
Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoellik, ka kritikuar ashpër qeverinë gjermane, duke akuzuar Kancelaren Anxhela Merkel se po i del ballë krizës pa asnjë plan të qartë. “Kancelarja Merkel nuk ka treguar vizion për kapërcimin e krizës”, kështu është shprehur kreu i BB në një intervistë për “Javën Ekonomike”. Ai tha se Gjermania është vendi pararojë në eurozonë, duhet të mbrojë monedhën e saj me vizione dhe plane të qarta, pasi vendet e tjera të fuqishme të zonës euro janë më të zëna për të zgjidhur problemet e tyre. “Gjermania, edhe për shkak të madhësisë së saj, luan një rol të rëndësishëm. Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, ndodhet para zgjedhjeve presidenciale, Italia po përfshihet nga turbulencat, Britania e Madhe nuk është pjesë e eurozonës. Taksapaguesve gjermanë duan t’u tregohet një kurs i qartë, duhet që udhëheqja politike t’u thotë se në çfarë rruge po shkon Europa, nëse do të krijohet një union politik dhe financiar për të mbrojtur eurozonën”, tha ai. Kritikat e kreut të Bankës Botërore për mënyrën se si po reagohej ndaj krizës ekonomike, kanë nisur që në fillim të shtatorit, kur ai paralajmëroi se ekonomia botërore po hyn në një zonë të re rreziku. Tashmë, ai iu adresua konkretisht Gjermanisë dhe Merkelit. “Shumë gjëra në politikë bëhen si me zor, pa vizion, por ekonomia dhe tregjet kanë nevojë për orientim dhe qartësi”, ka theksuar Zoellik. Duke komentuar mbi Merkel dhe qeverinë e saj, Zoellik tha se “kur para 20 vjetësh u shpërbë Blloku Lindor, kancelari i atëhershëm, Helmut Kohl, kishte një vizion se si duheshin zhvilluar gjërat. Kjo tani mungon, dhe sa më shumë që të zgjasë kjo gjendje, aq më shumë para kushton kjo, dhe aq më pak opsione për zgjidhje do të ketë”. Presidenti i Bankës Botërore, Zoellik, foli edhe për bllokun evropian si një të tërë, sërish me tone kritike, duke deklaruar se Europa ende nuk ka një koncept se si duhet ta zgjidhë krizën dhe se paktet e deritanishme të shpëtimit nuk vlejnë për zgjidhje afatgjata të krizës aktuale, por vetëm për të fituar kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje, e cila ende mungon. “Nuk dua ta kritikoj këtë, por kjo nuk e zgjidh problemin”, tha ai duke bërë thirrje edhe një herë për një politikë më të qartë e vizionare.
Takimi Merkel-Sarkozi, OK marrëveshja për bankat
Liderët e Gjermanisë dhe Francës, dy ekonomitë më të mëdha të eurozonës, thanë se kanë arritur marrëveshje mbi forcimin e sektorit të tronditur bankar në eurozonë. Kancelaria gjermane, Anxhela Merkel, tha se ajo dhe Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, “janë të vendosur të bëjë ç’është e nevojshme për të siguruar rikapitalizimin e bankave të Europës”. Merkel foli pas takimit me Sarkozinë në Berlin të dielën, një takim i nevojshëm për të diskutuar detajet e marrëveshjes mes tyre, para një samiti të 27 të liderëve të Bashkimit Europian, në fund të këtij muaji. Sarkozi është shprehur se “nuk ishte momenti” për të treguar detajet e marrëveshjes, por shtoi se pakti franko-gjerman “është total”. Merkel tha se të gjitha bankat në Europë do të maten me të njëjtat kritere që do të përllogariten në koordinim me Autoritetin Bankar Europian dhe FMN-në. Gjermania dhe Franca, të cilat së bashku përfaqësojnë gjysmën e 17 vendeve të eurozonës matur nga prurjet ekonomike, po përgatitën që në samitin e fundmuajit të paraqiten me të njëjtat pozicione.











