Kryeministri Sali Berisha ka prezantuar ditën e djeshme kandidatët e koalicionit të djathtë për bashkinë e Cërrikut, Servet Duzha, dhe të Manzës, Bujar Huqi.Gjatë takimit me qytetarët, kreu i maxhorancës premtoi investime për katër vitet e ardhshme, duke garantuar se do të mbështesë financiarisht kryebashkiakët e këtyre zonave. Në fjalën e tij, kryeministri bëri sërish thirrje për qetësi në fushatën elektorale. “Iu bëj thirrje drejtuesve të forcave politike të heqin dorë nga fjalët e kazanit, sepse ato nuk pajtohen me moralin, me vlerat, me fjalorin qytetar. Të shmangim çdo lloj nxitje, të bëjmë gjithçka që kjo fushatë të jetë fushata më europiane që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë”, u shpreh kryeministri. Sipas tij, “8 maji është prova jonë, prova madhe e qëndrimit tonë ndaj lirisë, ndaj dhe unë iu bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që në këto zgjedhje të shkojmë si njerëz të qytetëruar, si burra dhe gra, si djem dhe vajza që kemi respekt të plotë për votën e lirë, për votën e tjetrit. Iu bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të shmangim çdo lloj dhune, çdo lloj eksesi, çdo lloj tensioni. Flamujt e partive politike janë flamujt e pluralizmit shqiptar dhe ne jemi qytetarët e pluralizmit, ne e duam pluralizmin politik dhe e konsiderojmë atë lokomotivë të zhvillimit, lokomotivën e demokracisë shqiptare”. Kryeministri nuk la pa përmendur edhe kundërshtarin e tij politik Edi Rama dhe sloganin e koalicionit të majtë “E vetmja rrugë”. Sipas tij, rruga e propozuar nga opozita është pa kthim, teksa kujtoi edhe njëherë qëndrimin e mbajtur nga PS lidhur me procesin e liberalizimit të vizave. “Alternativë, e cila bën gjithçka që të ndryjë në kuti vizat tuaja, lëvizjen tuaj të lirë, alternativë, e cila bën gjithçka që të bllokojë procesin e integrimit tuaj në BE. Alternativa e rrugës së vetme është alternativa e së shkuarës, alternativë që nuk ka të ardhme. Kjo është rrugë pa kthim. I ftoj qytetarët e të gjitha bindjeve që t’ia lëmë shokut Edi Rama këtë rrugë, se duke ecur do të gjejë Ramizin, pak më tutje do të takojë Enverin, kurse ne jemi të betuar të mos e pranojmë kurrë të shkuarën, por të ardhmen tonë”, u shpreh më tej kryeministri.
Rruga Tiranë-Elbasan
“Shqipëria, këto vite, me mundin, djersën tuaj, me punën tuaj, ia doli të ndërtojë veprat më të mëdha të kohërave. Në fund të këtij muaji nisin punimet e autostradës Tiranë-Elbasan, e tunelit të Kërrabës, me të cilën Elbasani dhe ju bashkoheni pothuaj me Tiranën. Autostrada shkurton mbi dy herë kohën tuaj për në kryeqytet, prodhimet tuaja për në tregun madh, valorizon mbi dy herë vlerat, tokën dhe pasuritë tuaja”, u shpreh Berisha në Cërrik.
Në Manzë
Gjatë takimit në Manzë, kreu i maxhorancës tha se “krahas kësaj alternative, në Shqipëri po endet alternativa e rrugës së vetmisë. Nuk kam ndër mend të harxhoj qoftë edhe 30 sekonda me kundërshtarët e mi, me disfatat e tyre dhe alternativën e tyre. Por këtu nga Manza, do t’i them kryetarit të Partisë Socialiste: Shoku Edi, vrapo sa të mundësh në rrugën tënde të vetme, shtëpia e së shkuarës po të pret dhe ka hapur dyert për ty”.
MIRANDA SADIKU
© Panorama.al











