Berisha: Atë që i bëri PS vendit, s’ia bënë pushtuesit

Oct 14, 2011 | 11:23
Berisha gjate debatit me deputetet e PS

“Atë që i kanë bërë shqiptarët Shqipërisë, nuk ia ka bërë asnjë barbar”. Kështu u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha teksa mbajti një fjalim në Parlament një ditë pas publikimit të progres-raportit nga Komisioni Europian, ku Shqipëria nuk mori për të dytin vit statusin e vendit kandidat. Kreu i qeverisë e mori fjalën gjatë debatit me opozitën lidhur me votimin e ligjeve që kërkojnë tre të pestat e votave. Sipas tij, që 100 vjet më parë edhe sot, vendit tonë më shumë dëme i kanë bërë vetë shqiptarët, sesa të huajt. “Një ditë, në tempullin e Brukselit, një personalitet i shquar do të më thoshte: ‘Mirë ai, zotëri, se është kaq antishqiptar, po ata që e ndjekin në këtë mënyrë, çfarë janë?!’. Përgjigjja ime ishte se edhe ai, edhe ata janë shqiptarë, sepse atë që i kanë bërë shqiptarët Shqipërisë, nuk ia ka bërë asnjë barbar. Atë që i ka bërë Enver Hoxha Shqipërisë, nuk ia kanë bërë të gjitha pushtimet. Atë që i kanë bërë Toptanët dhe Haxhiqamilët Shqipërisë, nuk ia kanë bërë të gjithë okupatorët. Atë që i kanë bërë shqiptarët Shqipërisë, nuk ia ka bërë kurrkush. Kur unë u deklarova një herë se këta jemi ne, shqiptarët, me këtë desha të them se unë nuk ju përjashtoj dot, ju jeni shqiptarë, jeni pjesë e këtij vendi, pjesë e këtij kombi. Ju nënshtroheni si skllevër”, iu drejtua Kryeministri opozitës. Sipas Berishës, në të gjitha ligjet e miratuara nga qeveria dhe Parlamenti në këtë periudhë janë mbajtur parasysh standardet e BE-së dhe ky ka qenë faktori që u rritën rrogat e pensionet në vend. Në të kundërt, sipas Kryeministrit, opozita votoi kundër rritjes së të ardhurave të qytetarëve, përfshi këtu edhe ligjet që kërkojnë shumicën e votave të Parlamentit. Berisha përsëriti edhe njëherë akuzën drejtuar opozitës për pengimin e procesit të liberalizimit të vizave. “Është unike në historinë e vendit e të Europës që një opozitë lufton nga mëngjesi deri në darkë për të bllokuar vizat. Në memorien e çdo shqiptari kjo do të mbetet si përpjekja më diabolike që u bë nga ata që, për të justifikuar aktin e tyre absurd e të turpshëm, i thoshin njëri-tjetrit në kafene: pse, si këmbët e dhisë u bënë të gjithë që të lëvizin pa viza. Sepse vetë lëviznin me pasaporta diplomatike. Kemi ndjekur këto standarde, ndaj sot shqiptarët lëvizin të lirë, me dokumentet më të shkëlqyera në Europë, në zonën e Shengenit”. Sipas tij, “në mënyrë të përsëritur kam deklaruar se bllokmenizmi është ulur këmbëkryq në këtë anë. Unë nuk kam asgjë, me asnjë nga fëmijët, por kur fëmijët manifestojnë nga mëngjesi deri në darkë vetëm trashëgiminë e etërve, vetëm se, ndërkohë që etërit tuaj bërtisnin ‘Poshtë imperializmi amerikan!’, ‘Poshtë Europa!’, sot, kryetari juaj nuk bërtet këtë, por i thotë gjithë botës ‘jo’ dhe ju e dini vetë se cili është fjalori i tij ndaj miqve e aleatëve të Shqipërisë dhe më pas bën letra nga më të pështirosurat që mund të ekzistojnë”.
Në fund, kreu i qeverisë u ndal te pakti i propozuar nga opozita. Ai u shpreh i gatshëm të nisë bisedimet për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare, por për këtë të fundit tha se “nëse doni rregulla për të dhunuar parlamentarizmin, kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Nëse doni të bëheni zëdhënës të Presidentit, bëhuni, por ne jemi shumica sovrane e popullit shqiptar dhe do t’i përmbahemi sovranitetit. Ju vazhdoni ashtu si të doni. Ne nuk ju diktojmë asgjë. Kjo është oferta jonë. Të jeni të sigurt se shqiptarët, ashtu siç e panë që bëtë gjithçka për të bllokuar vizat, ju dhanë 141 vota më pak. 2013-a do të vijë shumë shpejt dhe do t’ju japin 330 mijë vota më pak”.

