Berisha:Sheshi ‘Skënderbej’ u kthehet qytetarëve

Oct 7, 2011 | 17:37

TIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha, duke falenderuar kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jassim  Mohammad Al-Kharaf për mbështetjen e dhënë për infrastrukturën ka garantuar se po punohet ngushtësisht me bashkinë e Tiranës për t’i kthyer qytetarëve sheshin “Skenderbej”, në formën më dinjitoze që ata meritojnë.

Gjatë takimit mes tyre, në kryeministri, Berisha e vlerësoi  këtë  vizitë si një kontribut  të ri e  të  rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm dhe konsolidimin e marrëdhënieve shumë miqësore dhe bashkëpunimit midis të dy vendeve dhe popujve.

Ai shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë së tij ndaj mbështetjes  së vazhdueshme  dhe ndihmës  gjeneroze , që madhëria e tij Emiri i Kuvajtit  dhe qeveria e Kuvajtit përmes fondit kuvajtian i kanë akorduar Shqipërisë  gjatë gjithë këtyre viteve, për realizmin e projekteve të rëndësishme. Një ndër këta projekte, për të cilin është punuar intensivisht është rikonstruksioni i sheshit  Skënderbej.

“Qeveria shqiptare po bashkëpunon ngushtësisht me bashkinë e Tiranës, për të realizuar sa më shpejt këtë projekte të rëndësishëm, për t’u rikthyer qytetarëve nyjen nevralgjike të qendrës se Tiranën në formën më dinjitoze që ata meritojnë”- tha Berisha.

Al-Kharaf  vlerësoi  arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe dhe vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore midis të dy vendeve.

© Panorama.al

Te lidhura