Basha: Ja projektet për punësimin

Oct 26, 2011 | 11:24
Kryebashkiaku Basha me përfaqësuesin e Dhomës Amerikane, Genc Boga

Biznesi është një aleat me të cilin rritja e bashkëpunimit do të jetë prioritare. Për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, marrëdhënia e partneritetit do të udhëheqë jo vetëm në zgjidhjen e problemeve që biznesi has gjatë operimit të tij në treg, por së bashku do të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët. Kanë qenë këto disa nga pikat ku është ndalur dje në fjalën e tij kreu i Bashkisë, Lulzim Basha, gjatë një dreke pune të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë me bizneset anëtare të saj. Gjatë kësaj dreke, atij i është dorëzuar edhe axhenda e punës e Dhomës Amerikane lidhur me çështjet që do të jenë në fokus të takimeve që organizohen nga kjo dhomë. Duke marrë në dorëzim axhendën për rreth 30 minuta, Basha ka shpalosur para biznesit projektet me të rëndësishme të Bashkisë në ndihmë të lehtësimit të burokracive në procedura, por edhe formalizimit të tregtisë në kryeqytet. Sakaq, ai dha detaje lidhur me planin urbanistik të kryeqytetit, duke theksuar se konsultimi me grupet e interesit apo konsultimi publik do të jenë momente shumë të rëndësishme të procesit të finalizimit.
Punësimi
Një pikë tjetër e rëndësishme e diskutuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës ishte ajo lidhur me punësimin dhe projektin e hartimit të një database të tregut të punës. “Unë besoj fuqimisht se një hap i tillë do të kontribuojë në një shkëmbim më cilësor informacioni. Bashkia e Tiranës do të krijojë mundësi kualifikimi për krahun e punës nëpërmjet programeve të stazheve, tri apo gjashtëmujore, të mbështetura financiarisht nga Bashkia e Tiranës, si dhe nga programet e Bashkisë së Tiranës”, tha Basha. Sakaq, këtë projekt e kanë mbështetur edhe bizneset e Dhomës Amerikane të Tregtisë, të cilat kanë ofruar bashkëpunimin e tyre. Madje, përfaqësues të kësaj dhome sollën në vëmendje se prej vitesh është krijuar tradita e organizimit të Panairit të Punës, i cili ka rezultuar jo pak i suksesshëm.
Biznesi
Lidhur me biznesin, Basha premtoi lehtësim të të gjitha procedurave, duke sjellë në vëmendje edhe një herë lançimin e “one stop shop” pranë Bashkisë, çka pritet t’u japë fund pritjeve të gjata të biznesit. “Unë e di fare mirë se gjithsecili prej jush, në harkun kohor të tre muajve të fundit (po marr pjesën e përgjegjësisë sime), ka harxhuar orë, ditë, para, durim në veprimet në Bashkinë e Tiranës për çështje të caktuara, licencimi, marrje lejeje, informacioni. Nuk duhet dhe nuk ka pse të jetë kështu. Bashkia e Tiranës është një njësi shërbimi ndaj jush dhe duhet ta kryejë në kohën më të shpejtë, me komoditetin më të lartë dhe pa kosto”, tha Basha. Lidhur me kostot, ai kujtoi se Bashkia do të punojë për të ulur kostot e shërbimit ndaj qytetarëve, madje një hap i tillë u mbështet edhe nga heqja e disa taksave e tarifave, gjë që u mirëprit dhe u përshëndet edhe nga bizneset e pranishme në drekën e Dhomës Amerikane. Basha mbylli fjalën e tij, duke lënë të hapur derën për të diskutuar me bizneset çdo problem të tyrin. “Gjej rastin për t’ju falënderuar dhe për t’ju siguruar se institucionalizimi, përherësia e dialogut tonë, e bashkëpunimit tonë, dialogut tonë dhe bashkëvendimmarrja me ju do të karakterizojnë të gjitha vendimet e mëdha që na presin, vendime të cilat nuk do të zgjasin shumë, nëse duam të nisim menjëherë implementimin e tyre” u shpreh ai.

