
TIRANE- Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i shoqëruar nga ambasadori i BE-së, Etore Sekui dhe ministri i Kulturës, Aldo Bumçi përuroi restaurimin e njërës prej rrugëve më të vjetra në Tiranë, “Murat Toptani”.
Në fjalën e rastit, Basha e quajti këtë përurim një ngjarje mjaft të veçantë dhe shumë të bukur, ndërsa shtoi se “ky është një inagurim pa risk, pasi qytetarët e kanë aprovuar ndërtimin e kësaj rruge prej muajsh dhe e kanë shijuar atë”
Basha u shpreh se restaurimi i kësaj rruge është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të gjatë me Bashkimin Evropian.
“Dua tju siguroj se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi me BE-në. 100 metra më ketëj po zhvillohen punimet për rehabilitimin e sheshit “Skëndërbej”. Pas disa ditësh do të hapim konkurimin për zgjatimin e bulevardit qëndror të Tiranës. Po kështu do të lançojmë me miratimin e Këshillit Bashkiak tenderin për segmentin e unazës nga qendra Teknologjike deri tek qendra Kristal. Së shpejti do të bëjmë të ditur edhe datën e hapjes së tenderit për dizajnin teknik të Tramit të Tiranës”- tha Basha.
Ambasadori i BE-së, Etore Sekui u shpreh se “ky projekt është vetëm një pjesë e investimeve që BE po bën në Shqipëri, të cilat arrijnë shifrën rreth 9 milionë euro për restaurimin e disa vendeve historike, në shumë qytete të vendit”
© Panorama.al











