Banorët e Levanit në protestë: Salillari na mori tokat! Nuk na japin certifikatën e pronësisë! I kemi përfituar sipas ligjit

Dec 3, 2025 | 15:44

Banorët e Boçovës në Levan kanë dalënë protestë, pasi tokat bujqësore që i kanë punuar prej gati tre dekadash rezultojnë të jenë regjistruar në emër të kompanisë “Brevi Konstruksion”, me administratore Afërdita Salillarin.

banoret e levanit proteste

Sipas tyre, në Kadastrë toka ka kaluar në pronësi të firmës që një vit më parë, ndërsa vetë banorët, ndonëse përfituan sipërfaqet me ligjin 7501, nuk kanë mundur të marrin ende certifikatat e pronësisë.

“Jam vendosur këtu në vitin 1994. Sipas ligjit 7501 na u dha toka, kemi punuar e mbjellë çdo vit, por tani na del dikush tjetër pronar. Ne i kemi paguar taksat rregullisht dhe kemi tapitë,” thotë një prej banorëve.

Të tjerë tregojnë se proceset e pafundme burokratike i kanë lënë pa dokumentet zyrtare që i kërkojnë prej vitesh.

Situata është tensionuar kur, sipas banorëve, kompania nuk i ka lejuar të hyjnë në parcelat që i kanë punuar për 30 vite. Madje disa prej tyre thonë se janë shoqëruar edhe në polici.

“Kemi ardhur të punojmë tokën, por kompania pretendon se është pronare e sipërfaqes që ne e kemi me ligjin 7501. Më shoqëruan në polici dhe më thanë se paskam hyrë në pronë të tjetrit,” rrëfen një banor.

Banorët i janë drejtuar me kërkesë zyrtare Njësisë Administrative Levan. Ky institucion i ka kërkuar kompanisë “Brevi Konstruksion”, ish “Salillari Construction”, të dorëzojë dokumentacionin për shfrytëzimin e rreth 10 hektarëve tokë. Megjithatë, sipas banorëve, deri tani nuk ka asnjë përgjigje.

© Panorama.al

Te lidhura