se kjo qeveri nuk ka aspak fytyrë sociale. Duke renditur një sërë produktesh bazë të shportës dhe rritjes që kanë pësuar ato ndër vite, ai theksoi se kjo prek pjesën më të madhe të qytetarëve. Deputeti socialist sulmoi Kryeministrin edhe për situatën në shëndetësi, e cila sipas tij, lë shumë për të dëshiruar dhe se duhet të jetë më i shqetësuar për këtë sektor, për shkak edhe të së kaluarës si mjek. “Elementi i dytë ilaçet, je mjek. Dhe shqiptarët të mbajnë mend në atë kohë si mjek shumë të mirë, shumë të talentuar. Por, shqiptarët nuk ta falin kurrë Sali Berisha që të rrish 15 vjet në krye të shtetit shqiptar dhe ta çosh shëndetësinë një shekull mbrapa. Kjo është mjekësia jote. Ti duhet të japësh llogari para shqiptarëve! S’ka çarçaf, s’ka batanije, s’ka ilaçe, s’ka serume, s’ka doreza. Korrupsioni me ilaçet është galopant. Këtë nuk ta falin, në ndonjë sektor tjetër mund ta falin”, u shpreh Ruçi.
Debati në Kuvend
Kryeministri Berisha: Kam qenë i ulur në këto banka në opozitë dhe kisha vetëm një pyetje: Ku shkojnë paratë e shqiptarëve? Dhe unë i gjeja ato në rrogat stratosferike të ofiqarëve, në rrugë që nuk ndërtoheshin kurrë, në çakëll që hidhej në lumë e jo në rrugë, në tavane që binin edhe në kryeqytet. Por, ku janë sot paratë e shqiptarëve? Zotërinj deputetë, kontrolloni fondin e pensioneve sot. Ai është 106 miliardë lekë. Sot nuk ka pensionist në qytet me të ardhura pensionale nën 120 dollarë. Sot nuk ka pensionist në fshat që së bashku me të ardhurat pensionale nuk mer mbi 110 për qind të asaj që merrte pesë vite më parë. Socialistë jemi ne në të vërtetë, jo ju. Ka një tregues shumë të rëndësishëm për shpërndarjen e të ardhurave. Gjejeni treguesin Gini, për të parë se ku ndodhemi. Nuk është identik, por shumë i përafërt me gadishullin Skandinav. Dhe kjo, sepse fatura sociale që ju paguanit ishte 6 për qind e GDP-së dhe fatura sociale që ne paguajmë, me një GDP disa herë më të madhe, është 9 për qind e Prodhimit të Brendshëm. Nuk ka diskutim se fytyra njerëzore e qeverisjes është edhe shtylla e parë e buxhetit.
Gramoz Ruçi: Ti nuk ke të drejtë për atë që duhet të japësh llogari, të kërkosh llogari. Është shumë e saktë fjalia: “Fytyra njerëzore e qeverisë është buxheti”. Po! Kjo është e vërteta. Atëherë më lejo të të them se qytetarët shqiptarë z.Kryeministër, nëse ju referohemi vetëm dy elementëve nga mbushet buxheti, jo dhe nga realizohen ato që ti i numëron si suksese të tua, por edhe xhepat e fryrë tuajat me korrupsion, nga mbijetesa e shqiptarëve shikohen dy elementë, nga ushqimi që hanë dhe nga ilaçet që kurohen. Atëherë ç’t’i them unë qytetarit që iu drejtove ti, kur duhet t’i japësh ti llogari. Pse litrin e vajti ia ke bërë 2500 lekë, kur e gjete 900 lekë? Kjo është llogaria që duhet të japësh. Çfarë t’i them unë qytetarit që energjinë e kishte 50.5 lekë, sot e ka 100.2 lekë? Elementi i dytë ilaçet, je mjek. Dhe shqiptarët të mbajnë mend në atë kohë si mjek shumë të mirë, shumë të talentuar. Por, shqiptarët nuk ta falin kurrë Sali Berisha që të rrish 15 vjet në krye të shtetit shqiptar dhe ta çosh shëndetësinë një shekull mbrapa. Kjo është mjekësia jote. Ti duhet të japësh llogari para shqiptarëve! S’ka çarçaf, s’ka batanije, s’ka ilaçe, s’ka serume, s’ka doreza. Korrupsioni me ilaçet është galopant. Këtë nuk ta falin, në ndonjë sektor tjetër mund ta falin. Kjo është llogaria që ti duhet të japësh para shqiptarëve. Ky është buxheti yt, kjo është fytyra e vërtetë e qeverisë tënde. Për këtë duhet të jepje llogari, jo të kërkoje llogari.
