
Nuk gjen asnjë shtyllë të vetme pa flamuj elektoralë. Ai blu i PD-së shoqërohet nga flamuri amerikan, ndërsa i kuqi i PS-së nga flamuri shqiptar.Të dy bashkë, nga një klimë e ashpër politike, ku akuzat dhe kundërakuzat ta bëjnë të vështirë të dallosh të vërtetën nga mashtrimi. Kjo është Bathorja e vitit 2011, që përfshihet në Bashkinë Kamzë, vetëm 25 ditë nga zgjedhjet vendore të 8 majit. E konsideruar gjithmonë si bastion i të djathtëve, PS-ja ka arritur të fitojë vetëm një herë. Më saktë, e pati “dhuratë” (pas balotazhit) nga bojkoti i kryetarit të PD-së, Sali Berisha, në vitin 2001, pas vendimit që e djathta të tërhiqej nga zgjedhjet. Nga ajo kohë, fushata elektorale e të majtëve ka qenë gjithnjë e zbehtë në Bathore (Kamzë), por duket se kësaj here PS-ja e ka seriozisht me kandidatin e saj, biznesmenin Rakip Suli. Seriozisht e ka edhe demokrati Xhelal Mziu, me rikandidimin e tij të dytë për Bashkinë e Kamzës. Po kaq seriozisht e kanë dhe incidentet që lindin në emër të tyre… Kështu ndodhi të dielën e 10 prillit. Një sherr për ideale politike dhe flamuj partie që për pak degjeneroi në vrasje. Me qindra simpatizantë të PS e PD u përplasën me njëri-tjetrin hipur mbi makina, ndërsa qëlluan me gurë e shkopinj. Këto mjete rrëfejnë demokratët, ndërsa socialistët thonë që ishin leva hekuri dhe sëpata. “Ishte një sherr më shumë me fjalë dhe ca guralecë të vegjël”, thotë një militant 20-vjeçar i PD-së, Irsen Hoti, ndërsa nga PS-ja vjen tjetër përgjigje. “Çfarë gurësh? Ku u gjetën gurët në asfalt? Janë përdorur sëpata mbi makina, leva të mëdha hekuri dhe ca shkopinj të trashë. Verifikojeni. Mbi makina duket qartë se çfarë është përdorur. Guralecët do të bënin ndonjë vrimë të vockël, dhe jo të çara gjigande”, thotë Petrit Hoxha, i cili ka qenë dëshmitar në ngjarjen e së dielës. Sipas tij, është e vërtetë që policia ka shkuar shpejt në vendngjarje, por edhe pas pranisë së tyre, militantët e PD-së kanë provokuar me fjalë. Këtë historinë e provokimit e tregon edhe PD-ja, por sipas versionit të saj. “Autokolona e PS-së erdhi me ide të qartë, për të shkaktuar incident. Ai që u lëndua, Elvis Vladi është sjellë nga emigracioni për të shkaktuar trazira elektorale, ndërsa tjetri, Ardian Aliu, nuk ka lidhje fare me Bathoren, pasi është nga Tapiza””, thotë Sami Bytyçi, i cili është njëkohësisht kryetar seksioni i PD-së në Bathore. Sipas tij, sherri i së dielës është fryrë nga PS-ja, pasi ai ka qenë krejt banal dhe pa motive politike. Në gjithë këto rrëfime, sipas partive, vështirë të gjesh në Bathore dikë që të mos i vërë fajin asnjërës palë, por ne e gjetëm. Është pronari i servisit të makinave ku ndodhi incidenti, Mentor Luca, i cili më shumë sesa flet me ne, i bën pyetje retorike vetes: “Po me servisin tim ç’patën!? Ai është pa parti!”.
Flamujt e PS
Është hera e parë që PS-ja vendos flamuj në Bathore pas gati 2 dekadash. Sadin Gjika, i cili është i angazhuar në fushatën elektorale të kandidatit socialist Rakip Suli, thotë se incidentet vijnë për arsyen se kjo është hera e parë që nga viti 1994 që PS-ja vendos flamuj në këtë zonë. Pavarësisht kësaj përpjekjeje, ai thekson se gjithçka u është bërë e vështirë, pasi në kundërshtim me ligjin, kandidati i PD-së, Xhelal Mziu, zuri shtyllat 2 javë para fillimit të fushatës elektorale, ndërsa nuk ka lënë asnjë billboard të lirë për PS-në. “Këto fakte i kemi denoncuar edhe pranë OSBE/ODIHR-it”, thotë Gjika.
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











