
Më shumë u dhanë në vitin 2004, më pak më 2007.
Në total, nga viti 2001 deri në vitin 2009, Bashkia e Tiranës ka lëshuar 680 leje ndërtimi. Prej tyre 256 janë të rregullta, ndërsa 424 të tjera janë me probleme. Në tabelën bashkangjitur shkrimit lejet janë të ndara në disa kategori. Kështu, janë pajisur me leje shfrytëzimi 256 subjekte. Kjo do të thotë që subjekti ka përfunduar të gjithë procedurën ligjore në Bashki dhe dosja i është deleguar ZRPP-së për hipotekim. Në proces shqyrtimi janë 41 objekte, çka do të thotë që subjekti është në proces ndërtimi apo në fazën përfundimtare dhe nuk janë përfunduar të gjitha aktet e kontrollit. Në këtë hark kohor është bërë ndërprerja e procedurave për 43 objekte. Bëhet fjalë për rastet kur subjekti nuk është interesuar për të vazhduar procedurat, aktet e kontrollit për t’u pajisur me lejen e shfrytëzimit për arsye të ndryshme. Subjekti mund të jetë larguar nga vendi apo mund të ketë falimentuar. Në proces legalizimi janë 61 objekte, çka do të thotë që subjekti ka aplikuar pranë agjencisë së ALUIZNI-it me shpresë që procedura do të zgjasë më pak dhe për të legalizuar shtesat e kateve që mund të jenë realizuar”. Nuk kanë aplikuar për leje shfrytëzimi 279 subjekte. Ato në këtë rast kanë marrë lejen e ndërtimit në Bashki, por nuk kanë aplikuar për leje shfrytëzimi. Vitet me numrin më të lartë të lejeve të ndërimit janë vitet (2003-2004) ku janë miratuar 203 leje ndërtimi. Prej tyre janë pajisur me leje shfrytëzimi: 106 aplikime. Në vitin 2005 janë miratuar 120 leje ndërtimi, prej të cilave janë pajisur me leje shfrytëzimi 47 aplikime. Pas vitit 2006 vihet re një rënie e lejeve të ndërtimit. Këtë vit janë miratuar 56 leje ndërtimi, prej të cilave anë pajisur me leje shfrytëzimi 14 aplikime. Viti 2007 shënon numrin më të ulët të lejeve të dhëna. Janë miratuar 5 leje ndërtimi, prej të cilave është pajisur me leje shfrytëzimi vetëm një aplikim. Në vitin 2008 janë miratuar 89 leje ndërtimi, ndërsa na vitin 2009, 25 leje ndërtimi.

ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











