
Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, premton shtim të ambienteve sportive në kryeqytet.Basha ishte i ftuar në finalen e turneut “Universiada”, ku konkurruan 14 universitete publike dhe private në sporte, si atletikë, minifutboll, basketboll, volejboll dhe pingpong. Kampionati u fitua nga Universiteti i Sporteve të Tiranës, duke lënë në vend të dytë Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, ndërsa në vend të tretë doli Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës. Duke uruar kampionët, Basha garantoi se nën drejtimin e tij, Bashkia e Tiranës do të financojnë gara sportive, por jo vetëm mes shkollave të Tiranës. “Ne do ta mbështesim fuqishëm këtë “Universiadë” dhe kjo do të kthehet si një traditë e përvitshme me mbështetje të fuqishme të Bashkisë së Tiranës dhe kryebashkiakut tuaj të ardhshëm. Ju siguroj se Bashkia e Tiranës do të rikthejë të gjitha ambientet sportive dhe do investojë për këtë. Studentët e këtij Universiteti të mrekullueshëm kur të mbarojnë dhe të kenë diplomat e tyre, do të kenë po kështu me dhjetëra ambiente të reja sportive, palestra të mrekullueshme si kjo për të kryer aktivitetet e tyre, për t’i dhënë qytetarëve të Tiranës cilësinë e jetës”, tha Basha. Tradita e universiadave në botë është e hershme dhe për herë të parë një veprimtari e tillë është organizuar në vitin 1923 me emrin “Kampionati Ndërkombëtar i Universiteteve”, ndërsa emri i tanishëm, Universiada, nisi të përdorej që nga viti 1959 në lojërat e Torinos në Itali. Gjatë paradites së djeshme, kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën u është bashkuar të rinjve për një kafe në zonën e ish-Bllokut, frekuentuar më së shumti prej tyre. Basha ka bashkëbiseduar me ta jo vetëm për programin si kandidat për kryetar bashkie, por duke u shuar kureshtjen edhe për pyetje me karakter personal, si për angazhimin tij në sport, por edhe për vëzhgimin e zgjedhjeve pluraliste. Në të njëjtën kohë, ai iu përgjigj pozitivisht ftesës së të rinjve për t’u bërë pjesë e një feste të organizuar prej tyre. Politikat për të rinjtë zënë një vend të veçantë në programin e Lulzim Bashës, e për këtë arsye kandidimi i tij për kryetar bashkie po mbështet në masë prej tyre, çka dëshmohet edhe në shifrat rekord mbështetja në Facebook. “Kemi një aspekt që është gati për Tiranën europiane dhe kjo është rinia moderne europiane që e do Tiranën me gjithë zemër dhe që sonte kjo rini, ja ku jemi realë, nuk jemi virtualë. Që prej sonte, jemi në Facebook jo më pak se 200 mijë”, tha Basha. Kandidati i PD-së është duke zhvilluar takime në të gjitha njësitë bashkiake në Tiranë, ku ka premtuar hapje të vendeve të punës, ndërtimin e unazës së madhe, ndërtimin e tramvajit, si dhe zgjatjen e Bulevardit “Zogu i Parë” deri te Bregu i Lumit.
“E vërteta e pasaportës amerikane”
Kandidati i PD-së, Lulzim Basha, ka mohuar ekzistencën e një pasaporte amerikane me emrin e tij. Zëdhënësja e fushatës elektorale e kandidatit demokrat, Anila Bisha, tha në një konferencë për shtyp se Basha nuk ka pasur asnjëherë një pasaportë amerikane. “Në formularin e paraqitur ka një lapsus. Siç mund të verifikohet lehtësisht, pasaportat amerikane kanë 9 dhe jo 7 shifra. Pasaporta me numër 0160138 është pasaportë shqiptare. Kjo pasaportë i përket Lulzim Bashës. Lulzim Basha ka pasur gjithmonë pasaportë shqiptare. Lulzim Basha nuk ka pasur asnjëherë pasaportë amerikane. Lulzim Basha ka përmbushur me transparencë të plotë të gjitha deklarimet e tij pasurore. Këto deklarime janë kontrolluar dhe verifikuar në mënyrë të plotë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë”, u shpreh Anila Bisha.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











