Banka Botërore: Shqipëria, rekord për borxhin

Nov 16, 2011 | 8:48

Ministri i Financave, Ridvan Bode

Prezantohet raporti i zhvillimeve ekonomike për rajonin: Rritja ekonomike e Shqipërisë në 2012-n, vetëm 2%

Nëse limiti 60 për qind është një limit alarmi që ka BE 10-a sipas kritereve të Mastrihtit, vendi ynë ndodhet shumë afër këtij limiti, kurse vendet e tjera janë në një pozitë më të favorshme. Argumenti i zakonshëm politik lidhur me borxhin se ne nuk rrezikohemi pasi një pjesë e vogël e tij është borxh i jashtëm, kurse pjesa më e madhe borxh i brendshëm, nuk është dhe aq bindës për BB. Ekonomisti i zyrës së këtij institucioni në Tiranë, Erjon Luci, pas prezantimit të raportit për zhvillimet ekonomike në rajon u përgjigj edhe specifikisht për Shqipërinë. “Borxhi i ulët i jashtëm është një gjë e mirë në një aspekt rreziqesh aktuale, sepse ndikimi nga ndërprerja e financimeve të huaja nuk është, të themi, aq negative në një çast si ky, kur normat rriten. Por Europa ka provuar që borxhi privat i jashtëm dhe borxhi publik ndryshojnë shumë shpejt në një çast krize, kështu që borxhi publik mund të mbetet një potencial rreziku apo një pikë e dobët për t’u përmirësuar; në rastin e atyre që përmenda më lart për normën e interesit dhe financimin”, tha ai. Në këtë prizëm, Banka Botërore i bashkohet thirrjes së FMN-së apo BERZH-it për një ulje të borxhit publik. Lidhur me deficitin buxhetor, Banka Botërore shpreh besimin se Shqipëria mund t’ia dalë të mbajë një deficit në nivelin 3 për qind nëse ndjek politikën e duhur.
Ekonomia dhe investimet
Rritja ekonomike e Shqipërisë pritet që për vitin 2011 të jetë tre për qind, kurse për vitin 2012 të jetë dy për qind. Banka Botërore pret që ekonomia të marrë më pak remitanca dhe të ketë më pak mundësi financimi nga jashtë, ndërkohë që në thelb sugjeron që rritja ekonomike të bazohet në investime produktive. Deri tani ajo që e ka mbajtur rritjen ekonomike ka qenë qeveria përmes shpenzimeve kapitale. Më shumë këto investime kanë qenë në infrastrukturë, por që pavarësisht se ndikojnë në cilësinë e jetesës, janë investime që nuk kanë kthim të shpenzimit apo fitim. Kështu që rritja ekonomike, sipas BB, tashmë do të duhet që të bazohet në investime produktive që i bën vetë biznesi dhe që pasqyrohet direkt në eksporte. Një sugjerim të ngjashëm Banka Botërore e bëri edhe në maj, kur publikoi raportin për strategjitë e reja të rritjes ekonomike të Shqipërisë. E rrethuar me vende që po vuajnë krizën e euros, duket se për BB pak gjasa ka që Shqipëria ta kalojë pa u prekur, sikurse ndodhi me krizën globale më të hershme. Trysnia në llogaritë fiskale dhe një rritje ekonomike më e ulët, sipas BB-së, janë tregues se këtë herë kur në horizont është kriza e eurozonës, Shqipëria mund të preket keq. Kjo frikë vjen edhe si rezultat i krizës më të rënduar në Greqi dhe Itali, që janë edhe dy partnerët tanë kryesorë tregtarë.

