Belinda Balluku, person nën hetim nga SPAK, Klevis Balliu: Anija e Rilindjes po fundoset nga korrupsioni

Oct 24, 2025 | 15:03

“Marrja e Lubi Ballukut si e pandehur është shenja më e qartë se anija e Rilindjes po fundoset”, kështu është shprehur demokrati Klevis Balliu lidhur me regjistrimin e zëvendës Kryeministres Belinda Balluku si person nën hetim nga SPAK.
Screenshot_16

Përmes një postimi në Facebook, Balliu shkruan se kryeministri “Edi Rama, po përpiqet të heqë një e nga një peshat e rënda të ekuipazhit të tij, në një përpjekje të dëshpëruar për të zgjatur udhëtimin dhe për të shpëtuar veten.”

Postimi i plotë

“Marrja e Lubi Ballukut si e pandehur është shenja më e qartë se anija e Rilindjes po fundoset.

Kapiteni i saj, Edi Rama, përpiqet të heqë një e nga një peshat e rënda të ekuipazhit të tij, në një përpjekje të dëshpëruar për të zgjatur udhëtimin dhe për të shpëtuar veten.

Por sado ngarkesa të hedhë në det, anija e Rilindjes është dëmtuar përfundimisht nga korrupsioni, abuzimi dhe krimi shtetëror.

Mbytja e saj është çështje kohe me hir apo me pahir, ajo do të fundosej në valët e së vërtetës.”
Gazetarja Klodiana Lala, raportoi sot se Prokuroria e Posaçme regjistron emrin e zëvendës Kryeministres Belinda Balluku si person nën hetim për akuzën e shkeljes se barazisë në tendera.

Numri dy i qeverisë “Rama 4” sipas burimeve është thirrur të paraqitet në SPAK të hënën mbi bazën e një shkrese që mban firmën e prokurorit të Posaçëm Dritan Prençi.

Burime të besuara bëjnë me dije se fletëthirrja i është dorëzuar zonjës Balluku në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në fletëthirrje zonjës Balluku i bëhet me dije se në momentin e paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme duhet të jetë e shoqëruar nga një avokat, çka në raste të tilla lajmëron se mund t’i komunikohet akuzë penale. Kjo nënkupton ndërkohë që me gjasë SPAK do ta ushtrojë ndjekjen penale ndaj numrit dy të mazhorancës pa masë sigurie e në këtë mënyrë prokurorët e posaçëm shmangin edhe kërkesën për autorizim në Kuvendin e Shqipërisë.

SPAK është tejet i rezervuar për të dhënë detaje lidhur me çështjen që po e heton zëvendëskryeministren Balluku, pasi ndaj saj ka një sërë kallëzimesh penale, përfshirë edhe atë të tunelit të Llogarasë ku vlera e tenderit që u fitua nga një kompani turke u rrit me mbi 50 mln euro.

Nuk dihet nëse zonja Balluku do t’i përgjigjet fletëthirrjes së SPAK dhe në këtë pozitë të re përballë drejtësisë do të vijojë apo jo të qëndrojë në postet qeveritare apo do zgjedhë të largohet me dorëheqje e ta zhvillojë betejën e saj pa mburojën e Partisë Socialiste.\

Belinda Balluku e ushtron detyrën e Zv.Kryeministres që prej korrikut 2022. Ndërsa atë të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, që prej janarit të vitit 2019. Balluku ishte drejtuese politike e qarkut Fier ku ne zgjedhjet e 11 majit fitoi 12 mandate.

LEXO EDHE: 

SPAK regjistron Belinda Ballukun si person nën hetim, i kërkon të paraqitet me një avokat

Balluku person nën hetim, SPAK ushtron kontrolle në dy banesat e bashkëpunëtoreve të saj dhe në një zyrë

© Panorama.al

Te lidhura