Berisha: Se heqim TVSH për importin bujqësor

Oct 29, 2011 | 13:16

Foto IlustrueseBERAT- Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka përsëritur nga Berati vendosmërinë e qeverisë për të mbrojtur dhe ndihmuar bujqësinë shqiptare. Ai ka deklaruar se nuk do të ketë heqje të TVSH për bujqësinë, kërkesë kjo e Partisë Socialiste që bëhet vetëm për interesat e tyre klienteliste.

“Krerë të opozitës shqiptare për të sulmuar qeverinë,kërkojnë heqjen e Tvsh-së për prodhimet tuaja. Qëllimi i tyre është nga më të ligët që mund të ekzistojnë. Qëllimi është që juve tu mbeten prodhimet në fushë dhe kjo vetëm e vetëm që ju të ktheheni kundër e të mos votoni për qeverinë, por kjo nuk do të ndodhë kurrë. Ne nuk e heqim Tvsh-në për prodhimet tuaja. Ne nuk e heqim sepse në Evropë, për çdo kokë lopë, fermerët marrin çdo ditë 3 euro subvencion dhe sigurisht që atij ia del të shesë qumështin më lirë, sepse merr subvencionin”- tha Berisha.

Sipas tij, në Evropë, për çdo ha grurë marrin pothuajse aq sa ç’është çmimi i grurit. Ndërkohë, sipas opozites, maxhoranca do të mbushe tregun, ndërkohë kur ata kanë Tvsh, me prodhime të huaja dhe të lërë në fushë prodhimet tona. “Nuk e bëjmë këtë edhe për një arsye tjetër. Ju jeni njerëz të punës dhe i kuptoni mirë këto gjera. Sot në Shqipëri, 51 % e popullatës jeton në fshat. Sot në Shqipëri, njësoj si në çdo vend tjetër të Evropës, të ardhurat për frymë të popullsisë në qytet janë qartësisht më të larta se sa në fshat. Atëherë çfarë duhet të bëjmë ne? Ta thellojmë më tej këtë pabarazi? Të bëjmë që produktet tuaja të shiten për 5 lekë në treg? Jo, ne nuk e bëjmë këtë”- tha ai.

Berisha garantoi se qeveria nuk e heq Tvsh për importet siç kërkojnë shokët e Partisë Socialiste. “Nuk e bëjmë sepse në mënyrë absolute, asnjë nga këta biznesmenë nuk ul çmimin, përkundrazi çmimi mbetet aty ku është. Prodhimet tuaja dëmtohen, të ardhurat tuaja zvogëlohen, rriten të ardhurat e klaneve dhe të atyre që ka shndërruar partia vetë, në parti të biznesit dhe asgjë tjetër”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura