
Bashkimi Europian ka shtyrë Samitin e planifikuar më parë për javën e ardhshme, për shkak të krizës së re bankare. Krerët e qeverive dhe shteteve do të mblidhen tani më 23 tetor, bëri të ditur presidenti i Këshillit të BE-së në Bruksel, Herman Van Rompoy. Në këtë datë do të vendoset përfundimisht një strategji globale me vështrim nga kriza e borxheve në eurozonë. Presidenti francez, Nikola Sarkozi dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u takuan në Berlin dhe premtuan se së shpejti do të kenë një plan global, afatgjatë dhe të shpejtë për t’iu përgjigjur krizës së borxheve. Ata nuk dhanë hollësi për planin, për të cilin zonja Merkel tha se ende nuk ka marrë formë përfundimtare.
Por po dje, duket se kriza greke falimentoi bankën e parë europiane. Sipas mediave ndërkombëtare, Belgjika vendosi dje të blejë një filial të bankës “Dexia”, viktima e parë e problemeve të reja europiane që lidhen me përhapjen e krizës së borxhit grek. Qeveria belge tha se po paguan 5.4 miliardë dollarë për të blerë filialin kombëtar të “Dexias”. Qeveritë e Francës, Luksemburgut dhe Belgjikës thanë se do të jepnin edhe 121 miliardë dollarë për të financuar garancitë për bankën, deri në 10 vjetët e ardhshëm. “Dexia” ishte dobësuar duke mbajtur shuma të mëdha borxhesh qeveritare, veçanërisht nga Greqia, por edhe nga Italia e nga organe qeverisjeje lokale në Shtetet e Bashkuara.
Në greqi
Ndërkohë, në Greqi trojka vazhdon të kërkojë ulje të shpenzimeve dhe kursime të reja. Pas takimit që zgjati tri orë, mediat raportuan se u arrit që të shkurtohen dhe kursehen edhe 6 miliardë euro për vitet 2013-2014. Nga ana tjetër, trojka ka kërkuar uljen e pagës minimale, liberalizimin e mëtejshëm të tregut apo shkurtimin e shpenzimeve për administratën. Trojka pritet të hartojë edhe raportin mbi të cilin do të bazohet ndihma e radhës për Greqinë. Kësti i gjashtë për qeverinë greke duket se është jetik, pasi vetë qeveria ka deklaruar se të ardhurat po shkojnë drejt fundit.
6 miliarde euro
Do të shkurtohen nga shpenzimet që qeveria greke ka parashikuar për vitet 2013-2014. Këto para janë gjetur “tepër” nga takimet që trojka europiane dhe FMN-ja po zhvillojnë me qeverinë greke. Kjo trojkë pritet të bëjë edhe raportin për këstin e gjashtë të ndihmës.
“Greqia në eurozonë me hile”
Presidenti i Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso, ka kritikuar vendet e eurozonës. Në momentin e pranimit të Greqisë në zonën e monedhës së përbashkët, këto vende kanë ushtruar trysni masive politike ndaj komisionit të BE-së, i tha Barroso gazetës “Bild”. Pranimi i Greqisë ka qenë një vendim politik. Komisioni i BE-së në një raport të vitit 1998 kishte deklaruar shprehimisht se Greqia nuk i kishte plotësuar ende kriteret për euron. Ai i akuzoi vendet e BE-së edhe se deri tani në mënyrë të përsëritur kanë penguar me negociata politike sanksionet efektive ndaj vendeve me borxhe të larta. Vazhdimisht është vepruar sipas motos: “njëra dorë lan tjetrën”. Kjo tani duhet të marrë fund, ka kërkuar Barroso.