Kryeministri Berisha: Së pari, me deklarata nuk mund të ndikohet sadopak respekti im për opozitën. Pushtetin e saj, rolin e pazëvendësueshëm të saj, unë e kam vlerësuar dhe e vlerësoj, në mënyrë të palëkundur, pavarësisht nga çdo qëndrim që ajo mban. Në konceptin tim opozita është sovrane, pastaj për qëndrime ajo është përgjegjëse të bëjë zgjidhjen e vet. Por, duke thekuar sovranitetin e opozitës si kushtin më vendimtar për t’u respektuar unë nuk merrem me qëndrimet e saj. Këtu ju sërish më ndihmuat shumë dhe unë këtë ndihmë se dua.
Pandeli Majko: Kryeministri aktual i Shqipërisë e filloi diskutimin duke thënë se një shkencëtar i njohur, Steve Jobs, ka vdekur. Është komplet jashtë teme, por meqë Kryeministri kujtoi Jobsin dhe mollët e tij, më lejoni t’ju kujtoj dhe unë një rast vdekjeje të një grupi muzikantësh që shërbenin në anijen titanik. U njohën si heronj, sepse kur anija po mbytej vazhduan t’iu binin veglave për t’iu dhënë zemër njerëzve. Sot, këta që kemi pas janë e kundërta e tyre, për t’i bëre qejfin atij që e quajnë Kryeministër vazhdojnë t’i bien qemanes, ndërkaq që vërdallë ne e dimë shumë mirë që “Titaniku” ynë po fut ujë dhe ajsbergun ka përballë, por ky miku ynë vend dhe na thotë që nuk është ajsberg është akullore, gëzoni. Zoti Kryeministër sot duhet të kishit ardhur me seriozitet pa e filluar me Steve Jobsin, por t’i kishit thënë ngadalë, qetë e me seriozitet këtij Parlamenti që ju besoi buxhetin e vitit 2010: Kaq fonde na miratuat, kaq fonde shpenzuam kemi këto risqe. Kemi dy fqinj ku ne eksportojmë mallin kryesor, fuqinë punëtore, që janë në krizë dhe risku mbetet i lartë për ekonominë shqiptare. Në fund të fundit, ç’është buxheti faktik, një Kryeministër, një qeveri, një Parlament ballafaqohen me atë që është bërë dhe jo. Por, ti mor zotëri vjen këtu me reklamacione jo jam socialist, jo jam kështu, po jam ashtu, s’të ka caktuar Kushtetuta të bësh opozitën e opozitës. Je Kryeministri i vendit, mbaj vendin që të takon. Je dhe burrë i vjetër në moshë, nuk ke nevojë të bësh deklarata të natyrave që të bëjnë të qeshësh dhe vetë. Fole këtu për pensionistët, por lëri rehat në punë të tyre dhe nuk ke pse na vë në pozitë të vështirë duke thënë se nuk kujdeseni ju për shtresën sociale të pensionistëve. Por, meqë ra fjala, për shtresat që mbrojmë apo s’mbrojmë ne socialistët. A e ke pyetur ministrin e Financave? A i ke pyetur ministrat për relacionin që kam shkuar për këtë buxhet 2010, që është viti i parë i pushtetit pas marrjes në 2009, sa është borxhi? Se keni folur për borxhin publik. Po a e keni parë sa është borxhi për pronarët? Po flasim për pronarët e vjetër, jo për ata të rinj. Sa është borxhi që shteti shqiptar duhet t’iu njohë të përndjekurve, apo nuk quhen borxhe këto?
NERTILA MAHO











