
PRISHTINE- “Jo vetëm vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e BE-së, por edhe zbatimi i marrëveshjeve, të cilat janë arritur deri tani kanë qenë viktima të procesit zgjedhor në Serbi”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Gjatë atij dialogu për më shumë se një vit ishin arritur aq marrëveshje sa për t’ia mundësuar Serbisë të marrë statusin e kandidatit, por pak prej tyre janë zbatuar deri më tani.
Në selinë e BE-së në Bruksel, por edhe diplomatët e shteteve anëtare pohojnë se kanë bërë gjithçka që t’i ndihmojnë Boris Tadicit dhe partive politike, të cilat do te formojnë me të qeverinë e ardhshme në Serbi.
Për çudi, në BE nuk kanë asgjë kundër as ndaj ministrit të Brendshëm, Ivica Daçic, ndonëse mendojnë se ai “nuk është dashur të flasë publikisht se do të arrestojë shqiptarë”. Për këto arrestime të cilat edhe në vetë Serbinë shihen si pjesë e fushatës zgjedhore, në Bruksel pohojnë se “të dyja palët kanë bërë gabime, edhe autoritetet e Prishtinës, po ashtu nuk është dashur të arrestonin qytetarë serbë vetëm pse ata bartnin materiale zgjedhore”.
Ajo që është duke e shqetësuar BE-në si lehtësuese të dialogut është moszbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tash, sidomos marrëveshjen për bashkëpunim rajonal dhe atë për menaxhimin e integruar të pikëkalimeve që Kosova e lexon si Marrëveshje për menaxhim të integruar të kufijve.
Në Bruksel pohojnë se “gjithçka do të ndryshojë pas zgjedhjeve në Serbi” dhe atëherë BE-ja do të kërkojë nga Serbia që në tërësi të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura.
© Panorama.al











