
Kreu i qeverisë dhe aleati i tij kryesor, kreu i LSI-së, bashkë në një takim informal.
Shpeshtohen kontaktet dy ditë para vendimit të Gjykatës.
Takimet publike midis Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, po bëhen më të shpeshta, vetëm dy ditë para vendimit të Gjykatës së Lartë. Pas darkës në shtëpinë e Ilir Metës, Kryeministri Berisha u takua sërish dje paradite me ish-zv.kryeministrin, njëherësh aleatin e tij kryesor, në hotel “Rogner”. Ndryshe nga darka e së enjtes, kësaj radhe bashkëbiseduesit kanë zgjedhur kafen për të shkëmbyer mendime dhe opinione rreth ngjarjeve politike të ditës. Larg zyrave të qeverisë apo të partive, të shtunën në mesditë, në një vend publik në qendër të Tiranës, i cili frekuentohet shpesh nga njerëzit e medias, Berisha dhe Meta konfirmuan sërish aleancën e tyre dhe mbështetjen reciproke. Takimit informal i është bashkuar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili ka mbërritur pak më vonë në ambientet e hotelit. Të pranishmit kanë hyrë rreth orës 13:00 në “Rogner” dhe kanë qëndruar për më shumë se një orë e gjysmë së bashku për kafe. Në tryezën e djeshme ishin të pranishëm dhe pronarë mediash, botues të rëndësishëm dhe gazetarë të njohur të ekranit. Të parët që kanë dalë kanë qenë Kryeministri Berisha dhe kryebashkiaku Basha. Ndërkohë që shefi i qeverisë ka përshëndetur nga xhami i makinës gazetarët që prisnin jashtë ambienteve të “Rognerit”. Pak më vonë ka dalë dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta. Asnjë nga politikanët nuk ka dhënë deklarata për mediat, edhe pse gazetarët po i prisnin në ambientet e jashtme të hotelit.
Vendimi i së hënës
Ditën e hënë, Gjykata e Lartë pritet të japë vendimin për videon Meta-Prifti. Daljet e shpeshta midis Kryeministrit dhe aleatit të tij kryesor në qeverisje, Ilir Meta, konsiderohen si një mbështetje publike para vendimit të gjykatës. Ditë më parë në një intervistë, Kryeministri theu heshtjen për gjyqin e aleatit të tij Meta. Berisha nuk nguroi të akuzojë Prokurorinë për mashtrim me dokumentet, që më pas çuan në heqjen e imunitetit të kreut të LSI-së. “Meta i është përgjigjur në mënyrën më të civilizuar kërkesës së Gjykatës së Lartë, i ka shprehur besimin asaj dhe nuk ka pasur asnjë paragjykim. Ka pasur probleme të drejta me Prokurorinë, e cila ka mashtruar Parlamentin me dokument, por ky është kapitull tjetër. Pavarësisht nga kjo, nuk ka asnjë keqardhje nga heqja e imunitetit të Metës, sepse të dhënat e mëvonshme kanë faktuar katërcipërisht se Parlamenti është mashtruar, nuk iu tha e vërteta për ato çështje. Por kjo s’ka rëndësi. Është Drejtësia që e nxori këtë problem. Këtu mendoj se qëndrimi i Metës i bën nder atij si politikan. Pranimi i Gjykatës për ta shqyrtuar në materie çështjen i bën nder shtetit ligjor, i bën nder integritetit të saj”, deklaroi Kryeministri.
Rikthimi në qeveri
Përfundimi i procesit gjyqësor për video-përgjimin do të jetë vendimtar për rikompozimin e kabinetit qeveritar dhe rikthimin e Ilir Metës. Kreu i LSI-së nuk është shprehur publikisht për këtë çështje, por në daljet e tij ka lënë të kuptohet se çështja e rikthimit mund të diskutohet pas vendimit përfundimtar të gjykatës. Shefi i qeverisë ka theksuar se vendimi i Drejtësisë do të pranohet, cilido qoftë ai, për çështjen Meta. Sipas Berishës, kërkesa për t’u rikthyer në kabinetin e Këshillit të Ministrave është një çështje që do të vendoset nga forca aleate. “A do të jetë Meta pas vendimit të Gjykatës në qeveri apo jo, kjo është çështje e LSI-së dhe jo çështje e imja. Është çështje e asaj partie aleate me të cilën unë bashkëqeveris”, ka deklaruar Berisha.
Familja Meta
Kryeministri, i pyetur nga gazeta “Panorama” për takimin me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim ditën enjte, u përgjigj: “Unë takohem rregullisht me zotin Meta një herë në tri- katër ditë, si partneri kryesor i koalicionit. Të enjten kisha një ftesë për darkë dhe nuk mund ta refuzoja. Mund t’ju them se darka ishte e shkëlqyer”. Lidhur me menynë e darkës, nëse ajo ishte vetëm ushqimore apo edhe politike, kreu i qeverisë nuk mohoi se në këtë darkë ishte folur edhe për politikë.Vendimi
Më 16 janar, Gjykata e Lartë pritet të japë vendimin për Ilir Metën. Sipas Prokurorisë, ai duhet të deklarohet fajtor për “korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, akuzë e ngritur ndaj tij pas publikimit të një video-përgjimi mes tij dhe ish-ministrit Dritan Prifti. “I pandehuri, Ilir Meta, e ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar”, u shpreh prokurori Bujar Sheshi para Kolegjit Penal.Qëndrimi
Pretencën e Prokurorisë Ilir Meta e ka cilësuar si gjobëvënie politike, pasi sipas tij të gjitha provat e organit të akuzës janë rrëzuar nga Gjykata e Lartë. “Ka qenë një pretencë e mbështetur në asnjë fakt, në asnjë provë, në asnjë dëshmitar. Një pretencë vetëm politike. Shqetësimi im është ky: ligji të respektohet për të gjithë, në rastin konkret, duke filluar nga unë dhe për çdo politikan në këtë vend”, deklaroi Meta.
Ekspertët shqiptarë rrëzuan video-përgjimin
Prokuroria kërkoi dy vjet burg, vendimi për Metës, më 16 janar
TIRANE – Më 16 janar 2012, në orën 13:00, Gjykata e Lartë ka paralajmëruar se do të shpallë vendimin për ish-zv.kryeministrin Ilir Meta. Ai u dërgua i pandehur në Gjykatën e Lartë pas një hetimi të nisur në janar të vitit 2011 nga Prokuroria e Tiranës, e cila më pas e dorëzoi dosjen në Prokurorinë e Përgjithshme. Prokuroria kishte kryer një ekspertizë amerikane mbi video-përgjimin e Dritan Priftit, por Gjykata e Lartë e gjeti të parregullt ekspertizën e parë dhe e përsëriti atë me specialistë shqiptarë. Këta të fundit arritën në përfundimin se materiali kishte mundësi të mëdha ndërhyrjeje dhe gjykata nuk e njohu si provë regjistrimin në fjalë. Një javë më parë, Prokuroria e Përgjithshme, në konkluzionet e saj bazuar në dëshminë e Dritan Priftit, kërkoi dy vjet burg dhe një milion lekë gjobë për Ilir Metën. Avokatët, ndërkohë, kërkuan pafajësi dhe thanë se akuza nuk ka prova. Fjalën e fundit pritet ta thotë Gjykata e Lartë më 16 janar pas mesdite.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











