“Bënë kryetar një person që…”- Anëtari i FRDP-së: Nuk duhet të riciklojmë më figura, të dëgjohet më shumë zëri i rinisë! Ja arsyet se përse ndodhen sot këtu

Dec 16, 2025 | 19:37

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, zhvilloi takimin e radhës sot në Elbasan, me një sallë të mbushur plotë me mbështetës, ku ranë në sy brezi i ri.

arber kola

Mes tyre ishte edhe anëtari  i FRPD-së (Forumi Rinor i PD), Arbër Kola, i cili gjithashtu mbajti fjalim në podium dhe apeloi që të dëgjohet më shumë zëri i të rinjve në parti. Ai shprehu mbështetjen për anëtarin e Kryesisë së PD, Salianji, me bindjen se vetëm brezi i ri demokrat e largon këtë qeveri.

Gjithashtu hodhi kritika të forta ndaj Foltores së PD e nisur më 2021, si dhe Kuvendit të atij viti që nuk i mbajtën premtimet e dhëna, deri tek Primaret para zgjedhjeve të 11 majit 2025, por edhe ato brenda FRPD-së, ku kryetar sipas tij u zgjodh “një person që nuk kishte as moshën”.

“E kam nisur rrugëtimin tim me shumë kauza dhe protesta, në çdo organizim dhe protestë që kishte slogan largimin e Edi Ramës dhe kthimin e Partisë demokratike në pushtet. Në shtator 2021 unë mora pjesë të Foltorja e PD dhe nuk pendohem aspak se ishte gjëja e duhur dhe zgjidhja e duhur për PD. Por ndërkohë që premtimet Kuvendit të vitit 2021 filluan duke u zbehur, duke mos u mbajtur, duke mos u respektuar, as ato dhe as statuti i PD. Rasti i fundit paprecedentë ishin zgjedhjet e Forumit Rinor që me raste të paprecedenta, me dhjetëra raste, për t’ia lënë një personi që nuk kishte as moshën e duhur për t’ia lënë FRPD-në. E kështu me radhë proceset e tjera pa fund, sikur ishim Primaret apo zhvillimet e brendshme në votime, por nuk ka bërë akoma një proces të saktë e të mirëfilltë brenda saj”, tha ai.

Kola deklaroi se nuk duhet të ankohen vetëm për Ramën, por të hedhin sytë edhe brenda partisë dhe të zgjidhin çështjet madhore për t’u përballur me sistemin manipulativ të kryeministrit.

“E pastaj thonë është i keq Rama, vjedh Rama, manipulon Rama, dakord Rama i keq është, por ti çfarë ke bërë? A ke dhënë një impakt dhe metodë ndryshe, je përballur para qytetarëve me ndryshim. Rama mposhtet vetëm me një antitrup, me të kundërtën e tij. Është i paarritshëm në mënyrën se si manipulon zgjedhjet”, vijoi anëtari i FRPD-së.

Më tej Kola shpjegoi edhe arsyen se përse ndodhej në atë takim:

“Arsyeja pse ndodhem këtu është i njëjtë si në shtator 2021 për ndryshimin real në PD, zëri i të rinjve duhet të dëgjohet dhe mospërdorimi i të rinjve si fasadë por që të jenë vërtetë gur themelimi. Ne jemi partia e rinisë, e themeluar nga studentët dhe është fatkeqësi për ne që përfundojmë në disa figura të cilat nuk riciklohen dot. Thonë ky është misioni i jetës, por po për misionin tonë a do të fillojmë të flasim? Kam edhe unë një mision, që të qëndrojmë në Shqipëri. Ky mision realizohet vetëm duke larguar Edi Ramën. Fatkeqësisht këta nuk e largojnë dot. Edi Ramën e largon ndryshimi, fytyrat e reja, idetë e reja, e largon rinia. Kjo sallë e mbushur me rini më jep entuziazmin që nga kjo sallë nis një lëvizje që do të përshkallëzohet dhe do të shkojë në të gjithë Shqipërinë”.

© Panorama.al

Te lidhura