
Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, e ftoi dje sërish kundërshtarin e tij në garën e 8 majit, Edi Ramën, në një debat publik.Në një intervistë në emisionin “Debat”, në televizionin “Vizion plus”, Basha tha se nuk pret që të marrë një telefonatë urimi nga Rama më 8 maj, pasi ai të fitojë zgjedhjet. “Më datë 8 maj unë pres të fitojë qytetaria, pres të fitojë projekti për qytetarët dhe pres të fitojë oferta ime për qytetin. Jo thjesht Lulzim Basha. Nuk pres që zoti Rama të më telefonojë, por nuk e kem problem të madh. Nëse nuk më telefon, nuk do të jetë fundi i botës”, u shpreh Basha kur u pyet nëse do ta telefononte kundërshtarin e tij po t’i humbiste zgjedhjet. Në të njëjtën kohë, kandidati demokrat për Tiranën përsëriti edhe njëherë ftesën për debatin publik me kundërshtarin e tij, me gjithë refuzimet e vazhdueshme të Ramës. “Ju duhet ta dini që unë kam bërë një ftesë të përsëritur për zotin Rama, kandidatin tjetër për kreun e Bashkisë së Tiranës, që ne të dy të angazhohemi në një debat mediatik, sipas një formati të rakorduar më parë, por nëse do zoti Rama edhe sipas cilitdo formati që të zgjedhë stafi i tij, sepse mendoj që qytetarëve të Tiranës nuk u duhet mohuar e drejta për të dëgjuar të shpalosura platformat dhe për t’iu përgjigjur interesit të qytetarëve më 8 maj”, u shpreh më tej Basha. Ish-ministri i Brendshëm theksoi se pas 8 majit do të mbrojë me çdo kusht interesat e qytetarëve të Tiranës dhe nuk përjashtoi mundësinë për t’u përplasur me qeverinë nëse preken këto interesa. “Edhe në opozitë mund të jem, nëse i leverdis interesit të Tiranës. Unë do të jem në aleancë me këdo që më ndihmon në projektin për Tiranën dhe nuk do t’i trembem t’i qëndroj pozicionit tim dhe të mbroj pozicionin e qytetarëve të Tiranës që unë përfaqësoj”, theksoi Basha. I pyetur nëse këtë përplasje do ta bënte edhe nëse në krye të Qeverisë do të vazhdojë të jetë kryeministri Berisha, ai u përgjigj: “Me këdo, por nuk besoj se puna do të vijë aty. Nëse interesi i qytetarëve të Tiranës kërcënohet nga qeverisja qendrore, nuk ka rëndësi çfarë ngjyre ka kjo qeverisje. Unë do të jem në ballë, bashkë me interesin e qytetarëve”.
Kritikat e PS
Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën iu përgjigj për herë të parë edhe akuzave të ardhura nga Partia Socialiste, se ka marrë të dhënat personale të qytetarëve dhe u ka dërguar atyre mesazhe për ditëlindje. I pyetur se ku i ka gjetur numrat e telefonave të qytetarëve që u ka dërguar mesazhe, Basha tha se ky informacion është siguruar nga Partia Demokratike, pas kontakteve që ajo ka pasur me banorët e kryeqytetit. “Të dhënat që disponon fushata ime janë të dhëna të mbledhura nga fushata e Partisë Demokratike në ‘grasrut’, në kontaktin me qytetarin, i cili zhvillohet në disa nivele, në nivelin e kontaktit fizik dhe virtual. Në kontaktin virtual, faqja ime në Facebook ka mbi 170 mijë fansa, të cilët qarkullojnë mbi 3 milionë klikime në ditë te njëri-tjetri. Këto informacione, sot, me mjetet e komunikimit, siç është interneti, lëvizin shumë shpejt dhe janë mbi baza vullnetare”, u shpreh Basha. Kandidati i PD-së foli edhe për faktin që një pjesë e shtabit të tij është e vendosur jashtë selisë së partisë, pranë “Torre Drinit”. Sipas Bashës, kjo ka ardhur për faktin se gjatë zgjedhjeve është mobilizuar një numër i madh personash, shumë më shumë nga kapaciteti që mban godina e demokratëve. Në fund, kandidati i PD-së u shpreh se oferta e tij për qytetarët e Tiranës është: “Nëse jeni ngopur me politikë, nëse ju ka ardhur në majë të hundës me zgjidhjet e përditshme që vonojnë për shkak të konfliktit politik që ka zënë nga fillimi deri në fund axhendën aktuale të Bashkisë, nëse mendoni se ka ardhur koha t’i përvishemi punës dhe të merremi me hallet e përditshme, që s’janë të majta dhe të djathta, por kërkojnë zgjidhje, atëherë unë jam gati, jam në shërbimin tuaj”.
