
Kryeministri shqiptar dhe Hashim Thaçi prezantojnë Abetaren unike.
“Pas Abetares, ta bëjmë edhe tekstin e Gjuhës shqipe unik”
Shqipëria dhe Kosova do të kenë një Abetare të përbashkët. Kryeministri Sali Berisha dhe homologu i tij, Hashim Thaçi, morën pjesë dje në prezantimin e tekstit të unifikuar që do të përdoret në shkollat e dy vendeve nga viti i ardhshëm.
Ceremonia nisi me tingujt e dy himneve në qendrën sportive “Sezai Surroi” në Prizren. Duke folur para të pranishmëve, kreu i qeverisë shqiptare tha se të dyja vendet janë të vendosura sot për të punuar për bashkimin e shqiptarëve në Bashkimin Europian. Ai tha se Kosova dhe Shqipëria do të punojnë me përkushtim për paqen dhe stabilitetin në rajon. Në këtë pikë ai u drejtoi një mesazh serbëve dhe maqedonasve për ngjarjet e fundit në vendet e tyre. “Nga Prizreni dua t’u themi fqinjëve tanë: çlirojuni nga shqiptarofobia, ajo është një mbeturinë e primitivizmit tuaj të trashëguar. Shqiptarët janë një komb që dinë të ruajnë dhe të mbajnë miqësi, por gaboheni rëndë në qoftë se vazhdoni të shfaqni shqiptarofobinë tuaj me skena si ato të Preshevës, të cilat faktojnë se jeni akoma shumë prej jush në stadet primitive”, u shpreh Kryeministri. Duke u ndalur te Abetarja e unifikuar, Berisha e vlerësoi atë për figurat dhe ilustrimin, duke e quajtur edhe si ëndrrën e qindra gjeneratave të shqiptarëve, të cilët donin ta kishin këtë tekst të njëjtë. “Ajo mbart sakrificat e shqiptarëve nga kohërat e Skënderbeut deri në luftërat çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni. Ajo mbart idealin e lirisë së shqiptarëve, mbart idealin e bashkimit të tyre, si ideali i përjetësisë kombëtare. Abetarja juaj shënon arritjen historike të përpjekjes së shqiptarëve për mbrojtjen, zhvillimin, kultivimin e kulturës së tyre, për vendosjen e saj në themelet e së ardhmes së tyre”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë e vlerësoi Abetaren si margaritarin e kurorës së 100-vjetorit të Shqipërisë së pavarur. “Abetarja është dhurata më e bukur që njerëzit e dijes mund t’i bënin Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nga Prizreni, para jush, u bëj një thirrje nënave të mrekullueshme shqiptare kudo ku janë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Preshevë, nga Alaska në Afrikën e Jugut: krahas qumështit të mos harrojnë Abetaren shqipe me fëmijët e tyre”, tha më tej kreu i Ekzekutivit. Sipas tij, “Abetarja është hapi i parë i madh në rrugën tonë, tekste të tjera, projekte të tjera duhet të vazhdojnë me intensitet në mënyrë që energjia e kombit të njësuar ta shtyjë kombin drejt hapësirave të reja. Le të vazhdojmë ne me tekstin e Gjuhës, se asgjë nuk kemi në shpirt më të bukur se gjuhën tonë amtare. Le ta shndërrojmë atë në tekstin kryesor të shkollës sonë parauniversitare, lë të bëjmë që çdo shqiptar t’i rrokëzojë fjalët e bukura të gjuhës sonë më mirë se kurrë më parë. Le të bëjmë gjithçka që gjuha shqipe të jetë lënda më eprore e sistemit tonë shkollor”. Në fund të fjalës së Kryeministrit, së bashku me Hashim Thaçin, u zbulua edhe faqja e parë e Abetares së re, e cila iu shpërnda nxënësve të pranishëm në këtë ceremoni.
Kryeministri Thaçi: Abetarja, fitore historike
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e vlerësoi Abetaren mbarëkombëtare si një fitore historike të dy vendeve. Sipas tij, Kosova është në rrugë të sigurt për të arritur suksese të rëndësishme që vlerësohen nga Bashkimi Europian dhe SHBA-të, duke treguar një të ardhme të ndritur për qytetarët e saj. “Kjo Abetare është pasqyrim i frymës europiane të hapësirës kulturore shqiptare, pa imponime ideologjike, pa diktat dhe forma tjetra jashtinstitucionale. Kjo Abetare e përbashkët është shprehje e ndërgjegjes dhe emancipimit të kombit tonë, është Abetare e lirisë, Abetare e demokracisë, Abetare e Kosovës evropiane, e Shqipërisë europiane dhe e gjithë shqiptarëve europianë”, ka thënë Thaçi gjatë ceremonisë së djeshme.
Abetarja e re kushton 670 lekë
Ministria e Arsimit shpalli pak javë më parë projektin fitues të Abetares mbarëkombëtare. Mes 7 projekteve konkurruese, gjuhëtaret Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj dhe dy bashkautorë kosovarë janë fituesit e Abetares mbarëkombëtare. Për herë të parë Abetarja ka një koncept krejtësisht të ri grafik, duke e konsideruar këtë si armë të fortë me synimin që figura të flasë po aq sa edhe fjalët. Stafi që ka konceptuar grafikën kryesohet nga Lorenc Buzi. Teksti i unifikuar që do t’u mësojë ABC-në fëmijëve të Kosovës e diasporës do të kushtojë 4.8 euro. Nëse zgjidhet nga shkollat shqiptare, kostoja e Abetares mbarëkombëtare hartuar për 100-vjetorin e Pavarësisë do të jetë 670 lekë, gati sa gjysma e çmimit të teksteve të tjera alternative. Abetarja fituese mbarëkombëtare do të jetë libri që do t’u mësojë ABC-në fëmijëve të klasave të para në Kosovë dhe diasporë. Ndërsa në Shqipëri ajo do të konkurrojë në tregun shkollor me abetaret e tjera.
Rama: Ne do ta bëjmë sistemin arsimor unik
Kreu i PS-së, Edi Rama, reagoi dje në Twitter për ceremoninë e zhvilluar në Prizren, ku u prezantua Abetarja mbarëkombëtare. “Shumë mirë Abetarja e përbashkët. Po fare pak nga ana e shtetit shqiptar në drejtim të një sistemi arsimor unik në kaq vite liri për Kosovën. Përmes programit për një Rilindje Shqiptare ne do të ecim shumë shpejt drejt sistemit arsimor unik në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës. Shqiptarët e gjeneratës së re në Shqipëri e Kosovë meritojnë të arsimohen në një hapësirë të përbashkët të marrjes së dijeve. Ne do ta bëjmë”, shkruan Rama në faqen e tij në internet.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











