
Bashkia e Beratit do të reformojë strukturat e saj, duke hequr nga puna rreth 200 punonjës nëpër sektorë të ndryshëm. Një shkresë zyrtare në të cilën citohet “lirimi nga shërbimi civil”, iu është dorëzuar këto ditë krerëve të sektorëve përkatës, nga ku iu kërkohet të listojnë personelin që do të mbahet në punë dhe ata që do të lirohen. Ndonëse nuk janë përcaktuar kriteret për ata që do të mbahen dhe ata që do të “shkarkohen”, në kuadër të asaj që është konsideruar si “ristrukturim i strukturës organike”, punonjësit e administratës së Bashkisë, Ndërmarrjes së Gjelbërimit, Rrugëve, Trotuareve, Pallati të Kulturës, Drejtoria Arsimore, kopshtet, çerdhet, Klubi të Sportit etj. janë në ankth. Mësohet se do të jenë 200 punonjës që do të kapë kjo reformë tre muaj më vonë. Gjatë këtyre tre muajve, ata do të jenë në pritje, pasi shkresa që mban firmën e kryebashkiakut Fadil Nasufi nuk ka të përcaktuar asnjë emër konkret. “Në fund të vitit 2011, pavarësisht kontratave që kemi dhe statusin e nëpunësit civil, ne rrezikojmë vendin e punës”, u shpreh një punonjëse e Bashkisë, e cila nuk mund të identifikohej për shkak të frikës se kjo gjë mund t’i kushtonte vendin e saj të punës. Dokumenti i lëshuar nga Bashkia mbështetet në ligjin nr.8652, datë 30.09.2011, në të cilën citohet: “Për organizimin dhe funksionimin e Qeverisë Vendore”, neni 7, pika 2, neni 44, germa a,g,f, neni 8 pika 1, germa a,b, ligjin nr.8549 dt.11.11.1999 “statusi i nëpunësit civil”, Kreu VII, neni 21, 23, VKM nr.360, dt.14.07.2000, “për lirimin nga shërbimi civil, vendim i Këshillit të Ministrave nr.472, dt. 02.07.2011 “Për

disiplinimin e fondeve buxhetore”. Mësohet se drejtuesit e Bashkisë e kanë bërë të qartë edhe në mënyrë verbale një fakt të tillë, duke iu kërkuar punonjësve që të interesohen për vende të tjera pune. Tashmë në Bashki dhe institucionet e tjera në varësi të saj gumëzhijnë hamendësimet, ndërsa të tjerë kanë nisur të “lëvizin gurët”, për të mbajtur vendin e tyre të punës. Shkresa e Bashkisë tashmë ka shkuar thuajse në dorën e të gjithë punonjësve, ndërsa thuhet se 200 prej tyre, të cilët do të listohen nga drejtorët e drejtorive dhe shefat e sektorëve përkatës, do të jenë të detyruar të lënë vendin e punës tre muaj më pas. Pasi citohen nenet e mësipërme “për statusin e nëpunësit civil”, në shkresën që mban vulën e Bashkisë së Beratit dhe firmën e kryebashkiakut Nasifi thuhet për njoftimin e fillimit të procedurës: “Mbi strukturimin e strukturës organike, pozicioneve dhe numrit të punonjësve të administratës së Bashkisë, ndërmarrjeve dhe institucioneve në varësi të saj, për vitin 2012”, në funksion të ekonomizimit të fondeve buxhetore.
Burime nga Bashkia ishin të gatshëm të vinin në dispozicion të gazetës edhe shkresën e firmosur nga kryebashkiaku, por ata nuk kishin informacione të mëtejshme në lidhje me kriteret që duhet të përmbushin punonjësit që do të mbajnë vendin e punës. “Kryetari i Bashkisë nuk mund të luajë me bukën e fëmijëve tanë. Ne i kemi shërbyer në kohë fushate. Përmbushim edhe aspektin profesional si dhe kemi statusin e nëpunësit civil, nuk mund të na flakin në rrugë”, u shpreh një tjetër punonjëse, e cila nuk pranoi të identifikohej me emër.
BERAT/ DILAVER XHELILI