Basha me të moshuarit
Gjatë takimeve elektorale të ditës së djeshme, kandidati i PD-së për Tiranën, Lulzim Basha, u takua dje me të moshuarit e kryeqytetit. Gjatë drekës me këtë shtresë, tre prej tyre kishin ditëlindjen. “Unë do të përpiqem me mish e me shpirt për përmirësimin e kushteve të moshës së tretë në kryeqytet. Bashkia mund, duhet dhe nën drejtimin tim do të investojë. Do të hapim më shumë qendra sociale, edhe për ata që vijnë gjatë ditës, ku të moshuarit të kenë mundësi të marrin shërbim mjekësor falas, të bëjnë aktivitete të tjera falas, të lexojnë shtypin ditor falas, pra të kenë mundësi të kalojnë kohën e tyre në një ambient sa më të këndshëm”, u tha Basha të moshuarve. Por jo vetëm në këtë ditë dhe në raste gëzimi të moshuarit do të kenë vëmendjen e Lulzim Bashës. Si kryetar bashkie ai parashikon shtim të qendrave sociale dhe përkujdesje të vazhdueshme ndaj tyre.
“Brenda vitit, projekti për zgjatjen e bulevardit”
Brenda vitit të parë do të marrë jetë projekti i zgjatimit të bulevardit nga Stacioni i Trenit, deri te Bregu i Lumit. Këtë ka deklaruar Lulzim Basha në Njësinë Bashkiake Nr. 9, ku ka prezantuar kandidatin për kryetar të Njësisë Bashkiake, Indrit Fortuzi. Ulje e taksave në funksion dhe të normalizimit të çmimeve, krijimi i një fondi garancie për kredi të buta për strehimin e çifteve të reja dhe ndërtimi brenda 4 viteve të ardhshme i 1000 apartamenteve sociale, janë ndër prioritetet e programit të kandidatit për kryetar bashkie, Lulzim Basha. “Do të vazhdojmë me një vepër, e cila mbeti ëndërr, por nën përkushtimin tim si kryebashkiaku juaj i ardhshëm, do të fillojë të marrë jetë brenda vitit të parë zgjatimi i bulevardit nga Stacioni i Trenit deri te Bregu i Lumit. Do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në vlerën e pronës së banorëve të Njësisë Vendore Nr. 9, si dhe volumin dhe cilësia e kapitalit që do të investohet në këtë arterie të re dhe të fuqishme do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të Tiranës”, u shpreh kandidati demokrat.
Topalli: Ne votojmë në paqe e të lirë
Kryetarja e Kuvendit prezantoi në komunën e Gruemirës, kandidatin Asim Burgaj. “Fushata jonë është fushatë pozitive. Ne i shërbejmë me përkushtim çdo banori. Ne do të votojmë si europianë, në paqe e të lirë”, u shpreh Topalli. Sipas kryetares së Kuvendit, zgjedhjet e 8 majit janë zgjedhje lokale, janë zgjedhje administrative, janë zgjedhje vendore, duke i ftuar banorët e kësaj komune të votojnë kandidatin demokrat. “Ne respektojmë dhe do t’i shërbejmë çdo banori të kësaj komune. Në 4 vitet e ardhshme do të bëjmë ujësjellësin e fshatit Grizhë, rrugën Gruemirë-Kurtaj”, u shpreh Topalli.
MIRANDA SADIKU
© Panorama.al











