Ish-trajneri kampion bote me Italinë, në vitin 2006, Marcelo Lipi, kërkon një aventurë të re, me një kombëtare. “Në Afrikën e Jugut nuk shkova mirë me Italinë, por dua të filloj të punoj me një ekip tjetër kombëtar, sepse dua të jem pjesë e finaleve të Kupës së Botës 2014. Juventusi? Unë shpresoj se ju nuk e keni fjalën për një thirrje karshi meje, sepse kjo do të ishte gabim. Tani Juventusi e ka një trajner të madh. Konte ka nisur një cikël të ri. Mendoj se Juventusi nuk ka nevojë për mua, edhe pse ekziston një lidhje e tillë shpirtëriore që, nëse mund të më kërkojë një ditë, do të jem në dispozicion të tij. Por unë shpresoj se kjo nuk do të ndodhë shpejt, sepse Juve me Konten po ecën shumë mirë.”
Objektivi Brazil. Marcelo Lipi, i larguar nga “axurrët” pas paraqitjes zhgënjyese në Kupën e Botës në Afrikën e Jugut, ka një objektiv tjetër nga sa mendohet. Ai do t’i kthehet trajningut, por do ta bëjë këtë me një ekip kombëtar. “Në jetë dhe në në çdo punë, në përgjithësi ka ulje dhe ngritje, ka momente të mira dhe momente të këqija. Sidoqoftë, ndjehem me fat, sepse kam pasur shumë suksese si trajner. Në Botërorin 2010, në Afrikën e Jugut, gjërat nuk shkuan mirë. U tërhoqa për t’u qetësuar për të paktën një vit, por tashmë mendoj se ka ardhur koha të rikthehem. Dua të filloj të punoj jo në një klub, pasi preferoj një përvojë të ndryshme, ndoshta me një kombëtare, për të ndërtuar një ekip që mund të luajë në një Botëror tjetër, në Brazil, në vitin 2014.”











