
Greqisë do t’i falet gjysma e borxhit që ka marrë pranë bankave private. Ka qenë ky vendimi që mori Samiti dyditor, i mbajtur në Bruksel mes vendeve të eurozonës dhe asistencës së FMN-së. Pas takimit të fundit që zgjati 11 orë, u vendos shkurtimin me 50 për qind të borxhit, një masë kjo që parashikohet ta ulë borxhin në nivelin 120% të GDP-së, deri në fund të 2020-s. Nëse do të vijohej sipas kushteve aktuale, ekspertët parashikonin që borxhi i Greqisë do të kapte nivelet ekstreme 180% të GDP-së. “Qëndrueshmëria e borxhit grek mund të arrihet vetëm nëse sektori privat merr pjesë në këtë masë në mënyrë korrekte”, u shpreh dje Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pas përfundimit të Samitit. “Bota sot i ka sytë te ne”, përfundoi ajo. Një tjetër lajm i mirë është fakti që Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë vendosur të vazhdojnë me ndihmën për ta nxjerrë nga kolapsi shtetin fqinj, duke parashikuar një fond 130 miliardë euro. Marrëveshja, që “çliron” Greqinë nga borxhi i madh ku është zhytur, u arrit pas diskutimeve dyditore të krerëve të vendeve të eurozonës dhe FMN-së, ku rënia dakord nuk ishte e lehtë. Franca është një ndër shtetet që nuk ka qenë dakord me idenë e faljes së 50 për qind të borxhit që Greqia ka ndaj bankave private, pasi shumica e këtij borxhi është blerë pikërisht nga bankat që operojnë në këtë shtet. Ajo që ka qenë dakord që nga fillimi me këtë marrëveshje ka qenë Gjermania. Por duket se marrëveshja e eurozonës do të prekë edhe Shqipërinë, pasi jo pak banka që operojnë në vendin tonë kanë blerë bono thesari në Greqi. Shifrat tregojnë që niveli i këtij investimi të ketë arritur gjithsej në rreth 13 milionë euro, çka automatikisht sjell një humbje prej 6-7 milionë eurosh.
Situata e re
Me situatën e re që sjell marrëveshja në sistemin bankar të shtrirë në eurozonë, lind nevoja e rikapitalizimit të 70 bankave me një vlerë prej 106 miliardë eurosh. Është Autoriteti Europian Bankar ai që detyron që të arrihen standardet e rikapitalizimit, dhe për bankat greke ky rikapitalizim do të kushtojë 30 miliardë euro, për bankat në Spanjë 26.2 milionë euro, për bankat në Francë, 8.8 miliardë euro dhe për ato në Itali, 14.8 miliardë euro. Në Samit u vendos edhe rritja e kapitalit rezervë për krizën në nivelin 440 miliardë euro, një masë që më shumë nxitet nga gjenda e Italisë, nëse do të lindë nevoja të përdoret. Madje, si Merkel edhe kreu francez Nikolas Sarkozy janë shprehur se ky fond duhet të rritet edhe disa herë më shumë. Një alternativë e mundshme që e ka hedhur Sarkozy ka qenë ajo e bisedimeve me Kinën, së cilës mund t’i kërkohet kontribut financiar në fondin për rastet e emergjencës. Në përgjithësi, Franca ka qenë me skeptike për riskun që duhej të merrej karshi fqinjit tonë.
100 miliarde euro
është përfitimi që ka Greqia nga borxhi që iu shkurtua në masën 50 për qind në bankat private. Kjo është një shifër e konsiderueshme, po të kemi parasysh që niveli i borxhit është tejet i lartë
120 per qind
e GDP-së parashikohet që të ulet borxhi i Greqisë deri në vitin 2020, sipas vendimit që mori Samiti i Brukselit. Nëse nuk do ishte marrë kjo masë, niveli i borxhit parashikohej të arrinte 180 për qind të GDP-së
Papandreu: Shpëtuam. Sot mbyllëm llogaritë me të kaluarën
Në Greqi qeveria në festë, por bankat mund të mos kenë më para
Greqia ka marrë dje frymë lirisht pas vendimit të Samitit. Qeveria greke menjëherë ka përshëndetur shkurtimin me 50 për qind të borxhit të saj. Në një konferencë për shtyp, Kryeministri Jorgo Papandreu u shpreh “ne arritëm qëllimin tonë, pavarësisht kundërshtimeve të paprecedentë”, duke shtuar se vendimet e marra i mundësojnë Greqisë që të mbyllë hesapet me të kaluarën. “Le të lëmë mënjanë propagandën që hedh baltë. Ne po luftojmë për vendin tonë dhe t’i japim fund dëmtimit të njëri-tjetrit”, u shpreh Papandreu. Por në këtë atmosferë gëzimi ka vetëm një anë pesimiste, ajo që bankat greke mund të falimentojnë. Sikurse në çdo vend, bankat e nivelit të dytë blejnë gjithmonë borxhin e shtetit dhe në këtë rast nuk ka përjashtim. Të dhënat e Autoritetit Europian Bankar tregojnë se bankat greke pas masës së marrë duhet të rikapitalizohen në nivelin 30 miliardë euro, niveli më i lartë për të gjithë eurozonën.
Skeptikët
Marrëveshja e arritur në Samitin e Brukselit është parë me skepticizëm, pikërisht nga vetë grekët. Vendimi shihet si një zgjidhje e momentit për të rregulluar problemet me krizën, por që mund të ketë pasoja të rënda për ekonominë në katër dekadat e ardhshme. Kjo sipas grekëve e nxjerr Greqinë në pazar të hapur.
Optimistët
Më optimistët për këtë marrëveshje janë grekët joopozitarë dhe qeveria. Vendimi i Samitit konsiderohet si zgjidhja që do lërë pas situatën e vështirë të Greqisë. Me sistemin e ri të taksimit, shkurtimin e borxhit dhe marrëveshjeve me BE dhe FMN, qeveria greke shpreson që ta mbyllë këtë kapitull të vështirë për vendin.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











