Berisha: Gazeta “55” u ngrit në momente kritike për fjalën e lirë

Dec 8, 2012 | 13:57
Dje gjatë ceremonisë për 15-vjetorin e gazetës “55”

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e 15-vjetorit të krijimit të gazetës “55”. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë tha se kjo gazetë u ngrit në momentet më kritike të fjalës së lirë. “Festa e gazetës është festë e fjalës së lirë, është nderim për fjalën e lirë, e cila përbën thelbin e të gjitha lirive të tjera, përbën faktikisht thelbin e dinjitetit të njeriut. Gazeta “55” e ngritur në nderim të sakrificës mbinjerëzore që shqiptarët bënë në 45 vite për fjalën e lirë, e cila në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër, në ligjet barbare të atij regjimi ishte e dënuar me dënim kapital. E ngritur në mirënjohje të thellë ndaj tyre dhe në zotim solemn, se kurrë më në këtë vend nuk do të mund të vendoset censura, ndonëse kjo në momentet më kritike për fjalën e lirë”, u shpreh kreu i qeverisë. Ai vlerësoi rolin e botuesit Balliu, duke thënë: “Shkrimtari, publicisti, dramaturgu i talentuar Fahri Balliu, konstatoi se një kërcënim i madh i kanosej fjalës së lirë në Shqipëri dhe pas saj, natyrisht, lirive të tjera. Nëse ky kërcënim vinte direkt nga përpjekjet e fuqishme të një bote në të cilën shqiptarët ishin ndarë, por që po bënte gjithçka për restaurim”. Sipas tij, “Fahriu sot ka një numër të madh miqsh, por me mijëra të tjerë nderojnë sot gazetën ‘55’, sepse ajo u bë zëdhënëse e mendimit të tyre. Gazeta guxoi kur ata ndoshta dhe nuk guxonin. Gazeta shprehu mendimin e tyre kur ato dhe mund të mbeteshin të ndrydhura. Drejtori i saj qartësoi këtu se një nga drejtimet kryesore do të ishte antikomunizmi, për arsye se rënia e perdes së hekurt dhe përmbysja e diktaturave komuniste u shoqërua me shpërndarjen në atmosferën e demokracive të reja të këtij pluhuri të kuq toksik, që synonte të merrte frymën e tyre”. Ndërsa botuesi i gazetës “55”, Balliu, tha: “Gazeta ‘55’ mbush 15 vjet dhe në këtë përvjetor gjej rastin të falënderoj ideatorin dhe mbështetësin kryesor, z. Sali Berisha. Në këta 15 vjet jetë gazeta ka kaluar nëpër situata të jashtëzakonshme dhe nuk ka ngjarje që ajo të mos ketë qenë e pranishme. Gazeta ka mbështetur gjithmonë progresin, unitetin e vendit, ka mbështetur forcat progresiste, politikën e SHBA jo vetëm ndaj vendit tonë, por kudo në botë”. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Presidenti Nishani, kryeparlamentarja Topalli, kryebashkiaku Basha dhe ambasadori i SHBA, Arvizu.

© Panorama.al

Te lidhura