
Kryeministri Sali Berisha ishte dje në qytetin e Korçës, ku mori pjesë nga nisjen e vitit të ri universitar në universitetin “Fan Noli”. Gjatë këtij aktiviteti, kreu i qeverisë u ndal te kritikat që kanë ardhur për hapjen e një numri të madh universitetesh. “Atyre që kanë frikë nga rritja e përqindjes së të diplomuarve në vend, dua t’u them se ora e tyre ka mbetur në kohën kur i gjithë vendi kishte studentë ndoshta më pak se çka sot Universiteti i Korçës. Ajo kohë nuk kthehet më. Ne jetojmë në një botë të hapur dhe ne në rrugëtimin tonë kemi një dhe vetëm një alternativë: të ndjekim garën”, u shpreh Kryeministri. Sipas tij, “atyre që bërtasin dhe shpallin se i kemi kthyer universitetet në pellgjet e papunësisë dhe me absurditet apo ligësi kundërshtojnë këtë politikë, sot, nga universiteti ‘Fan Noli’, nga Korça e Abetares së gjuhës sonë, dua t’u përgjigjem se sulmet tuaja janë të pavlera, janë cinike dhe fyese për lumin e sakrificave që bëjnë në këtë institucion studentët dhe pedagogët e tyre”.
Provimet
“Lëndohem kur marr sms nga studentë, të cilët më thonë se ‘unë nuk i mora pikët pasi ma kishin korrigjuar gabim’. Marr vesh se Ministria ka vendosur që gabimin ta lërë gabim. Zoti ministër, kjo praktikë do të hiqet menjëherë. Ajo çka është e burokracisë nuk mund ta paguajë askush tjetër veç burokratit”, u shpreh Kryeministri.
Haxhinasto: 10 pikat e Ramës, axhendë partiake
Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, tha në një prononcim për mediat se 10 pikat e paktit, të propozuara nga kreu i PS-së, Edi Rama, po përdoren për të ecur përpara me axhendën politike partiake të tij. “Nuk dëshiroj ta politizoj aspak, nuk dua as ta paragjykoj këtë zhvillim të ri. Por, duke bërë një analizë të qartë të çështjeve që parashtrohen në 10 pikat, është evidente që përdoret një moment i tillë politik për të avancuar një axhendë politike partiake. Mendoj se kjo nuk i shërben aspak asaj që pritet, asaj që është thënë, e zeza në të bardhë, 12 prioritetet me dinamikën e tyre përkatëse. Mendoj se në këtë moment ku ndodhemi ka përsëri vend për një reflektim, ka përsëri vend për të përparësuar ato që janë çështje themelore, për të cilat do të vlerësohemi nga ana e BE-së, prandaj nuk është kurrë vonë për të reflektuar”, u shpreh Haxhinasto.











