Bashkia e Tiranës: Programi për festimin e Ditës së Pavarësisë

Nov 28, 2011 | 9:10

Një sërë aktivitetesh për Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë. Bashkia e Tiranës, me anë të një deklarate për mediat, ka ftuar të gjithë qytetarët t’i bashkohen festimeve për 99-vjetorin e Pavarësisë. Në Tiranë dita do të jetë e mbushur me aktivitete të shumta, ku të gjithë mund të gjejnë atë që duan. Në rrugën “Murat Toptani”, çelet panairi “Blej Shqip”, ku do të ekspozohen dhe tregtohen produkte shqiptare. Po ashtu, Ansambli i Tiranës do të performojë valle të të gjitha krahinave përgjatë rrugës pedonale. Fëmijët do të jenë pjesë e rëndësishme e festimeve për 28 Nëntorin. Në parkun “Rinia”, trupa e cirkut do të shfaqë premierën “Thesaret e Cirkut”. Teatri Metropol do të luajë një pjesë për vogëlushët në terren të hapur. Vogëlushët që prej kohësh ndjekin kurse artistike pranë qendrës TEN, do të performojnë një kolazh këngësh, vallesh popullore, pjesë me violinë, kitarë etj. Në bashkëpunim me Liceun Artistik, do të organizohet një ekspozim pikture interaktive, me temë “Shqipëria ime”. Aktiviteti do të shoqërohet nga Kori i Fëmijëve të Liceut dhe instrumentistët e  Kameratës së Tiranës. Për herë të parë vijnë në menyrë origjinale protagonistët e pavarësisë së Shqipërisë. Aktorët e Teatrit të Metropolit, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar, do të interpretojnë Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Murat Toptanin, Marigonë. Kushdo që ka dëshirë të ketë një foto me këto personazhe, mund ta realizojë në këndin e fotografisë para Galerisë së Aarteve. Tek Galeria Kombëtare e Arteve do të shfaqet me aparaturë tradicionale, jo dixhitale, në ambient të hapur, filmi “Nëntori i dytë”. Atmosfera festive do të kulmojë me koncertin e madh në orën 18:00, në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të marrin pjesë këngëtarët më të njohur shqiptarë. “Bashkia e Tiranës fton edhe një herë të gjithë shqiptarët të festojmë së bashku në Tiranë, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë”, thuhet në deklaratën për mediat.

Programi
Në rrugën “Murat Toptani” çelet panairi
“Blej Shqip”.

Në parkun “Rinia” shfaqet premiera
“Thesaret e Cirkut”.

Teatri Metropol do të luajë një pjesë për
fëmijët në terren.

Ekspozim pikture interaktive, me temë
“Shqipëria ime”.

Koncert në orën 18:00, në sheshin “Nënë Tereza”.

© Panorama.al

Te lidhura