Berisha: Gjithçka për të thithur sa më shumë investitorë të huaj

Nov 25, 2011 | 17:42

TIRANE- “Shqipëria është një Zvicër me det por duhet shumë punë për ta bërë atë një Zvicër të dytë”. Kështu u shpreh kreu i qeverisë, Sali Berisha në hapje të Panairit “Klik Ekspo Group”. Prania e të gjithë këtyre bizneseve këtu, tha kryeministri Berisha është dëshmi e besimit që keni tek ekonomia shqiptare dhe tek Shqipëria.

Berisha tha se “Shqipëria ka ndryshuar me shpejtësi të madhe. Nga një vend i cili para vitit 2005 ka pasur një mesatare të investimeve, 38 milionë dollarë në vit, në një vend ku 3 vitet e fundit ka marrë rreth 1 miliardë dollarë në vit investime të huaja.”

“Investimet e huaja në Shqipëri kanë pasur një rritje prej 316%, ndërkohë që kanë pasur një rënie në botë prej 34%. Vitin e kaluar Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon me rritje të investimeve. Ky ndryshim i shpejtë përcaktohet nga vendosmëria e qeverisë dhe reformat e ndërmarra për të shfrytëzuar lirinë dhe potencialet e saj për biznesin.”- tha Berisha.

Kryeministri solli në vëmendje të gjitha lehtësitë që qeveria e tij ka krijuar për biznesin e huaj, duke shtuar se Shqipëria është një vend me potenciale të jashtëzakonshme dhe se shumë prej potencialeve të saj janë ende të pashfrytëzuara.

© Panorama.al

Te lidhura