TIRANE- Reforma zgjedhore, rregullorja e Parlamentit dhe adresimi i rekomandimeve të Komisionit Evropian janë çështjet kryesore ku duhet përqëndruar vëmendja e të gjitha forcave politike.
Ky ishte qëndrimi i kryeministrit, Sali Berisha gjatë bisedës që pati me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sannino, i cili vizitoi sot Shqipërinë. Kryeministria ka zbardhur takimin mes Berishës dhe Sanninos, i cili shoqërohej edhe nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui.
Gjatë takimit Berisha e ka cilësuar anatërësimin në BE si projektin më madhor të shqiptarëve, duke shprehur vendosmërinë e qeverisë së tij për të realizuar të gjitha reformat dhe për të plotësuar të gjitha standartet që kërkon ky proces.
Duke i vlerësuar si program pune për qeverinë e tij, rekomandimet e Komisionit Evropian, kreu i qeverisë ka nënvizuar faktin se është në interesin e të gjitha forcave politike por në mënyrë të veçantë të qytetarëve shqiptarë që të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar të votohen me konsensus.
Siç citon zyra e shtypit, Sannino e ka falënderuar kryeministrin Berisha për gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar në mënyrë transparence e të hapur me opozitën për çuarjen përpara të këtyre proceseve shumë të rëndësishme.
© Panorama.al











