Beqja: Skemën e pensioneve e zgjidh punësimi

Nov 14, 2011 | 9:29

Një ndër hartuesit e programit të PS: Politika 20–vjeçare ka shumë kusure, qoftë edhe te pensionet. Ulja e kontributeve nuk lë mundësi për kolonën e dytë

Një ndër hartuesit e programit ekonomik të PS e quan të dështuar uljen e kontributeve nga qeveria dhe e shikon zgjidhjen e problemit të pensioneve te punësimi.
Në vitin 2012 do të dyfishohet numri i atyre që mbushin moshën për pension pleqërie. Do të shtohen 11 mijë raste të reja, në totalin prej 27 mijë. Kjo për shkak të mbarimit të efekteve të reformës për rritjen e moshës me 6-muaj dhe për arsye demografike prej shtimit të lindjeve pas luftës. Ky ndryshim përkeqëson raportin përfitues/kontribuues dhe shton financimin nga buxheti të skemës. A mendoni se ka ardhur koha të ketë një ndryshim në moshën e daljes në pension apo tek përqindja e kontributeve?
Raporti përfitues/kontribuues nuk mund të përkeqësohet vetvetiu, vetëm nga rritja e numrit të atyre që dalin rishtazi në pension. Nëse në vitin 2012 do të dalin për herë të parë në pension rreth 23 mijë veta, njëherazi do të hyjnë për herë të parë në moshën e punës rreth 40 mijë veta. Pra, demografia nuk është vetëm e “keqe”. Sikur vetëm gjysma e tyre të kenë mundësi punësimi në Shqipëri, raporti nuk cenohet. Por, për fat të keq, numri i të punësuarve nuk ka ndryshuar për 10 vjet rresht. Në periudhën 2001 – 2010, popullsia në intervalin moshor 20–60 vjeç është shtuar me 220 mijë veta, ndërsa të punësuarit me vetëm 20 mijë veta.
Të rrisim moshën e daljes në pension, pa analizuar plotësisht efektet e reformës parametrike të vitit 2002 të rritjes graduale për 10 vjet rresht të moshës së pensionit, më duket veprim i papjekur. Analiza duhet të përfshijë efektet sociale të tregut të punës dhe qëndrueshmërisë financiare të skemës së pensioneve. Efektet demografike nuk mund të përballohen vetëm me rritje të moshës se daljes në pension, sepse kështu nuk do të ndalemi kurrë. Ndërsa ndryshimi i përqindjes së kontributeve do të ishte çoroditës, kur vetëm në 4 vitet e fundit është ndryshuar 2 herë në ulje. Rezulton se është bërë i pastudiuar mirë, sepse nuk përmirësoi as financat dhe as raportin përfitues/kontribuues.
Sipas të dhënave, gati i gjithë deficiti i pensioneve është shkaktuar nga skema e pagesave suplementare, pra nga politikat populiste apo programore të partive të ndryshme. A mendoni se qeveria duhet të ndajë këto financime sipas ministrive përkatëse dhe mos t’i bashkojë me skemën “pay as you go”. Në këtë mënyrë, vetë skema mund të jete më eficiente dhe politikat shtesë të çdo partie të jenë më të qarta për publikun.
Me aq sa njohje kam unë për funksionimin e ISSH, skema e detyrueshme e sigurimeve administrohet në planin financiar dhe parashikohet aktualisht e ndarë nga të gjithë elementët e tjerë sociale që përbëjnë këstin mujor të përfitimit për çdo përfitues. ISSH i ka kapacitet intelektuale për ta bërë këtë gjë me eficiencë, transparencë dhe profesionalizëm. Për vetë buxhetin e shtetit është më me leverdi të vazhdojë të shfrytëzojë ISSH si agjent të vetëm në shpërndarjen e disa përfitimeve sociale, të cilat nuk do t’i quaja thjesht populiste. Nuk e quaj populiste nëse një personi me të ardhura të pamjaftueshme, t’i jepet një mbështetje në të holla, sado qoftë ajo, që të mund të paguajë faturën e një konsumi minimal mujor të energjisë elektrike, në kushtet kur çmimi i një kwh është rritur 65 %, që prej vitit 2005. Populiste do të quaja uljen e përqindjes së kontributeve, sidomos atë të vitit 2009. Edhe për vetë përfituesit, besoj se është më e mbarë që të kontaktojnë një sportel të vetëm. Por, pajtohem me ju që përfituesit mund të informohen në mënyrë më të shtjelluar për elementët përbërës të këstit të përfitimit mujor, masën respektive të çdo elementi dhe, pse jo, të burimit të financimit. Me sa informacion kam, ISSH, edhe me asistencë ndërkombëtare, po punon edhe në këtë drejtim.
Flitet vazhdimisht për reformën e sistemit, duke e kthyer në sistem me tri kolona. Para disa vitesh u ngrit një komision shumëpartiak, por deri tani nuk ka asnjë rezultat. A mendoni se kjo ka një kosto për qytetarët? A mendoni se sistemi 3-kolonësh është eficient në vendin tonë, duke pasur parasysh numrin e vogël të popullsisë?
Nuk është e lehtë të japësh një përgjigje të shkurtër për këtë çështje, nisur edhe nga audienca normale e një të përditshmeje jo të specializuar në çështje mirëfilli ekonomike si “Panorama”. Politika 20–vjeçare ka shumë kusure, qoftë edhe tek pensionet. Nuk besoj se ka shumë interes dështimi i komisionit të atëhershëm. Por, edhe atëherë Saliu tregoi të njëjtën tinëzi si ndaj çdo përpjekje të mirë për konsensus në këto 20 vjet. Kur komisioni ishte në hapat e tij të parë të punës, papritur Saliu vendosi dhe shpalli uljen e përqindjes së kontributeve. Megjithatë, aktualisht, mendoj se komisionet shumëpartiake duhet të arrijnë të zgjidhin çështjen ekzistenciale të demokracisë, atë të lirisë dhe barazisë së votës. Për t’u kthyer te pjesa e fundit e pyetjes, bindja ime është se sado e kushdo qofshin kolonat e sistemit të pensioneve, përfitimet do të paguhen gjithmonë me paratë e brezit të atyre që punojnë. Nëse financohen nga taksat, duhet që ata në moshë pune të mund të paguajnë taksa e për pasojë të kenë të ardhura, nëse financohen nga kontributet duhet që ata në moshë në punojnë e të kenë të ardhura, nëse financohen nga një llogari private kursimesh që administrohet privatisht duhet që të ketë kërkesë për të blerë paratë e investuara dhe kërkesa ekziston nëse ata që duan të blejnë kanë të ardhura. Pra, çdo kolonë veç e veç, a një kombinim i tyre ka si parakusht brez në moshë pune që ka të ardhura. Të ardhurat mund të vijnë vetëm prej punës. Puna e të ardhurat prej saj, janë çelësi magjik. Prandaj, kryefjala e rimëkëmbjes ekonomike të një rilindjeje shqiptare, për ne socialistët është puna. Këta shpalosëm në programin tonë në kongresin 5 nëntorit 2011. Kolona e dytë nuk ka ende terren të përshtatshëm në Shqipëri. Hapësirën e kanë ngushtuar dy uljet e pamenduara të përqindjes së kontributeve, ndërsa tregu i kapitaleve nuk ekziston.
Nertila Maho

© Panorama.al

Te lidhura