Gjykata Themelore në Kosovë dënon me burg një person për spiunazh ndaj Serbisë, ish-pjesëtar i ISIS

Jun 15, 2026 | 9:41

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Hysri Selimin, ish-pjesëtar i ISIS, duke e dënuar me 6 vite burg për spiunazh në favor të Serbisë.

hysri selimi

Sipas aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Selimi ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës së Serbisë (BIA), duke u transmetuar informacione që lidhen me sigurinë dhe zhvillimet fetare në Kosovë.

Sipas mediave në Kosovë, ai zhvilluar takime me zyrtarë të BIA-s, përfshirë drejtorin për luftimin e terrorizmit, Igor Babiq dhe një zyrtar tjetër serb, të cilët i informonte lidhur me personat e radikalizuar dhe zhvillimin e rrymave vahabiste në Kosovë, ndikimin e tyre, numrin dhe funksionimin e mesxhideve (vende të faljes jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame).

Hetimet kanë zbuluar se informacionet e dërguara drejt BIA-s kanë përfshirë edhe të dhëna lidhur me ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe raste të vrasjeve gjatë luftës.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale, Selimi i ishte bashkuar organizatës terroriste ISIS me udhëzime të marra nga shërbimi serb i inteligjencës.

Kjo nuk është hera e parë që ai përballet me drejtësinë. Në dhjetor të vitit 2022, Selimi u dënua me katër vjet e tetë muaj burgim për pjesëmarrje në ISIS.

© Panorama.al

Te lidhura