
Pas nxitjeve zyrtare nga Rusia, Presidenti sirian, Bashar al Asad, ka akuzuar Kosovën se po stërvit opozitën siriane, në mënyrë që ata të organizojnë përpjekje të armatosura për të rrëzuar qeverinë. Sipas Asad, opozita po përgatitet të pushtojë Sirinë. Një ditë më parë, Ministria e Jashtme e Rusisë ka akuzuar autoritetet kosovare se janë të lidhura me opozitën siriane dhe po stërvitin rebelët sirianë. Sidoqoftë, në njoftim thuhej se informacioni ishte marrë nga mediat. “Vëmendjen tonë e tërheqin raportet e fundit të mediave mbi lidhjet e opozitës siriane dhe të autoriteteve të së ashtuquajturës Republika e Kosovës. Kjo përfshin stërvitjen e rebelëve të Sirisë në Kosovë”… dhe “shndërrimi i Kosovës në bazë ndërkombëtare për ushtrimin e rebelëve për formacione të ndryshme të armatosura mund të jetë faktor kryesor destabilizues në Ballkan”. Sipas mediave ruse, delegacioni i rebelëve sirianë ka udhëtuar në Prishtinë direkt nga SHBA. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i mohoi akuzat gjatë vizitës së tij në OKB. Por Asad thekoi se “Informacioni është i sigurt, grupe opozitare siriane udhëtojnë drejt Kosovës për t’u përgatitur ushtarakisht, me qëllim që të jenë të gatshëm për pushtimin ushtarak të Sirisë”, tha Asad në agjencinë ruse “Russia 24”. Presidenti sirian shtoi se ushtria siriane ka arritur t’i kapë “mercenarët e huaj” që luftonin për opozitën dhe do të veprojnë njëlloj me të gjithë ata që kërcënojnë vendin. Prej më shumë se një viti Siria ndodhet në prag të luftës civile. Asad po vazhdon bombardimet në qytetet rebele, megjithëse ka nënshkruar një plan paqeje të ofruar nga ndërmjetësi i OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë, Kofi Anan.