Raporti i Bankës Botërore
.    Borxhi publik për vitin 2011 është 58.2 për qind.
.   Për 2012-n parashikohet që Shqipëria të ruajë nivelin 3 për qind të deficitit.
.    Rritja ekonomike për vitin 2011 parashikohet të jetë 3 për qind.
.   Rritja ekonomike për vitin 2012 parashikohet të jetë 2 për qind.
.    Bankat janë likuide, të shëndosha nga baza e kapitalit, kurse provigjonet janë rritur.
.    Risqet nga kriza e eurozonës mund të shihen në deficitin fiskal. Deficitin e llogarisë korrente, borxhi publik.
.    Është e nevojshme një politikë fiskale e kujdesshme.
n    Ekziston një risk i madh për uljen e mëtejshme të ritmeve të rritjes së të ardhurave.
.    Financimi mund të bëhet i vështirë.
.    Hapësira fiskale është ezauruar dhe ka nevojë të rigjenerohet.
.    Ka pak vend për nxitje fiskale shtesë.
.    Financimi për nevojat imediate nga Shqipëria është siguruar nga një kombinim depozitash dhe sigurim projektesh me financim të huaj.
.    Politika monetare është e kufizuar. Në menaxhimin e normës së interesit duhet t’i kushtohet vëmendje depozitave, inflacionit dhe kredive/depozitave në valutë
.    Thellimi i procesit të integrimit me BE mbetet strategjia më e mirë
.    Nevojiten reforma strukturore për të përmirësuar konkurrueshmërinë
.   Reforma për të gjeneruar kursime fiskale
.    Rritja ekonomike duhet të mbështetet në investime më produktive në vend të konsumit të financuar nga jashtë.
.    Vëmendje e veçantë arsimit. Perceptimi i mungesës së aftësive ka ardhur në rritje ndërkohë që kërkesa për aftësi do të vazhdojë të rritet.
.    Biznesi kërkon punëtorë që kanë aftësi njohëse, shoqërore dhe teknike
.    Teknologjia e re vijon të mbetet e implementuar ulët

FMN: Ulni borxhin
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka qenë ndër të parat institucione ndërkombëtare financiare që ka këmbëngulur shumë që Shqipëria të ulë me urgjencë nivelin e borxhit publik. Një ndër propozimet për të ulur borxhin ishte ajo e miratimit të një rregulli të qartë fiskal, ndërkohë që një tjetër propozim i hedhur poshtë ishte rritja e të ardhurave përmes rritjes së taksës së sheshtë. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ish-shefi i misionit të FMN-së në Shqipëri, Gerwin Bell, e vuri edhe njëherë theksin mbi rëndësinë e uljes së borxhit.

BERZH: Ulni shpenzimet, të kontrolloni borxhin
Ulja e shpenzimeve është një nga mënyrat që qeveria duhet të marrë parasysh për të garantuar stabilitetin fiskal të vendit kur vjen fjala për borxhin publik. Raporti i fundit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i publikuar dje, nxjerr në pah edhe risqet që kërcënojnë vendet ku operon kjo bankë në këtë kohë tranzicioni ekonomik. Sipas BERZH-it, mbajtja e borxhit nën nivelin 60 për qind mund të jetë pjesë e objektivave të qeverisë, ndërkohë që nëse kjo e fundit nuk mund t’i ulë shpenzimet, të paktën të rrisë të ardhurat. BERZH sugjeron që qeveria duhet të përfundojë proceset e privatizimit, të cilat i ka nisur prej kohësh, siç është privatizimi i kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës “Albpetrol”, por edhe kompania e sigurimeve “INSIG”. Por të dyja proceset duket se kanë mbetur në vend. “Shitjet e kompanive shtetërore duhet të përfundohen. Kompletimi i planit të privatizimeve jo vetëm që do të sjellë të ardhurat që aq shumë i duhen qeverisë, por do të jetë dhe një sinjal për reformat e orientuara nga tregu. Kjo do të nxiste investimet e huaja direkte në vitet në vijim”, thuhet në raportin e BERZH-it. Një tjetër pikë ku e vë theksin raporti është ajo e rrezikut që vjen nga kriza e fqinjëve, si Greqia dhe Italia. Edhe pse sektori bankar, sipas BERZH-it, ka qenë i qëndrueshëm, fakti që 35 për qind e aseteve bankare janë greke duhet të përbëjë motiv të mjaftueshëm për të qenë vigjilentë. Më tej, BERZH thekon se rritja ekonomike do të vijojë të jetë e ngadaltë dhe për vitin 2011 Shqipëria nuk pritet të ketë rritje më të lartë se 1.9 për qind.
NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura