Beçaj: Parlamenti të miratojë ligjin e Konferencës Gjyqësore

Apr 9, 2011 | 10:38

TIRANE – Kryetarja e Gjykatës se Lartë, Shpresa Beçaj, u shpreh dje se diskutimet mbi korrupsionin në gjyqësor nuk duhet të shndërrohen në presion që sjell pasiguri në veprimtarinë e përditshme gjyqësore. Në fjalën e saj gjatë punimeve të Konferencës Gjyqësore, numri një i Gjykatës së Lartë “radhiti” problematikat më të “nxehta” të gjyqësorit dhe sfidat me të cilat ai duhet të përballet për të krijuar besim tek publiku. “Çështja e imunitetit të gjyqtarëve dhe diskutimet mbi korrupsionin në gjyqësor nuk duhet të shndërrohen në një presion të vazhdueshëm e të sjellin pasiguri në veprimtarinë e përditshme gjyqësore. Nuk duhet të ketë imunitet për gjyqtarët e korruptuar por, nga ana tjetër, duhet kushtuar kujdes edhe vëmendje që gjyqtarët të jenë të sigurt në ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore e të mos ndjehen të shantazhuar nga etiketimet përgjithësuese”, u shpreh Beçaj. Kryetarja Beçaj ritheksoi dje mungesën e ligjit për Konferencën Gjyqësore. “Është e domosdoshme të theksohet se mosmiratimi i ligjit të ri për KGJK-në pasqyrojnë një mangësi serioze në kuadrin ligjor të drejtësisë shqiptare, pasi kufizimi i veprimit tonë vetëm në kuadër të zgjedhjes së anëtarëve të KLD-së nuk është i mjaftueshëm. Shfuqizimi i ligjit për KGJK-në ka vështirësuar mekanizmat e bashkëveprimit institucional me pushtetet e tjera për çështje me rëndësi të mirëfunksionimit të drejtësisë”, tha Beçaj. Po dje, Beçaj pretendoi jo vetëm pavarësi në administrimin e buxhetit nga Gjyqësori, por edhe mundësi në përcaktimin e buxhetit. “Rritja e buxhetit të përgjithshëm të gjyqësorit, prognozat për rritje të pagave, përmirësimet në infrastrukturë do të ndikonin jo vetëm në çështje të funksionimit administrativ, por dhe në rritjen e prestigjit të autoritetit në dhënien e drejtësisë, duke ndikuar pozitivisht në ndërtimin e besimit të publikut në gjykata”, tha Beçaj.  ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura