Basha merr në Bashki 6 më të mirët e Inxhinierisë

Oct 22, 2011 | 12:33
Basha dje gjatë ceremonisë së diplomimit në UP

Gjashtë studentët më të mirë të Universitetit Politeknik të Tiranës do të fillojnë punë në Bashkinë e kryeqytetit. Deri më 15 dhjetor, 20 studentë të tjerë do të kenë mundësi të kryejnë praktikën profesionale pranë këtij institucioni, kundrejt pagesës. Dje, gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e diplomimit të 247 inxhinerëve të rinj të UP, kryebashkiaku Lulzim Basha i ftoi të kontribuojnë për Planin Urbanistik. Basha foli dhe për projekte të tjera të mëdha që ka Bashkia, si krijimi i parkut teknologjik, që do t’u japë mundësi të gjithë inxhinierëve të rinj që të ushtrojnë njohuritë e tyre si dhe të kenë mundësi të zhvillohen. “Ju jap fjalën se brenda 1 marsit të vitit të ardhshëm do të ngremë programin e stazheve, do të jetë i instaluar plotësisht dhe gjithsecili prej jush që zgjedh apo dëshiron të kryejë stash pune 3-6 muaj në institucionet publike apo private. Po kështu, do të ketë një mbështetje financiare, simbolike prej 10 mijë lekësh nga Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me institucione të tjera, që do t’i bashkëngjiten programit tonë të stazhit”, tha Basha. Ai theksoi se për 1/3 e të sapodiplomuarve që i përkasin Fakultetit të Teknologji-Informacionit, Bashkia e Tiranës do të bëjë të mundur të nisin sipërmarrjen e tyre, për të vënë në jetë dijet që kanë marrë. “Që nga ndërtimi i  software-sh, programesh, hardware, eksplorim të teknologjive më moderne, bashkëpunim me kolegët tuaj kudo në Europë. Të gjithë këtë mund ta bëni me një park teknologjik, i cili brenda vijës së verdhë të qytetit të Tiranës do t’ju ofrojë hapësirën fizike si dhe subvencione të mjaftueshme për të ndërtuar laboratorët tuaj dhe për të nisur punën tuaj, në formën e një kompanie të vogël apo të mesme”, tha Basha.
Ai shtoi se punësimi mbetet prioriteti kryesor i Bashkisë së Tiranës. “Punësimi mbetet problem dhe prioriteti kryesor për mua, por unë mendoj se duke vënë në jetë premtimet dhe angazhimet e marra dhe duke e bërë këtë me bashkëpunimin tuaj, duke e bërë këtë së bashku dhe me konsultim, duke mësuar nga rruga që kemi nisur së bashku të eksplorojmë, nga ura që lidh botën akademike me atë të punësimit”, tha Basha. Ai i ftoi inxhinierët e rinj të japin kontributin e tyre në mënyrë që të përfundojë në kohë Plani Urbanistik i Tiranës. “Gjithashtu, mirëpres kontributin tuaj për hartimin e studimeve të detajuara për zona të veçanta të qytetit tonë, apo aspekte të veçanta të qytetit, siç është infrastruktura e re, që nga Unaza e Madhe dhe përfundimi i saj, te trami, Stacioni i ri i Trenit. Këto janë detyra projektimi që janë të hapura për secilin prej jush dhe kolegët tuaj. Dhe, natyrisht, profsesorët tuaj në fakultetet përkatëse”, tha Basha.

© Panorama.al

Te lidhura