Nga debati ne takim
Roland Hysa, kryetari i Unionit të Tregtarëve Agro-Ushqimorë:
Ne dëgjuam që ju po bëni hartimin e planit të Tiranës. A do të merret për bazë mendimi i grupeve të interesit në lidhje me këtë projekt?
Lulëzim Basha: Jo vetëm do të merret mendimi i grupeve të interesit, por ju grasatoj publikisht që nuk do të ketë asnjë hap para pa marrë plotësisht mendimin e grupeve të interesit, veçanërisht grupeve të biznesit. Kjo jo vetëm për një fushë kaq të rëndësishme siç është tregtia agro-ushqimore për vendndodhjen e tregjeve, por absolutisht për çdo rast të aktivitetit ekonomik, financiar prodhues e të shërbimeve në qytetin e Tiranës. Kjo do të bëhet me gjithë grupet e interesit dhe do të kulmojë me atë që mandaton ligji dhe që është konsulenca e gjerë me publikun. Do vendosim mekanizma të vërtetë të marrjes së mendimit dhe jo formalë.
Biznesi i Telekomunikacionit: Kemi një problem dhe një kontradiktë me ligjin, për sa i përket mbrojtjes së investimeve tona. Ne kërkojmë të trajtohemi të barabartë në lidhje me rrjetet dhe individët ku kemi investuar infrastrukturë, tubacione, kabllo. Në implementimin e programit që ka Bashkia për t’u shërbyer qytetarëve në kuadrin e projekteve “one stop shop” e të tjera, donim që këto rrjete inxhinierike të ishin të pasqyruara më së miri për të mirë të qytetarëve së pari; Dhe e dyta, të kishim rregullatorin ligjor që të funksionojnë dhe të na mbrojë edhe ne, siç mbron ndërmarrjet ish-shtetërore, të cilat ofrojnë shërbime të ngjashme.
Lulëzim Basha: Ju kuptoj drejt. Nuk ka çelës tjetër më të rëndësishëm këtu, sesa konkurrenca e drejtë dhe e ndershme, prandaj Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit do të ketë dhe ka në vëmendjen e saj një nga projektet më kryesore, të ndërhyjë aty ku konkurrenca e ndershme, e sanksionuar me ligj, deformohet për shkak të sjelljes së aktorëve në treg. Në momentin kur baza ligjore është e plotë, nuk ka vend as privilegjim dhe as për kërcënim. Kjo vlen në të dyja anët e ekuacionit edhe në raport me shpejtësinë, komfortin për të shtrirë aktivitetin në kryeqytet, por dhe cilësinë me të cilën ju e bëni këtë. Këtu gjej rastin të përmend një problematikë, që me siguri shumica prej jush e ka konstatuar, qytetarët e konstatojnë përditë- problematika e rrjetave të telave në kryeqytet, që vjen për shkak të mosdisiplinimit të aktivitetit nga ata që ofrojnë internet dhe telekomunikacion. Ne duke filluar nga java e kaluar do të forcojmë të gjitha procedurat për të lehtësuar bizneset, por edhe ju nga ana juaj duhet të na përgjigjeni brenda 6 muajve të ardhshëm, që këto rrjeta të mos jenë të varura në Tiranë.
Albert Nasto Shoqata e Biznesit të Mesëm dhe të Vogël: E dimë që në Bashkinë e Tiranës 85 për qind e biznesit është biznes i vogël dhe doja të dija se çfarë do të bëjë Bashkia për informalitetin me tregjet, me shitjet në rrugë dhe sistemimin e biznesit që shet në rrugë. Ju falënderoj për ato 60 taksa dhe tarifa që keni hequr.
Lulëzim Basha: Lufta kundër informalitetit është e matshme dhe, në këtë kuadër, është progresi që ne do të bëjmë kundër kësaj që do të përcaktojë suksesin në raport me mbledhjen e tatimeve dhe përmirësimin e konkurrencës në treg. Unë ju them se vetëm gjatë muajit gusht janë regjistruar 492 biznese të vogla të palicencuara. Një nga kriteret me të cilat unë mat performancën e aparatit të tatim-taksave, është shkalla me të cilën po përparon procesi i regjistrimit të bizneseve të paregjistruara.
Dritan Mezini (Grup interesi Teknologjia e Informacionit): Cilat janë planet e Bashkisë sidomos në planin e shërbimeve elektronike?
Lulëzim Basha: Bashkia aktualisht ndodhet në një gjende aspekt të përshtatshme në raport me teknologjinë e informacionit. Nuk punon as centrali. Nuk ka rrjetin e e-goverment dhe nuk ofron shërbime online. Kemi lançuar një projekt për këtë qëllim, i cili do të bëjë ofrimin online të të gjitha shërbimeve. Me atë që ofron sot teknologjia e informacionit, do të mund të jemi efikas edhe në veprimtarinë tonë të përditshme apo krijimin e database-ve apo ofrimin e shërbimit online dhe bëhet fjalë për një projekt që do të zgjasë 3 muaj.

Plani urbanistik, diskutohet heqja e vijës së verdhë në Tiranë
Plani urbanistik i Tiranës, një nga prioritetet më madhore të Bashkisë për zhvillimin e kryeqytetit, u diskutua dje gjatë një takimi me grupet e interesit. Grupi Strategjik, i cili përbëhet nga përfaqësues të botës akademike me personalitete publike të qytetit të Tiranës dhe shoqata të ndryshme, shkëmbyen mendime mbi mënyrën si do të hartohet ky plan. U diskutua rreth çështjeve të ngritura nga grupi teknik që merret me planin urbanistik, siç është analiza e situatës ekzistuese urbane, informacioni i grumbulluar për infrastrukturën ekzistuese, si dhe për metodologjinë që do të përdorët në hartimin e këtij plani. Të pranishmit ishin në një mendje lidhur me domosdoshmërinë e zhvillimit të balancuar të Tiranës me zonat përreth. Në këtë takim u prezantua dhe u miratua materiali në formën e detyrës së projektimit që do t’i kalohet për miratim Këshillit Bashkiak. Pas miratimit të këtij materiali dhe me nisjen e  artikulimit të ideve të para se si do të projektohet zhvillimi i Tiranës, do të nisë edhe procesi i konsultimeve me qytetarët. Konsultimet e gjëra që do të bëhen për Planin Urbanistik do të jenë në terma konkretë, në mënyrë që zëri i qytetarëve të reflektohet në Planin e ri Rregullues të Tiranës. Nga sa ka deklaruar kreu i Bashkisë së Tiranës, kur e ka prezantuar planin urbanistik si një nga prioritetet e tij, ky plan  synon zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit, që do t’i hapë rrugën zhvillimit ekonomik dhe mjedisor të tij, duke nxitur dhe hapjen e vendeve të reja të punës në qytet. Në hartimin e këtij plani do të pasqyrohet gërshetimi i interesave publike dhe atyre private, duke pasur në thelb mbrojtjen e hapësirave publike dhe atyre të gjelbra. Plani i ri urbanistik nuk shihet veçmas asaj që rrethon Tiranën, por e integruar me këtë pjesë. Në këtë prizëm, rëndësi do t’i kushtohet harmonizimit me komunat dhe bashkitë përreth, dhe arritja e një konsensusi sa më të gjerë me banorët e Tiranës. Një tjetër pikë është edhe ajo që lidhet me një nga problematikat më të mëdha që është shfaqur në kryeqytet, siç është trafiku.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura