Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, kërkoi nga Serbia dhe Kosova që të zgjidhin problemet kufitare dhe theksoi se kufijtë e bllokuar janë të papranueshëm. “Kërkoj nga Beogradi dhe Prishtina që t’i zgjidhin të gjitha çështjet që janë në pritje dhe është e papranueshme që kufijtë të jenë të bllokuar”, tha ai, duke shtuar se “i kam takuar përfaqësuesit e të dyja qeverive gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork dhe u thashë se duhet t’i zgjidhin të gjitha mospajtimet përmes dialogut”, theksoi sekretari i Përgjithshëm i OKB-së gjatë qëndrimit të tij në Bernë. Sot përfudnon edhe ultimatumi i KFOR-it për heqjen e barrikadave në Veri të Kosovës. KFOR-i është në pritje të reagimeve të serbëve për heqjen e barrikadave. Përfaqësuesit e serbëve i kanë vazhduar konsultimet, dhe përmes mediave lokale i kanë dërguar mesazhe tejet negative KFOR-it. Zyrtarë të KFOR-it kanë deklaruar se forca paqeruajtëse e ka marrë tashmë vendimin e cituar nga gjenerali Erhard Dreus, i cili ka shtyrë kohën e konvojeve të KFOR-it për furnizimin e trupave të KFOR-it në pikat kufitare deri të martën, duke u dhënë kështu më shumë kohë qytetarëve të Veriut të Kosovës në largimin e barrikadave rrugore.











