Ilir Beqja, Kushtetuesja zbardh vendimin

Oct 7, 2011 | 18:02

TIRANË- Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit të PS-së, Ilir Beqja.

Vendimi vjen pas shqyrtimit te kerkeses së një grupi deputetësh demokratë, sipas së cilës, Beqja ka përfituar fonde publike gjatë kohës kur ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas vendimit të Kushtetueses, deputeti ka detyrimin që në momentin e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, pavarësisht se kur bën betimin, të sillet si deputet.

“Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në rastin e deputetit Ilir Beqja”- thuhet në vendimin e Kushtetueses, e cila argumenton se ‘Gjykata vlerëson se vendimi i Kuvendit për dërgimin e çështjes para saj për konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin e deputetit të zotit Ilir Beqja është votuar rregullisht dhe ka marrë shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që kanë votuar’.

Sipas vendimit, deputeti Ilir Beqja kishte detyrimin që në momentin e shpalljes së tij fitues nga KQZ-ja të shmangte çdo rast të papajtueshmërisë.

“Pretendimi i tij kryesor se ai në atë periudhë nuk ishte deputet, pasi nuk kishte bërë betimin, është i pabazuar. Së pari, mandati i tij ka filluar që në datën 1.8.2009, ndërsa të ardhurat nga Bashkia Durrës ai i ka marrë në datën 17.2.2010 dhe 21.5.2010. Së dyti, mosbërja e betimit nga ana e tij nuk mund të paraqitet si shkak i ligjshëm, pasi ky veprim ishte rezultat i vendimmarrjes personale të tij bazuar mbi motive politike të bëra publike pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Fakti që ai nuk bëri betimin për disa muaj pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ dhe fillimit të mandatit të deputetit nuk e përjashton atë nga përgjegjësia për të plotësuar detyrimet që rrjedhin nga mandati parlamentar, të filluar prej muajsh”- thuhet në vendim.

© Panorama.al

Te lidhura