Bashkia ndryshon strukturë krijohen 6 drejtori të reja

Oct 12, 2011 | 11:09

Administrata qendrore e Bashkisë së Tiranës do të ristrukturohet. Do të shtohen edhe 6 drejtori të reja, si dhe 2 zyra të veçanta për kategoritë vulnerabil. Agjencia e Mbrojtjes së konsumatorit do të jetë një tjetër strukturë e re pranë këtij institucioni. Kryebashkiaku Lulzim Basha bëri publik dje projektvendimin “Për miratimin e strukturës dhe organikës së aparatit të Bashkisë së Tiranës”. “Në konceptimin e ri të kësaj strukture, në fushat kryesore, faza e planifikimit dhe e operimit (veprimit) do të vendosen në të njëjtën përgjegjësi, çka do të përmirësojë eficiencën e shërbimit ndaj qytetarëve”,tha Basha. Sipas tij, struktura e re do të ketë një zyrë dhe drejtori të investimeve të huaja, e cila do të ketë qëllim kryesor promovimin e Tiranës, si një ambient i përshtatshëm dhe i preferuar për investimet e huaja. Do të krijohet një Drejtori e veçantë për Turizmin dhe  Drejtoria e Përgjithshme e Investimeve Strategjike. Kjo e fundit,  përveç Drejtorisë së Investimeve të Huaja dhe Parkut Teknologjik, do të kujdeset për disa nga projektet kryesore, strategjike të kryeqytetit në katër deri në tetë vitet e ardhshme, siç janë: shtrirja e aksit kryesor nga bulevardi verior i qytetit, rehabilitimi i lumit të Tiranës, ndërtimi i linjave të tramit, përfundimi në faza i Unazës së Madhe të qytetit të Tiranës dhe investime të tjera të një natyre strategjike për qytetin e Tiranës. “Do të ndajmë Drejtorinë e Sportit, Artit, Kulturës dhe Rinisë në dy drejtori të veçanta, një për artin dhe kulturën dhe një për sportin dhe rininë, duke i vendosur këta sektorë të rëndësishëm të jetës në kryeqytet”, tha Basha. Sipas tij do të krijohen dy zyra të reja, qëllimi i të cilave do të jetë përmirësimi i gjithëpërfshirjes së qytetarëve dhe që të rrisin vëmendjen e Bashkisë ndaj kategorive vulnerabil, siç janë pakicat dhe gratë. Njëra prej këtyre zyrave do të jetë Zyra për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe tjetra do të jetë Zyra për Barazinë Gjinore.

438 punonjës
do të ketë në total Bashkia e Tiranës. Ky numër është detajuar sipas organikës
së re e cila pritet të miratohet sot në mbledhjen e këshillit bashkiak. Drejtoritë janë të nëndara në sektorë të veçantë. Me strukturën e re janë shtuar edhe 6 drejtori të reja.

93 punonjës
do të ketë në përbërjen e saj agjencia për mbrojtjen e konsumatorit. Kjo është struktura më e re e ngritur nga bashkia e Tiranës e cila do të përbëhet nga  5 sektorë të veçantë. Synimi i kësaj strukture është kontrolli i ushqimeve, bareve, restoranteve.

2 zyra të reja
do të ngrihen në Bashkinë e Tiranës me  qëllim i  përmirësimin e gjithëpërfshirës së qytetarëve dhe që të rrisin vëmendjen e Bashkisë ndaj kategorive vulnerabil, siç janë pakicat dhe gratë. Njëra prej këtyre zyrave do të jetë Zyra për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe tjetra do të jetë Zyra për Barazinë Gjinore

anetaret e rinj
Pika e parë e rendit të ditës që pritet të diskutohet sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ka të bëjë me vendimin për konstituimin e dy anëtarëve të rinj të Këshillit Bashkiak. Bëhet fjalë për Blerina Kazaferin nga LSI dhe Bojken Lakon nga PD.

Bashkia, gati tenderi për segmentin e ri të unazës
Ndonëse jo e përfshirë në rendin e ditës që i është paraqitur tashmë Këshillit, Ekzekutivi do kërkojë nga Këshilli të konsiderojë edhe një vendim tjetër. Bëhet fjalë për aprovimin në kuadrin aktual buxhetor, hapjen e tenderit për projektin teknik të një segmentit të Unazës së Madhe, pikërisht nga Shkolla Teknologjike tek qendra “Kristal”, ku do të lidhet me pjesën e Unazës së Madhe, që është në ndërtim e sipër. “Ky projekt teknik do të hartohet tërësisht me burimet financiare të Bashkisë së Tiranës dhe pas kësaj, ne do të kërkojmë partneritetin e qeverisë dhe institucioneve të tjera financiare, për të nisur menjëherë punimet, të bindur se investimi në këtë pjesë të Unazës së Madhe do të sjellë një përmirësim të jashtëzakonshëm të situatës së rënduar të trafikut në Tiranë”, sqaroi dje kryebashkiaku Basha. Pjesë e këtij projektimi, sipas termave të referencës, do të jetë edhe rrethrrotullimi i Doganës, sipas Bashës një zgjidhje afatgjatë, nëpërmjet propozimit të kalimit me dy nivele në këtë rrethrrotullim. “Rishikimi i projektit të vjetër, që ekziston për këtë projekt dhe projektimi i plotë në kushtet aktuale të trafikut dhe në projeksionet e rritjes së trafikut, do të jenë specifikat kryesore të këtij tenderi. Duke qenë se nuk ka kohë për të humbur, unë do i kërkoj miqësisht Këshillit Bashkiak, që të konsiderojë për votim edhe këtë projekt të paraqitur nga Bashkia e Tiranës”, u shpreh kryebashkiaku.

Futboll Klub Tirana, kthehet në shoqëri aksionere
Një tjetër vendim, që do i paraqitet për miratim Këshillit Bashkiak, ka të bëjë me kalimin e futboll-klub “Tiranës”, në një shoqëri aksionere, “Në këtë mënyrë do të hapet rruga për fuqizim të kësaj organizate kaq të dashur, për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe në veçanti, për tifozët e saj”, tha Basha. Dy projektvendime të tjera kanë të bëjnë me marrjen e titullit “Qytetar Nderi i Tiranës”, për 2 miq të qytetit, të cilët kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë, në mënyra e forma të ndryshme nga njëri-tjetri. Bëhet fjalë për Lartësinë e tij, Kryeministrin e Kuvajtit, dhe për aktoren e mirënjohur shqiptaro-amerikane, Eliza Dushku.

ZIRINA LLAMBRO

 

© Panorama.al

Te lidhura