Berisha, Tahirit: Ta bëj fytyrën si këpuca

Sajmir Tahiri

Gjatë fjalimit të mbajtur në Parlament, Kryeministri Berisha ka replikuar ashpër me deputetin e PS-së, Sajmir Tahiri. Teksa Berisha po fliste për rritjen ekonomike, nga salla, deputeti socialist ka ironizuar një lapsus të Kryeministrit duke i folur nga vendi: “Po, do bëjmë gjithçka për familjen tënde”. I menjëhershëm ishte reagimi i Kryeministrit, i cili i është përgjigjur: “Ti që flet nga vendi mund të ta bëj fytyrën më të zezë se këpucët nga fëmijëria deri më sot. Ti e di mirë që unë të njoh mirë ty. Ti e di mirë se ku je rrit, si je rrit dhe cila është pasaporta jote”.

Bregu: S’kam shpresë se do merremi vesh me Ramën
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, akuzoi dje opozitën për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat. “Unë ndjehem keq se s’kam asnjë shpresë më se me Edi Ramën mund të merresh më dot vesh. Dje më shumë se kurrë kuptova me dhimbje se për më shumë se dy vjet rresht, të paktën personalisht, kam bërë deklarime naive dhe trashanike kur si pjesë e kësaj maxhorance ftoja me shumë sinqeritet opozitën që të vinte në Parlament, të ushtronte rolin e saj dhe të votonte”, tha Bregu. Sipas saj, “përgjegjësia për bllokimin e vendit është e opozitës. Ne të gjithë sot ndjehemi ligsht, se ju, opozita, vendosët të na bllokoni me dhunën e Bllokut”.

LSI: Të heqim dorë nga politika e bojkotit
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, ka bërë thirrje dje për dhënien fund të bojkotit. “Natyrisht që reformat janë aty. Ato janë një sfidë e madhe për të gjithë ne dhe përballë kësaj sfide duhet veprim konkret politik, duhet energji pozitive dhe të heqim dorë përfundimisht nga politika e bojkotit, nga politika e bllokimit, nga politika e kushteve që nuk sjellin asgjë tjetër vetëm se zgjasin edhe më tej këtë që edhe në raport konsiderohet e panevojshme për shoqërinë shqiptare”.

Berisha pret shqiptarët e Serbisë
Kryeministri Berisha u takua dje me një delegacion nga komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës. Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit, kreu i Ekzekutivit i siguroi ata se qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë popullsinë e këtyre krahinave në fushën e arsimit, me tekste shkollore për arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe me aktivitete për trajnimin e mësuesve të gjuhës shqipe. “Kryeministri theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor, si dhe respektimin e të gjitha lirive dhe të drejtave që burojnë nga konventat ndërkombëtare, të domosdoshme për një vend demokratik”, thuhet në njoftimin për shtyp. Sipas përfaqësuesve të këtyre komunave, mbështetja e Shqipërisë tregon dhe parashtron disa problematika që kanë të bëjnë me arsimin dhe shëndetësinë, me qëllim që edhe kjo krahinë të zhvillohet si gjithë krahinat e tjera.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura